PYETJE:

CILI ËSHTË ROLI I INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK NË ZVOGËLIMIN E MORBIDITETIT DHE MORTALITETIT NGA KANCERI I QAFËS SË MITRËS?

PËRGJIGJE:

Instituti i shëndetit publik është i përfshirë në aktivitetet për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, që njihet ndryshe edhe si kanceri cervikal, që nga fillimi i zbatimit të skriningut, pra tashmë afër 15 vjet. Gjendja me morbiditetin dhe mortalitetin nga kjo sëmundje ndiqet rregullisht.

Statistikat nga Regjistri për kancerin tregojnë se në vendin tonë çdo vit paraqiten rreth 150 raste të reja, ndërkohë që brenda një viti nga kjo sëmundje mesatarisht vdesin nga 30 deri më 40 gra. Në vitin 2019 në kushte spitalore janë trajtuar 380 raste ose 3,7 në 10 000 gra, që kanë realizuar 2890 ditë spitalore, ose kohëzgjatja mesatare e qëndrimit në spital për çdo grua të sëmurë ka zgjatur 7,6 ditë.

Duke marrë parasysh që Instituti zbaton mbrojtje shëndetësore preventive terciare në rrafsh kombëtar, aktivitetet e tij përfshijnë:

  1. Zbatimin e fushatave vjetore në pajtim me Programin për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje për ngritjen e vetëdijes për nevojën e vaksinimit kundër HPV – human papilloma virus, për nevojën për kontrolle të rregullta preventive tek gjinekologu për zbulimin e hershëm të shenjave të para të sëmundjes, diagnostikimin dhe trajtimin në kohë të saj
  2. Përpilimin, botimin dhe shpërndarjen e materialeve propagandistike – pllakateve, fletushkave, broshurave, udhëzuesve
  3. Shënimin e janarit si muajin për ngritjen e vetëdijes për mundësitë e parandalimit të kancerit
  4. Shënimin e Javës Evropiane të luftës kundër këtij lloji të kancerit në javën e fundit të janarit duke përgatitur materiale profesionale të cilat publikohen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe në faqen e Institutit, por edhe që shpërndahen edhe deri tek 10 Qendrat e shëndetit publik, me qëllim një informim më të gjerë të qytetarëve në të gjithë vendin
  5. Pjesëmarrjen e ekspertëve nga Instituti në punën e Komisionit për skrining pranë Ministrisë së shëndetësisë në procesin e krijimit dhe monitorimit të programit preventiv
  6. Bashkëpunim me mediet, sektorin civil, Shoqatën e mjekëve në Maqedoni dhe struktura të tjera në komunitet që veprojnë në fushën e promovimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve
  7. Udhëheqjen e statistikës shëndetësore duke mbledhur dhe dorëzuar të dhëna për morbiditetin dhe mortalitetin nga kanceri cervikal, si në botë, ashtu edhe në vendin tonë për të gjitha organizatat dhe institucionet e interesuara
  8. Pjesëmarrjen në monitorimin dhe evaluimin e rezultateve duke i ndjekur tendencat e sëmundjes
  9. Përgatitjen e propozim masave për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në shëndetësinë primare, sekondare dhe terciare nëpërmjet pjesëmarrjes në përpilimin e udhëzimeve klinike
  10. Ndjekjen e realizimit të programit për skrining dhe raportim kuartal dhe vjetor tek Ministria e shëndetësisë për rezultatet e skriningut.

Që nga fillimi i skriningut të rregullt pa pagesë të grave nga 24 deri më 61 vjet në çdo 3 vjet, mesatarisht gjatë një viti përfshihet rreth 10% e grupmoshës përkatëse të grave, rreth 60% e grave të cilave u është dërguar ftesë testohen, me ç’rast bëhen mesatarisht rreth 24 000 testime PAP dhe zbulohen rreth 10% abnormalitete qelizore epiteliale nga numri i përgjithshëm i strishove të cilave u bëhet analizë citologjike.

Shpresojmë që kriza me pandeminë e COVID -19 do kalojë së shpejti dhe që një numër shumë më i madh i grave do kenë mundësi të bëjnë testime PAP ose për HPV falas për ta zbuluar në kohë kancerin cervikal, në fazat e tij të hershme, me çka do mundësohet trajtim dhe mjekim në kohë, do zgjatet jeta, por edhe do përmirësohet cilësia e jetës të grave.