Fakte kryesore
- Edhe pse është vaksinë e sigurt, efikase dhe ekonomike, në vitin 2017, në mbarë botën ka pasur 110.000 raste të fruthit, kryesisht tek fëmijët në moshë nën 5 vjet.
- Vaksinimi kundër fruthit ndikoi në rënien e vdekshmërisë nga kjo sëmundje për 80% në periudhën mes vitit 2000 dhe 2017 në mbarë botën
- Në vitin 2017, rreth 85% e fëmijëve në botë kanë pranuar një dozë të vaksinës kundër fruthit në ditëlindjen e tyre të parë përmes shërbimeve shëndetësore rutinore – krahasuar me 72% në vitin 2000
- Gjatë periudhës nga viti 2000-2017, vaksinimi kundër fruthit ka parandaluar rreth 21,1 miliona raste të vdekjes, që e bën vaksinën kundër fruthit një nga investimet më të mira të shëndetit publik.
________________________________________
Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe shumë e rëndë, që shkaktohet nga virusi. Para aplikimit të kësaj vaksine, në vitin 1963 dhe para zbatimit të gjerë të vaksinimit në mbarë botën, epidemi të mëdha të fruthit paraqiteshin mesatarisht në 2-3 vjet e që shkaktonin rreth 2,6 miliona raste të vdekjes për çdo vit.
Edhe pse ekziston vaksinë e sigurt dhe efikase, kjo sëmundje mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjes tek fëmijët në të gjithë botën.
Rreth 110.000 persona kanë vdekur nga fruthi në vitin 2017 – kryesisht fëmijë në moshë nën 5 vjet.
Fruthi shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae dhe kryesisht përhapet përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi infekton traktin respirator, dhe pastaj përhapet në organizëm. Fruthi prek njerëzit dhe deri më sot nuk dihet për raste tek kafshët.
Aktivitetet e intensifikuara për imunizim kanë pasur një ndikim të madh tek vdekshmëria nga kjo sëmundje. Gjatë periudhës nga viti 2000-2017, vaksinimi kundër fruthit parandaloi rreth 21,1 milionë raste të vdekjes. Në rrafsh global numri i rasteve të vdekjes nga fruthi ka rënë për 80% nga 545.000 në vitin 2000* në 110.000 në vitin 2017.
Shenjat dhe simptomat
Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë. Në fazën fillestare si shenjë mund të jetë sekrecion nga hunda, kollë, sy të skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.
Gjatë 3 ditëve, puçrrat përhapen nëpër trup, dhe në fund mbulojnë edhe pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve. Kjo zgjat 5 deri më 6 ditë, e pastaj zhduket. Mesatarisht, këto paraqiten 14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit (nga 7 deri më 18 ditë).
Komplikimet
Numri më i madh i vdekjeve si pasojë e fruthit shkaktohet nga komplikimet që shfaqen nga kjo sëmundje. Komplikimet janë më të shpeshta tek fëmijët në moshën nën 5 vjet ose tek të rriturit mbi 20 vjet. Si komplikime më të rënda janë: verbërimi, encefaliti (infeksion i cili shkakton ënjtje të trurit), diarre e rëndë e shoqëruar me dehidrim, infeksionet e veshit dhe infeksionet e rënda të organeve të frymëmarrjes, si për shembull pneumonia. Format e rënda të fruthit mund të paraqiten tek fëmijët e kequshqyer, sidomos tek ato që kanë mungesë të vitaminës A ose imuniteti i të cilëve është i dobësuar nga HIV/SIDA ose nga sëmundje të tjera.
Tek popullatat ku të ushqyerit e dobët prek një përqindje më të madhe të njerëzve dhe ku nuk ka mbrojtje shëndetësore adekuate, pothuajse 10% e rasteve të fruthit kanë përfundim fatal. Gratë e infektuara gjatë shtatzënisë gjithashtu rrezikohen nga komplikime të rënda, ndërsa shtatzënia mund të përfundojë me abort spontan ose me lindje të parakohshme. Personat të cilët e kanë kaluar fruthin bëhen rezistent ndaj kësaj sëmundjeje deri në fund të jetës së tyre.
Kush është i rrezikuar?
Fëmijët e vegjël të pa vaksinuar rrezikohen më së shumti nga fruthi dhe komplikimet e tij, madje edhe nga vdekja si pasojë e fruthit. Gratë e pa vaksinuara gjithashtu janë të rrezikuara. Çdo person pa imunitet ndaj kësaj sëmundjeje (person i pa vaksinuar ose person i vaksinuar por që nuk ka zhvilluar imunitet ndaj kësaj sëmundjeje) mund të infektohet.
Fruthi ende është sëmundje e zakonshme në shumë nga vendet në zhvillim, sidomos në disa pjesë të Afrikës dhe Azisë. Përqindja e lartë (mbi 95%) e vdekshmërisë nga fruthi paraqitet në vendet me të ardhura të ulëta për banor dhe me infrastrukturë të dobët shëndetësore.
Epidemitë e fruthit mund të jenë vdekjeprurëse në vendet të cilat po përballen ose po rikuperohen nga konfliktet dhe katastrofat natyrore. Dëmtimi i infrastrukturës shëndetësore dhe shërbimeve shëndetësore e ndërpret imunizimin rutinor, ndërsa mbingarkimi i kampeve të banimit rrit dukshëm rrezikun nga infektimi.
Përhapja e sëmundjes
Virusi infektiv përhapet nëpërmjet kollitjes dhe teshtitjes, përmes kontaktit të afërt ose të drejtpërdrejtë me sekretet e hundës ose fytit të personit të sëmurë.
Virusi mbetet aktiv dhe infektiv në ajër ose në sipërfaqe të kontaminuara deri më 2 orë. Ai mund të përhapet nga personi i sëmurë tek një person i shëndetshëm nga 4 ditë para shfaqjes së puçrrave deri më 4 ditë pas paraqitjes së tyre.
Epidemitë e fruthit mund të shkaktojnë një numër të madh të vdekjeve, sidomos tek fëmijët e vegjël e të kequshqyer. Në vendet ku fruthi në masë të madhe është çrrënjosur, rastet e importuara nga vende të tjera mbeten burim i rëndësishëm i infeksionit.
Trajtimi
Nuk ekziston trajtim i posaçëm antivirusal kundër virusit të fruthit.
Komplikimet e rënda nga fruthi mund të evitohen me kujdes dhe terapi suportive e cila siguron ushqim të mirë, konsumim të lëngjeve dhe trajtim të dehidrimit me tretje rehidratuese orale, të rekomanduara nga OBSH. Këto tretje i zëvendësojnë lëngjet dhe elementet e tjera themelore të cilat humben gjatë të vjelljes ose diarresë. Antibiotikët duhet të përdoren për të trajtuar infeksionin e syve dhe veshëve, si dhe për pneumoninë, por vetëm me rekomandim nga mjeku.
Të gjithë fëmijët në vendet në zhvillim të diagnostikuar me fruth duhet të pranojnë dy doza të vitaminës A si suplement, në një periudhë kohore prej 24 orësh. Në këtë mënyrë rikthehen nivelet e Vitaminës A në nivele normale gjatë fruthit, që ndodh edhe tek fëmijët e ushqyer mirë dhe mund të ndihmojë në parandalimin e dëmtimit të syve dhe verbërimit. Aplikimi i suplementëve të vitaminës A e zvogëlon numrin e rasteve të vdekjes nga fruthi për 50%.
Parandalimi
Vaksinimi rutinor i fëmijëve kundër fruthit, në kombinim me fushatat masovike për imunizim në vendet me shkallë të lartë të morbiditetit dhe mortalitetit, janë strategjitë themelore të shëndetit publik për zvogëlimin e mortalitetit nga fruthi në rrafsh botëror. Vaksina kundër fruthit përdoret tashmë 50 vjet.
Vaksina është e sigurt, efikase dhe nuk kushton shumë
Imunizimi i një fëmije kundër fruthit kushton rreth një dollar amerikan
Vaksina kundër fruthit shpesh është e inkorporuar në vaksina të kombinuara – zakonisht me vaksinën kundër rubeolës dhe/ose shytave në vendet ku këto sëmundje paraqesin problem. Ajo është efikase si e veçantë ashtu edhe në kombinim. Duke ia shtuar vaksinën kundër rubeolës vaksinës kundër fruthit, arrihet një rritje shumë e vogël e çmimit dhe mundëson që të zvogëlohen shpenzimet e përbashkëta për transport dhe administrim.
Në vitin 2017, rreth 85% e fëmijëve në botë kanë pranuar një dozë të vaksinës kundër fruthit pas ditëlindjes së tyre të parë, përmes shërbimeve shëndetësore rutinore – krahasuar me 72% në vitin 2000. Që të sigurohet imunitet dhe që parandalohet paraqitja e epidemive, rekomandohen dy doza të vaksinës, sepse rreth 15% e fëmijëve të vaksinuar nuk zhvillojnë imunitet pas pranimit të dozës së parë. Në vitin 2017, 67% kanë pranuar dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit.
Nga rreth 20,8 milionë fëmijë që supozohet se janë të pa vaksinuar kundër fruthit nëpërmjet imunizimit rutinor në vitin 2017, rreth 8,1 milionë jetojnë në 3 vende: Indi, Nigeri dhe Pakistan.
Reagimi i OBSH
Në vitin 2010, Kuvendi Botëror i Shëndetit vuri tre gurë-themele (hapa) në drejtim të çrrënjosjes së fruthit që duhej të arrihej deri në vitin 2015:
- Të rritet mbulimi rutinor me dozën e parë të vaksinës e cila përmban morbili (MCV1) për më shumë se 90% në rrafsh nacional dhe për më shumë se 80% në çdo rajon
- Të zvogëlohet dhe të ruhet shkalla vjetore e rasteve të fruthit në më pak se 5 raste në 1 milion, dhe
- Të zvogëlohet vdekshmëria nga fruthi për më shumë se 95% e numrit të vlerësuar për vitin 2000.
Në vitin 2012, Kuvendi Botëror i Shëndetit e miratoi Planin Aksionar Global për vaksinat, me qëllim eliminimin e fruthit në 4 Rajone të OBSH-së deri në vitin 2015 dhe në 5 Rajone të OBSH-së deri në vitin 2020.
Deri në vitin 2017, presioni global për përmirësimin e mbulimit me vaksina kishte si rezultat rënien e vdekshmërisë për 80%. Gjatë periudhës nga viti 2000-2017, me mbështetje nga Nisma për fruthin dhe rubeolën dhe GAVI, dhe Aleancën për vaksinimin, vaksinimi kundër fruthit parandaloi rreth 21,1 milionë raste të vdekjes. Numri më i madh i personave u shpëtuan në Rajonin e Afrikës dhe në vendet me mbështetje të Aleancës GAVI.
Por, pa kujdes të vazhdueshëm, këto përfitime të fituara me shumë mund, shumë lehtë mund të humben. Në vendet ku fëmijët nuk janë të vaksinuar, paraqiten epidemi. Për shkak të mbulimit të vogël në rrafsh nacional, shumë rajone u goditën nga epidemi të mëdha të fruthit në vitin 2017, duke shkaktuar shumë raste të vdekjes. Bazuar në tendencat aktuale të mbulimit me vaksinim dhe incidenca e fruthit, Grupi këshillëdhënës strategjik i ekspertëve për imunizimin pranë OBSH-së (SAGE) konstatoi se çrrënjosja e fruthit në masë të madhe është e rrezikuar, ndërsa sëmundja u shfaq në një numër të madh të vendeve të cilat kishin arritur ose ishin shumë pranë çrrënjosjes.
OBSH do vazhdojë ta përforcojë rrjetin laboratorik global që të sigurojë diagnostikim në kohë të fruthit dhe ta ndjekë përhapjen ndërkombëtare të virusit të fruthit që të mundësojë qasje më të koordinuar në drejtimin e aktiviteteve për vaksinim dhe zvogëlim të vdekshmërisë nga kjo sëmundje që mund të parandalohet me ndihmën e vaksinës.
Nisma për fruthin dhe rubeolën
Me fillim në vitin 2001, Nisma për fruthin dhe rubeolën (M & R Initiative) paraqet një partneritet global të udhëhequr nga Organizata amerikane e Kryqit të kuq, Fondacioni i Kombeve të bashkuara, Qendrat për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC), UNICEF dheOBSH. Nisma М & Р i është e dedikuar qëllimit për të siguruar që asnjë fëmijë të mos vdesë nga fruthi ose që nuk do lindë me sindromë kongjenitale të rubeolës. OBSH i ndihmon vendet të planifikojnë, të sigurojnë fonde dhe të masin angazhimin për eliminimin e fruthit për të mirën e njerëzimit.
________________________________________
* Vlerësimet për vdekshmërinë për vitin 2020 mund të dallojnë nga raportet paraprake. Kur OBSH dhe UNICEF e përsëritën modelin i cili përdoret për të gjeneruar rastet e mundshme të vdekjes nga fruthi për çdo vit, me të dhënat e reja për Vlerësimin e mbulimit me imunizim në rrafsh nacional të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF (WUENIC), si dhe të dhënat e azhurnuara të fituara gjatë mbikëqyrjes, rezultatet e përshtatura për çdo vit, përfshirë këtu edhe vitin fillestar, janë gjithashtu të përgatitura dhe të azhurnuara.
Burimi: https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/measles