Ta tejkalojmë pabarazinë në kujdesin për personat me kancer
Secili nga ne meriton qasje në të
Tema e Ditës Botërore të luftës kundër kancerit:
TA TEJKALOJMË PABARAZINË NË KUJDESIN PËR PERSONAT ME KANCER
Në këtë Ditë Botërore të luftës kundër kancerit e njohim fuqinë e dijes.
Ne e dimë se secili prej nesh ka mundësi dhe aftësi të ndryshme, dikush më të mëdha, dikush më të vogla, por bashkë mund të bëjmë përparim të vërtetë në zvogëlimin e ndikimit global të kancerit.
Këtë 4 Shkurt, ju ftojmë, kushdo dhe kudo që jeni, të realizoni rolin tuaj në krijimin e një bote pa kancer.
Çfarë do të mësoni për pabarazitë në kujdesin e personave me kancer në këtë Ditë Botërore të luftës kundër kancerit?
-FFushata 3 vjeçare për ndikim
Dita Botërore të luftës kundër kancerit është më shumë se vetëm një ditë në kalendar. Për këtë arsye fushata jonë është e dizajnuar në mënyrë që të frymëzojë ndryshime dhe veprim edhe përtej kësaj dite.
Fushata shumëvjeçare nënkupton më shumë aktivitet dhe angazhim, më shumë mundësi për ndërtimin e një vetëdije globale dhe si përfundim arritjen e një ndikimi më të madh.
2022: Të kuptojmë thelbin e problemit
Viti i parë i fushatës „ TA TEJKALOJMË PABARAZINË NË KUJDESIN PËR PERSONAT ME KANCER “ ka për qëllim të kuptuarit dhe njohjen e pabarazive në kujdesin për personat me kancer në mbarë botën. Duhet të jemi të hapur, supozimet të bëhen sfida dhe të definojmë faktet:
- Pabarazia në kujdesin për kancerin kushton jetë.
- Personat të cilët kërkojnë kujdes për kancerin hasin në pengesa në çdo hap që bëjnë.
- Të ardhurat, arsimimi, vendndodhja gjeografike dhe diskriminimi mbi bazë të përkatësisë etnike, gjinia, orientimi seksual, mosha, invaliditeti dhe mënyra e të jetuarit janë vetëm disa nga faktorët që mund të ndikojnë negativisht në kujdesin për kancerin.
- Ky hendek i krijuar ndikon tek të gjithë, tek ju dhe të afërmit tuaj.
- Këto pengesa nuk janë prej guri. Ata mund të ndryshojnë.
Ky është një vit kur duhet të vihet në pikëpyetje statusi, si dhe të ndihmohet në uljen e stigmës; të dëgjojmë mendimet e njerëzve që jetojnë me kancer dhe komunitetet e tyre dhe t’i lejojmë ato përvoja të udhëheqin mendimet dhe veprimet tona.
Kështu ne mund të fillojmë të mendojmë se si t’i bëjmë gjërat më mirë dhe të ndërtojmë një vizion më të drejtë për të ardhmen – një të ardhme në të cilën njerëzit do të jetojnë jetë më të shëndetshme dhe do të kenë qasje më të mirë në shërbimet shëndetësore dhe sidomos shërbimet për trajtimin e kancerit, pa dallim se ku kanë lindur, ku rriten, pa dallim të moshës së tyre, punës së bëjnë apo se ku jetojnë.
2023: Të bashkojmë zërat tanë dhe të ndërmarrim veprime
Në rrjedhën e fushatës tonë ne do ju bashkohemi njerëzve me të njëjtin mendim, sepse e dimë që kur jemi të bashkuar jemi më të fortë. Do kremtojmë përparimin e vërtetë në botë dhe do lejojmë që ai moment ta nxisë luftën tonë për drejtësi. Do të bëjmë më shumë sesa vetëm fjalë. Do ndërtojmë aleanca më të forta dhe bashkëpunime të reja inovative.
Aktivitetet tona mund të marrin forma të panumërta: motivimi i fqinjëve për të siguruar transportin deri në spital të një bashkëqytetari që trajtohet kundër kancerit ose ofrimi i mundësive të shëndetshme dhe më pak të kushtueshme të ushqimit në shkollë.
Do t’i mobilizojmë miqtë, familjen, bashkëpunëtorët dhe komunitetet tona, sepse e dimë se së bashku mund të arrijmë pothuajse gjithçka.
2024: Bashkë t’i sfidojmë ata që janë në pushtet
Viti i fundit i fushatës tonë ka për synim të tërheqë vëmendje në një nivel më të lartë! Do e ngremë zërin tonë që t’i angazhojmë liderët tanë. Tani që kemi dituri dhe një komunitet të bashkuar pranë, ne jemi të gatshëm të tundim themelet e padrejtësisë – të bëhemi avokatë të përjetshëm të përgatitur për të bërë presion për ndryshime të qëndrueshme.
Bashkë ne do të kujdesemi që udhëheqësit tanë ta dinë se ne kërkojmë t’i japim përparësi kancerit, të zhvillohen strategji inovative të dizajnuara për të luftuar pabarazinë dhe të investojmë burimet tona për arritjen e një bote të drejtë pa kancer. Ne do ju bëjmë thirrje udhëheqësve që t’i eliminojnë pabarazitë shëndetësore duke adresuar shkaqet e tyre themelore, duke siguruar që të gjithë të kenë qasje në shërbime shëndetësore cilësore kur, ku dhe si të kenë nevojë.
Dituri për kancerin
Sa më shumë që dimë për kancerin, aq më shumë jetë mund të shpëtojmë.
Fakte kryesore për kancerin
- Çdo vit nga kanceri vdesin 10 milionë njerëz.
- Të paktën një e treta e llojeve më të shpeshta të kancerit mund të parandalohen.
- Kanceri është shkaktari i dytë me radhë i vdekjeve në botë.
- 70% e rasteve të vdekjes ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura mesatare.
- Me zbatimin e burimeve adekuate për strategjitë për parandalim, zbulim të hershëm dhe trajtim çdo vit mund të shpëtohen me miliona jetë.
- Shpenzimet e përgjithshme ekonomike vjetore për kancerin vlerësohet se arrijnë deri në 1,16 trilionë dollarë amerikanë.
Ta tejkalojmë pabarazinë në kujdesin për personat me kancer
Sot është realitet që fakti se kush je dhe ku jeton mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.
Kjo nuk është e drejtë, por ne mund ta ndryshojmë këtë gjë.
Pabarazitë gjatë kujdesit të personave me kancer
Edhe pse jetojmë në një kohë të një përparimi sa i përket parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit gjysma e popullatës në mbarë botën nuk ka qasje në shërbime shëndetësore themelore. Kur bëhet fjalë për kancerin, shumë nga ne janë të privuar nga kujdesi themelor.
Kjo është pabarazia – dhe ajo kushton jetë. Personat që kërkojnë trajtim për kancerin hasin në pengesa në çdo hap që bëjnë. Të ardhurat, arsimimi, vendndodhja gjeografike dhe diskriminimi mbi bazë të përkatësisë etnike, racës, gjinisë, orientimit seksual, moshës, invaliditetit dhe mënyrës së jetesës janë vetëm disa nga faktorët që mund të kenë ndikim negativ sa i përket kujdesit. Grupet më të pafavorizuara gjithashtu kanë më shumë gjasa të jenë edhe më të ekspozuar edhe ndaj shumë faktorëve të tjerë të rrezikut, si duhani, ushqimi jo i shëndetshëm dhe rreziqet që burojnë nga mjedisi.
Pabarazia i prek të gjithë. Mund të mendoni se ky problem nuk ndikon tek ju personalisht, por me siguri ndikon tek ndonjë person të cilin e njihni. Edhe pse është më i theksuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, në vendet me të pasura ka dallime dramatike. Është pothuajse e garantuar që ky hendek ndikon tek ju ose njerëzit në komunitetin tuaj.
Mund ta tejkalojmë pabarazinë. Sot është realitet që fakti se kush je dhe ku jeton mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes. Kjo nuk është e drejtë, por ne mund ta ndryshojmë këtë gjë.
Çfarë nënkuptojmë me “pabarazi”?
Në shëndetësi pabarazia ka të bëjë me shpërndarjen jo të barabartë të resurseve. Kjo mund të shmanget me tejkalimin e dallimeve gjatë kujdesit ose rezultateve.
Dallimi mund të duket suptil, por mbyllja e hendekut në kujdesin ndaj pacientëve me kancer nuk është thjesht furnizimi i të gjithëve me resurse të barabarta. Një zgjidhje nuk u përshtatet të gjithëve dhe secila sfidë kërkon një zgjidhje të ndryshme. Barazi do të thotë që të gjithëve tu jepet ajo për çfarë kanë nevojë që të mund të ngrihen në të njëjtin nivel.
Kjo është për mua dhe për ty; Kjo është për të gjithë;
Hendeku i të ardhurave është një realitet për të gjitha vendet kudo, si për vendet me të ardhura të larta ashtu edhe për ato me të ardhura të ulëta, dhe ndikon negativisht tek njerëzit në të gjitha sferat e jetës.
- Në SHBA shkalla e mbijetesës nga kanceri i qafës së mitrës tek gratë që i përkasin racës së bardhë është 71%. Për gratë afroamerikane kjo përqindje është 58%.
- Në Zelandën e Re, Maorët kanë dy herë më shumë gjasa që të vdesin nga kanceri se sa të tjerët.
- Shkalla e mbijetesës nga kanceri tek fëmijët është mbi 80% në vendet me të ardhura të larta, ndërsa vetëm 20% në vendet me të ardhura të ulëta.
- Më shumë se 90% e rasteve të vdekjes nga kanceri i qafës së mitrës ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.
- Kanceri vret pothuajse 10 milionë njerëz në vit, ndërsa rreth 70% e tyre janë në moshë mbi 65 vjet, por gjithsesi, popullata më e moshuar përballet me pengesa të jashtëzakonshme për një trajtim efektiv.
- Tek refugjatët, diagnostikimi i kancerit ka shumë gjasa të bëhet në një fazë të avancuar, që ka si pasojë edhe rezultat më të keq.
- Pjesërisht për shkak të diskriminimit nga punonjësit shëndetësorë trajtimi i kancerit tek personat transgjinorë është më i dobët se sa tek pjesa tjetër e popullatës.
- Ekzistojnë dallime domethënëse tek rezultatet në lidhje me kancerin për pacientët në mjediset rurale dhe urbane, madje edhe në vendet me të ardhura të larta, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
- Кu ka përparim ka edhe shpresë. Kur njerëzit bashkohen, kur komunitetet mblidhen rreth personave vullnerabël, dhe kur individët zbulojnë dhe bashkëpunojnë edhe përtej kufijve, atëherë ndryshimet nuk vonojnë.
Mundësi për zhvillim për një të ardhme më të mirë
Si duket një botë e drejtë?
Barazi shëndetësore do të arrijmë atëherë kur çdo person të ketë mundësinë të arrijë potencialin e tij të plotë shëndetësor pa barriera apo kufizime të krijuara nga statusi social ose rrethana të tjera të caktuara shoqërore.
Qëllimi është i thjeshtë: barazi shëndetësore tani
Hendeku në kujdesin e personave me kancer nuk është i pashmangshëm. Qeveritë tona mund të vihen në veprim, gjendja e një personi mund të përmirësohet, dituritë e tyre për kancerin mund të rriten dhe mund tu lehtësohet qasja në shërbime.
Bashkë ne mund ta zvogëlojmë pabarazinë përmes:
- edukimit të popullatës për parandalimin e kancerit;
- trajnimit të punonjësve shëndetësore me aftësi dhe dituri, përfshirë këtu edhe për ndikimin e pabarazisë në trajtimin e kancerit;
- përforcimit të mbrojtjes shëndetësore primare që realizohet në komunitete;
- adresimit përmes politikave dhe programeve të disa faktorëve social dhe ekonomik të cilët mund të ndikojnë negativisht ndaj shëndetit të njeriut;
- zmadhimit të resurseve – mjete financiare dhe njerëz – të dedikuara për hulumtime në lidhje me kancerin dhe ndjekjen e ngarkesës që i shkakton kanceri një vendi me qëllim formësimin më efektiv të investimeve;
- zbatimit të planeve për parandalim dhe kontroll të kancerit specifike për një vend e që u referohen nevojave të veçanta dhe burimeve të çdo vendi.
Si individë, edhe ne duhet të luajmë një rol të rëndësishëm. Si? Duke ngritur zërin tonë dhe duke u bërë presion qeverive për t’i zgjidhur shkaqet kryesore të këtyre pabarazive, për të trajtuar kancerin si një problem të rëndësishëm shëndetësor – drejtpërdrejt, me zë të lartë dhe të palëkundur kundër stigmës dhe diskriminimit në të gjitha format e tyre.
7 pengesat në rrugën drejt kujdesit për personat me kancer
Ku jeton. Kush je ti. Nga vjen. Çfarë bën. Kë don. Këta quhen përcaktues socialë të shëndetit dhe i përfaqësojnë faktorët e shumtë që në mënyrë të padrejtë mund të qëndrojnë midis jush dhe parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit.
- Normat gjinore dhe diskriminimi
Në mbarë botën, gratë dhe vajzat vuajnë nga diskriminimi si rezultat i mizogjinisë, stereotipeve dhe roleve të pritshme gjinore. Disa kontekste kulturore dhe fetare mund ta kufizojnë më tej qasjen në kohë në kujdesin për kancerin. Stigma rreth kancerit të qafës së mitrës dhe gjirit mund të ndikojë që gratë të hezitojnë t’i nënshtrohen skriningut për kancerin. Në disa pjesë të botës, një grua për ta vizituar mjekun mund të ketë nevojë për miratim të heshtur ose leje të qartë nga burri i saj, kryefamiljari.
Burrat gjithashtu përballen me efektet negative të diskriminimit gjinor dhe tabuve sociale dhe kulturore. Normat shoqërore që rrethojnë maskulinitetin mund t’i bëjnë ata më pak të gatshëm për të diskutuar çështje të caktuara shëndetësore dhe për të ndërmarrë procedura të caktuara shpëtimtare, si operacioni i kancerit të prostatës në fazën e hershme, për shkak të shqetësimeve rreth efekteve anësore të mundshme, të cilat mund të përfshijnë inkontinecën ose impotencën.
- Pengesat për grupet minoritare të popullatës
Racizmi ka një ndikim të madh në aftësinë e një personi për të pasur qasje në kujdes për kancerin dhe pakicat shpesh herë përballen me pengesa serioze për të siguruar kujdesin bazë shëndetësor në vendet e tyre.
Për shembull, popullsia indigjene që jeton në mbi 90 vende përfaqëson 6% të popullsisë së botës dhe 15% e tyre janë jashtëzakonisht të varfër. Njerëzit indigjenë përballen me shëndet më të keq dhe rezultate shëndetësore më të këqija. Këta faktorë, të kombinuar me diskriminimin sistematik, shkeljet e të drejtave të njeriut, dallimet gjuhësore dhe kulturore dhe shumë faktorë të tjerë, si kequshqyerja, abuzimi me substancat dhe sjellje të tjera, janë faktorë rreziku të lartë për shfaqjen e kancerit.
- Varfëria dhe statusi socio-ekonomik
Varfëria kufizon rëndë qasjen në kujdesin cilësor për kancerin. Si në vendet me të ardhura të larta ashtu edhe në ato të ulëta, statusi më i ulët socio-ekonomik nënkupton edhe më pak qasje në kujdes shëndetësor. Pengesat e shumta që lidhen me burimet e pamjaftueshme financiare përfshijnë transportin në spital nga vendet e largëta, pamundësinë për të munguar në punë ose për të ofruar kujdes për fëmijët, për të shkuar te mjeku për kontroll ose trajtim, mungesë të sigurimit shëndetësor dhe shumë të tjera.
Pavarësisht se ku jetoni, nëse jeni diagnostikuar me kancer të avancuar dhe jeni një pacient me të ardhura të ulëta vetëm me arsim bazë ose pa sigurim shëndetësor, ka më shumë gjasa të mos keni para për të gjitha shpenzimet ose të vdisni brenda 12 muajve nga diagnostikimi i kancerit.
- Ndarja rurale-urbane
Njerëzit që jetojnë në zonat rurale përballen me shumë pengesa, mes të cilave edhe mundësia për të mbijetuar nga kanceri. Mungesa e shërbimeve për parandalim, diagnostikim dhe trajtim nënkupton nevojë për udhëtime në distanca të gjata për të pasur qasje në burimet e nevojshme. Barra financiare e këtij udhëtimi, së bashku me nevojën për kujdes ndaj fëmijëve dhe mungesat në punë, mund të jetë e pakapërcyeshme.
Si rezultat i kësaj, vendi ku jetoni shumë shpesh përcakton nëse do të jetoni. Tek pacientët nga zonat rurale, sëmundja shpesh diagnostikohet në një fazë të mëvonshme dhe ata kanë më pak gjasa të marrin trajtimin e duhur, të monitorohen ose të kenë mbështetje, ose të përfshihen në provat klinike që mund të jenë mundësia e tyre më e mirë për të mbijetuar.
- Diskrimimimi për shkak të moshës
Mosha juaj nuk duhet të jetë faktor mbi bazë të të cilit do të vendoset për cilësinë e kujdesit që do të merrni për trajtimin e kancerit, por kjo gjë vazhdon të jetë një realitet për shumë njerëz. Kanceri mund të zhvillohet në çdo moshë, por me kalimin e moshës rreziku rritet dukshëm. Në fakt, më shumë se gjysma e njerëzve me kancer janë mbi 65 vjet. Për shkak se simptomat e hershme të kancerit mund të ngatërrohen me dhimbje të përditshme ose sëmundje më serioze si pasojë e moshës, te pacientët e moshuar shumë kancerë diagnostikohen në një fazë më të avancuar. Këtë e përkeqëson edhe më shumë mungesa e programeve dhe shërbimeve që duhet të plotësojnë nevojat e të moshuarve. Gjithashtu, edhe pse të moshuarit diagnostikohen me kancer më shpesh sesa të rinjtë, pacientët e moshuar janë dukshëm të nënpërfaqësuar në hulumtimet që i përcaktojnë pastaj standardet për trajtimin e kancerit. Mostolerimi i të moshuarve që po depërton gjithnjë e më shumë në kultura dhe institucione, është një nga faktorët kryesorë që kontribuon në këtë disbalancë.
Kanceri dhe mplakja
Gjithnjë e më shumë studime po tregojnë se si popullatës së moshuar i mohohet kujdesi i drejtë për kancerin:
- Shumë gra të moshuara me ndonjë formë të caktuar të kancerit të gjirit pranojnë më pak kimioterapi sesa pacientet më të reja – pavarësisht dëshmive për efikasitetin e trajtimit.
- Më shumë se 70% e vdekjeve nga kanceri i prostatës ndodhin te meshkujt mbi 75 vjeç, të cilët zakonisht kanë një sëmundje më agresive. Megjithatë, në të shumtën e rasteve atyre u mohohet qasja në kimioterapi kur bëhet fjalë sëmundje në fazë të avancuar.
- Kanceri kolorektal është një sëmundje tjetër që prek në mënyrë disproporcionale të moshuarit, megjithatë provat sugjerojnë se për pacientët e moshuar nuk sigurohet trajtim optimal.
6. Statusi i refugjatit dhe zhvendosja e detyruar
Në vendet që përballen me paqëndrueshmëri politike, financiare dhe sociale – për shkak të luftës, trazirave sociale ose fatkeqësive natyrore – organizatat e kancerit duhet të përballen me mungesën e tmerrshme të burimeve apo edhe mungesën e plotë të shërbimeve bazë shëndetësore. Shumica e njerëzve me kancer në fazë të avancuar në zonat e prekura nga lufta thjesht nuk mund të marrin kujdesin e duhur pasi rajonet bëhen të paarritshme, spitalet dhe qendrat shëndetësore dëmtohen ose shkatërrohen dhe punonjësit e shëndetësisë lëndohen, vriten ose zhvendosen.
Përveç kësaj, pacientët me kancer në zonat e konfliktit dhe pas konfliktit, si dhe refugjatët nga këto rajone, përjetojnë pengesa të shumta, përfshirë këtu trauma emocionale ose fizike, burime të kufizuara financiare dhe pengesa gjuhësore ose kulturore që mund të ndikojnë dukshëm në qasjen në kujdes efektiv për kancerin.
- Homofobia, transfobia diskriminimi i ngjashëm
Në mbarë botën, lezbiket, homoseksualët, biseksualët, transgjinorët, queer dhe interseksualët (LGBTQI) përballen me armiqësi dhe diskriminim nga personat që i rrethojnë. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të përballen me injorancën ose paragjykimet e drejtpërdrejta nga punonjësit shëndetësorë. Përveç kësaj, frika nga keqtrajtimi i mundshëm nga punonjësit shëndetësorë i largon ata nga kujdesi në kohë dhe efektiv ndaj kancerit.
Një diskriminim i tillë ndikon shumë dhe mund të shkaktojë sjellje që dihet se rrisin rrezikun nga kanceri – si pirja e alkoolit, pirja e duhanit ose përdorimi i drogave të paligjshme – për shkak se njerëzit kërkojnë mënyra për tu vetë-mjekuar dhe për tu përballuar me një botë që është ndaj tyre.
Burimi:
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/34043411/
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/29925401/
https://www.bmj.com/content/348/bmj.g1614
Njohja e pabarazisë është hapi i parë
Pabarazia është kudo. Këta shtatë faktorë përfaqësojnë vetëm disa nga mënyrat në të cilat njerëzit në mbarë botën, nga të gjitha sferat e jetës, janë të privuar nga kujdesi për trajtimin e kancerit. Natyrisht, kjo listë nuk është e plotë – ka pengesa të panumërta të padrejta që pamundësojnë qasjen në një kujdes cilësor për kancerit dhe shumë nga këto paragjykime janë të rrënjosura thellë në sistemin tonë shoqëror.
Por, pengesat duhen kapërcyer. Ka shpresë. Hapi i parë është të dimë ta njohim pabarazinë kur e shohim atë. Vetëm atëherë mund të fillojmë t’i sfidojmë supozimet dhe paragjykimet tona, të dëgjojmë mendimet e njerëzve që jetojnë me kancer dhe të përpiqemi t’i mbyllim këto boshllëqe njëherë e përgjithmonë.
DITA BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR KANCERIT – flaer
DITA BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR KANCERIT- poster