Ç’është melanoma?

Melanoma është kanceri më serioz dhe më malinj i lëkurës. Përmes limfës dhe gjakut përhapet shumë shpejt në pjesët e tjera të trupit e pastaj trajtimi i tij është shumë më i vështirë, ndërsa pasojat mund të jenë fatale. Mund të shfaqet edhe në pjesë të tjera të trupit.

Melanoma buron nga melanocitet, qelizat të cilat e krijojnë melaninën, pigmentin i cili i jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve. Në lëkurë melanocitet janë të vendosura mes qelizave bazale, në membranën bazale nga ku prodhojnë melaninën. Në të shumtën e rasteve melanomat kanë ngjyrë kafe ose të zezë, por ndonjëherë mund të jenë edhe me ngjyrë të njëjtë si lëkura, të kuqe, ngjyrë vjollcë, të kaltra ose të bardha.

melanom 1

Në të shumtën e rasteve melanomat krijohen nga nishanet ekzistuese dhe rrallë herë nga lëkura. Rreziku për shfaqjen e melanomës ekziston edhe tek të ashtuquajturit nishane të zakonshme të cilët preken shpesh, gjegjësisht janë në vende ku shpesh mund të fërkohen (rripa të sutjenave, butona, rrip, gjatë rruajtjes, etj.) Dallojmë katër nëntipa të melanomës: melanomë me përhapje sipërfaqësore, me përhapje nodulare,  lentigo malinje dhe lentiginoze akrale.

Melanoma mund të shfaqet në të gjitha pjesët e trupit, si tek pjesët që vazhdimisht janë të ekspozuara ndaj rrezeve të diellit, ashtu edhe te pjesët e mbrojtura nga rrobat. Te meshkujt melanoma në të shumtën e rasteve shfaqet në gjithë trupin, ndërsa tek femrat më shpesh shfaqet në kurriz dhe te këmbët. Nëntipi i malinjitetit mund të ndikojë në mënyrën se ku do zhvillohet melanoma; lentigo melanoma më shpesh shfaqet në fytyrë, ndërsa melanoma lengitinoze akrale më shpesh shfaqet tek pëllëmbët e duarve, shputat ose tek thonjtë.

melanom 2

Përhapja e melanomës

Numri i të sëmurëve nga melanoma po shënon një rritje të vazhdueshme dhe kohëve të fundit melanoma është një nga tumoret me përhapje më të madhe. Numri i të sëmurëve për çdo vit shënon një rritje prej 4-5%, që do të thotë se numri i të sëmurëve çdo 10-15 vjet dyfishohet.

Në Evropë në vit sëmurën 14 në 100 000 njerëz. Gjatë pesë viteve të fundit melanoma ka zënë vendin në listën e sëmundjeve malinje më të shpeshta. Në Evropë, femrat sëmuren nga melanoma më shumë se meshkujt, ndërsa në SHBA ky raport është i barabartë. Studime të shumta tregojnë se femrat e prekura nga melanoma kanë shkallë më të lartë mbijetese se meshkujt. Arsye për këtë mund të jetë fakti që femrat i kushtojnë një kujdes më të madh pamjes së tyre, i vënë re më herët ndryshimet e lëkurës e kështu më herët drejtohen tek mjeku. Nga kjo mund të përfundojmë se faktor qenësor për një rezultat pozitiv është zbulimi i hershëm i melanomës. Melanoma në të shumtën e rasteve  shfaqet rreth moshës 50 vjeçare, përveç melanomës lentigo malinje që kryesisht shfaqet rreth moshës 70 vjeçare, zakonisht në lëkurën e cila është ekspozuar për një kohë të gjatë ndaj diellit (duar, fytyrë). Gjatë viteve të fundit melanoma gjithnjë e më shumë po shfaqet tek popullata e re në moshë nga 25 deri më 44 vjet, e shumë rrallë edhe tek adoleshentët.

Melanoma kryesisht shfaqet tek popullata që i përket racës së bardhë, ndërsa tek popullata e racës së verdhë dhe të zezë është shumë e rrallë. Më së shumti është e përhapur në Australi dhe në vendet ku rrezatimi diellor është mjaft intensiv.

Të sëmurët nga melanoma , krahasuar me personat e tjerë, janë më të rrezikuar nga shfaqja e një melanome tjetër primare. Tek personat të cilët paraprakisht kanë vuajtur nga ndonjë tumor tjetër malinj të lëkurës ekziston mundësi më e madhe që të zhvillohet melanomë.

Në Republikën e Maqedonisë në vitin 2019 numri i  përgjithshëm i rasteve të reja me melanomë është 108, me një incidencë prej 5,2/100 000 banorë. Numri i meshkujve të prekur është 66, me incidencë prej 6,3/100 000 banorë, ndërsa tek femrat është 42, me një incidencë prej 4,1/100 000 banorë. Nga melanoma në vitin 2019 kanë vdekur 57 persona, ose 2.8  të vdekur 100.000 banorë, nga të cilët 30 janë meshkuj, ndërsa 27 janë femra. Shkalla e mortalitetit tek meshkujt është 2,8 në 100 000 meshkuj, ndërsa tek femrat 2.6 në 100 000 femra.

Rrezatimi i diellit 

Edhe pse ekzistojnë faktorë të shumtë të rrezikut, kanceri në lëkurë zakonisht shkaktohet nga rrezet UV të diellit. Ekspozimi i tepërt ndaj këtyre rrezeve është shkaktari më i shpeshtë i të gjitha formave të kancerit të lëkurës.

Dy lloje kryesore të rrezeve UV ndaj të cilave ekspozohemi depërtojnë në thellësi të ndryshme të lëkurës. Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit do fillojë të dëmtojë ADN-në dhe indin e lëkurës. Në rastet më të mira, këto rreze mund të shkaktojnë rrudhosje ose plakje të hershme të lëkurës. Në rastin më të keq, ato shkaktojnë dëmtim të përhershëm të lëkurës, që ka si rezultat paraqitjen e kancerit në lëkurë.

Ekspozimi i kufizuar ndaj rrezeve të diellit është i mirë për të gjithë ne. Rrezet e diellit stimulojnë prodhimin e vitaminës D3, që është mjaft e rëndësishme për një shëndet të mirë, rritje dhe zhvillim të drejtë dhe kocka të forta. Megjithatë, e gjitha që na mjafton është vetëm një dozë e vogël diell për çdo ditë.

Përderisa, nga njëra anë, dielli na bën të ndjehemi mirë, nga ana tjetër dëmet që dielli i shkakton në lëkurë dhe në trup, i tejkalon efektet pozitive afatshkurtra, siç është disponimi i mirë.

Dëmtimet e lëkurës të shkaktuara nga dielli janë të përhershme. Nëse djegiet mund të shërohen, ndryshimet më të thella mbesin përgjithmonë. Çdo ekspozim i radhës dëmton edhe më shumë sistemin imunitar lokal të dëmtuar dhe materialin gjenetik të lëkurës.

Ekzistojnë tre lloje kryesore të rrezeve UV të diellit. Rrezet më të rrezikshme UV-C absorbohen tërësisht nga ana e mbështjellësit të ozonit. Dy llojet e tjerë, UV-A dhe UV-B, kanë efekte të ndryshme tek trupi i njeriut.

Indeksi UV

Indeksi UV është njësi matëse shkencore e ndërkombëtare për nivelin e rrezatimit UV nga dielli. Përdoret për të përshkruar fuqinë e diellit në një vend dhe kohë të caktuar. Indeksi shtrihet nga 1-11. Sa më i lartë të jetë Indeksi UV, aq më i lartë është rreziku nga dëmtimi i lëkurës.

melanomalb2

Burimi: World Health Organisation

Kush është i rrezikuar?

Faktorë rreziku për shfaqjen e melanomës:

  • ekspozimi i tepërt (i pakontrolluar) ndaj rrezeve të diellit, gjegjësisht ndaj rrezeve ultraviolet (profesion ose hobi)
  • pigmentimi i lëkurës (personat me lëkurë më të bardhë)
  • personat në moshë mbi 50 vjet
  • personat që kanë më shumë se 50 nishane
  • persona me familjarë të prekur nga melanoma
  • persona që kanë qenë të sëmurë nga melanoma
  • djegiet e lëkurës nga rrezet e diellit
  • rrezatimi intensiv për një kohë shumë të shkurtër (gjatë pushimeve verore), ose gjatë fundjavës
  • frekuentimi i solariumit
  • trajtimi me rrezatim
  • imuniteti i dobësuar nga kimioterapia, pas transplantimit të organeve, ose nga HIV/SIDA.

 

Si ta dallojmë rrezikun dhe për cilat shenja duhet pasur kujdes?

Rreziku nga paraqitja e kancerit të lëkurës shpesh herë lidhet me gjenet tona. Të gjithë individët të cilët dinë për raste të personave të prekur nga kanceri i lëkurës brenda familjes së tyre dhe kanë tip të lëkurës e cila mban në vete një rrezik më të madh për zhvillimin e kësaj sëmundjeje, duhet të marrin masa për parandalim dhe një herë në vit të vizitojnë dermatologun. Melanoma, shpesh, nuk mund të vihet re në shikim të parë sepse është e vështirë të bëhet dallimi nga nishanet e zakonshme ose tumoret e tjerë beninje.

Për diagnostikimin e hershëm të melanomës përdoret rregulli А-B-C-D-E. Ndryshimi është i dyshimtë nëse është asimetrik (А),  nuk ka kufij të qartë (B), ka ndryshuar ngjyrë (C), dhe nëse diametri është më i madh se 6 mm. (D). Evolucioni (Е), siç është ndryshimi i ngjyrës, madhësisë, formës, sipërfaqes, përshkallëzimit dhe simptomave si kruarja ose gjakosja janë shenjat kryesore për malinjitet. Gjithashtu, shfaqja e ndryshimeve të reja në lëkurë të pastër e të shëndetshme tek personat më të vjetër se 40 vjet konsiderohen si ndryshime të dyshimta dhe në ato raste duhet të vizitohet dermatologu.

melanom alb 1

 

 

Parandaloje kancerin e lëkurës

Kanceri i lëkurës mund të parandalohet, sepse kanceri i lëkurës mund të shihet me sy, mund të zbulohet që në fazë të hershme, ndërsa faktori kryesor i rrezikut, ekspozimi ndaj rrezeve UV mund të zvogëlohet duke e ndryshuar sjelljen tonë kur jemi të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit.

Mbajtja e veshjeve për mbrojtje, shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit në intervalin kohor nga ora 11 deri në orën 15 gjatë periudhës së verës (kur rrezet UV arrijnë maksimumin), qëndrimi nën hije dhe aplikimi i rregullt i kremërave me faktor mbrojtës janë masat kryesore që rekomandohen për mbrojtje nga efektet e rrezeve UV.

Personat me sy të kaltër, flokë të verdhë ose të kuq, me njolla në fytyrë dhe që kanë lëkurë që digjet shpejt nën rrezet e diellit, janë më të rrezikuar nga shfaqja e kancerit të lëkurës.

Mbrojtjes së fëmijëve ju duhet kushtuar një kujdes i veçantë sepse ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit gjatë fëmijërisë e rrit rrezikun nga kanceri i lëkurës në vitet e mëvonshme.

Parandalimi primar nënkupton ndalimin e shfaqjes së sëmundjes dhe kryesisht konsiston në kufizimin e ekspozimit ndaj rrezeve të diellit.

Ekzistojnë lloje të ndryshme të ekspozimit ndaj rrezeve të diellit:

  1. Ekspozim i rastësishëm – koha e kaluar në mjedis të hapur gjatë ditëve me diell për kryerjen e aktiviteteve ditore rutinore
  2. Ekspozim rekreativ – koha e kaluar në aktivitete rekreative dhe sportive në mjedis të hapur gjatë ditëve me diell
  3. Ekspozim gjatë kryerjes së detyrave të punës – koha e kaluar në punë në mjedis të hapur (bujqit, peshkatarët, rojtarët, postierët ose punonjësit që bëjnë mirëmbjajte, etj.)
  4. Espozim i qëllimshëm – koha e kaluar në diell për të marrë ngjyrë.

Parandalimi sekundar nënkupton zbulimin e kancerit të lëkurës në fazën e tij më të hershme, kur mjekimi i tij mund të ketë sukses. Ky përfshin vetëkontrolle të rregullta, njohje të faktorëve personal të rrezikut dhe kontrollet e rregullta të lëkurës tek dermatologu.

 

Mbroje lëkurën

Nuk mund të ndikohet tek faktorët gjenetik të rrezikut nga melanoma, siç është ngjyra e hapur e lëkurës, nishanet e shumta ose historia e rasteve me melanomë tek familjarët, megjithatë rreziku nga shfaqja e melanomës mund të zvogëlohet dukshëm duke ndjekur disa rregulla të thjeshta.

Ekspozimi ndaj diellit

Përfundimisht duhet të evitohet ekspozimi i papritur, intensiv dhe i drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit. Qëllimi kryesor është të parandalohen djegiet – skuqja e lëkurës pas ekspozimit në diell. Djegie më të rrezikshme janë ato që shkaktojnë flluska ose dhimbje së paku për 48 orë. Prandaj duhet evituar ekspozimi i gjatë dhe i drejpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit, sidomos në intervalin kohor nga ora 11 deri në orën 15.

Krema me faktor

Krema me faktor duhet të jetë me faktorin më të lartë – dhe të mundësojë mbrojtje të njëjtë si nga rrezet UV-A edhe nga ato UV – B. Veprimi i kremës me faktor fillon gjysmë ore pas aplikimit në lëkurë dhe zgjat nga 2-3 orë. Prandaj, krema me faktor duhet të aplikohet në lëkurë gjysmë ore para ekspozimit në diell dhe të riaplikohet në çdo dy orë.

Hija/temperatura

Edhe nën hije mund të vijë tek djegia e lëkurës nga rrezet e reflektuara të diellit, përveç se në rastet kur përdoren masa shtesë për mbrojtje nga dielli. Nuk duhet harruar se rrezet e diellit reflektohen në sipërfaqe të ndryshme, dëborë, ujë, rërë, beton dhe bar, si dhe mund të depërtojnë edhe nëpër re. Mjetet mbrojtëse duhet të përdoren edhe gjatë motit me vrenjtësira. Rrezet UV nuk na japin ndjesinë e ngrohtësisë, kështu që nëse fryn erë mund të gënjehemi e të mendojmë se mund të dalim pa nevojë të mbrohemi.

Veshjet

Veshjet mundësojnë mbrojtjen më të mirë nga rrezatimi intensiv i diellit. Bluzat me mëngë të gjata janë më të përshtatshme se ato me mëngë të shkurtra. Rrobat me ngjyra të mbyllura mundësojnë mbrojtje më të mirë se ata me ngjyra të hapura. Materiali i veshjeve duhet të jetë i dendur. Kapela me strehë të gjerë dhe syzet e diellit mundësojnë 99-100% mbrojtje nga rrezet UV-a dhe UV B. për fëmijët duhet të zgjidhen veshje që do I mbrojnë nga dielli. 

Kozmetika dhe barnat

Disa barna të caktuara e rrisin ndjeshmërinë ndaj dritës. Për këtë do ishte mirë të bisedohet me mjekun para ekspozimit në diell. Deodorantët, kozmetika dhe parfumet mund të shkaktojnë një reaksion të padëshiruar ndaj diellit ose pigmentim të përhershëm. Prandaj, përdorimi i tyre duhet të evitohet para ekspozimit ndaj diellit.

 

 

Adoleshentët

Është tashmë fakt që adoleshtentët janë nën presionin për të pasur një pamje të caktuar. Edhe pse në të shumtën e rasteve i dinë rreziqet që burojnë nga rrezatimi, shumë adoleshentë vizitojnë solariumet për të marrë ngjyrë dhe në këtë mënyrë ekspozohen ndaj rrezeve të dëmshme UV, që në këto raste mund të jenë edhe deri më 15 herë më intensive se sa rrezet UV të diellit.

Në vend të solariumit, ata si zëvendësim mund të përdorin kremë me ngjyrë për pigmentimin e lëkurës. Kështu mund ta fitojnë ngjyrën e dëshiruar pa patur nevojë të ekspozohen ndaj rrezeve UV.

Mundohuni që përdorimin e kremit me faktor mbrojtës ta bëni pjesë të rutinës së tyre ditore dhe vendosni atë në vend ku do mund ta gjejnë lehtë, ose vendosni një shishe në çantën e tyre.

Nuk është e lehtë ta detyrosh një adoleshent të mbajë kapelë ose të mbulohet gjatë kohës që qëndron jashtë. Strategjia më e mirë do ishte nëse ke mundësi t’i lejosh që t’i zgjedhë vetë  veshjet që do i mbajë. Syzet nuk paraqesin problem, por sigurohuni që të zgjedhë një palë me mbrojtje adekuate ndaj rrezeve UV.

 

Foshnjat dhe fëmijët

Rreziku nga zhvillimi i kancerit të lëkurës është vërtetuar edhe gjatë fëmijërisë dhe rinisë.

Një djegie nga dielli në fëmijëri e dyfishon mundësinë për zhvillim të melanomës më pas gjatë jetës.

 

Për foshnjat dhe fëmijët qasja më e mirë është që thjesht të mos lejohet që qëndrojnë në diell. Nëse një gjë e tillë nuk është e mundur, mundohuni që ato të qëndrojnë në diell vetëm në periudhën kur rrezet e diellit janë më të dobëta, herët në mëngjes, ose pasdite vonë.

 

Fëmijët dhe të rinjtë duhet të përdorin kremë me faktor rezistent ndaj ujit, me faktor mbrojtës së paku 30, që mundëson mbrojtje si nga rrezet UV-A, ashtu edhe nga rrezet UV-B. Nëse janë jashtë në diell, ato duhet të veshin bluza, kapele dhe syze cilësore me mbrojtje adekuate nga rrezet UV.

 

Është me rëndësi që fëmijët që në moshë të re të mësohen të sillen në mënyrë adekuate kur janë të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit.

 

Caktoje tipin e lëkurës

Tipin e lëkurës tënde e përcaktojnë karakteristika të ndryshme, siç është ngjyra e flokëve ose teni i lëkurës. Sipas kësaj dallojmë:

 

Tipi i lëkurës 1:

-Lëkurë me ngjyrë të hapur, në të shumtën e rasteve me njolla

-Flokë të verdhë ose të kuq

-Sy të kaltër ose të gjelbër

-Lëkura është shumë e ndjeshme ndaj diellit, gjithmonë digjet dhe nuk merr ngjyrë.

 

Tipi i lëkurës 2:

– Lëkurë me ngjyrë të hapur, por pak më e errët se ajo nën 1

-Flokë të verdhë deri në ngjyrë kafe

-Sy të kaltër

– Lëkura gjithashtu është shumë e ndjeshme ndaj diellit, merr ngjyrë shumë ngadalë dhe ka prirje të digjet.

 

Tipi i lëkurës 3:

-Ten pak më i errët

-Flokë ngjyrë kafe të hapur deri në kafe të mbyllur

-Ngjyra të ndryshme të syve

-Lëkura është më pak e ndjeshme ndaj diellit, merr ngjyrë lehtë dhe shpejt, dhe ngjyra qëndron për një kohë më të gjatë.

 

Tipi i lëkurës 4:

-Lëkurë me ngjyrë kafe të hapur

-Flokë me ngjyrë kafe të mbyllur ose flokë të zi

-Sy të errët

-Lëkura është e fortë, nxihet shpejt dhe thellësisht, ngjyra qëndron për një kohë të gjatë.

 

 

Vetëkontrolli i lëkurës

 

Bëni një vetëkontroll të shpejtë me ndihmën e pasqyrës:

 

Kontrolli duhet të përfshijë të gjithë trupin, nga para dhe nga pas, me një kujdes të veçantë pjesëve të cilat i ekspozohen rrezeve të diellit.

 

Kini kujdes, ndonjëherë simptomat e kancerit të lëkurës më mirë mund t’i ndjeni se sa t’i shihni ato me sy. Prandaj, kaloni me duar lëkurën e të gjithë trupit për të detektuar ndonjë ndryshim të mundshëm.

 samopregled na koza 1

Kontrolloni fytyrën, përfshirë këtu edhe hundën, buzët, gojën dhe veshët.

samopregled na koza 2

Kontrolloni lëkurën e kokës, përdorni krehër për të ndarë flokët në shtresa. Nëse nuk keni shumë flokë mos harroni t’i bëni kontroll të hollësishëm të gjithë lëkurës së kokës.

samopregled na koza 3

Kontrolloni pëllëmbët e duarve nga të dy anët, mes gishtave dhe thonjtë.

samopregled na koza 4

Kontrolloni qafën, pjesën e barkut dhe gjoksin (gratë duhet ta kontrollojnë me shumë kujdes pjesën nën gji).

samopregled na koza 5

Ngreni krahun dhe kontrolloni bërrylat, nënsqetullat dhe pjesën e sipërme të krahut.

samopregled na koza 6

Me ndihmën e një pasqyreje të vogël në një pasqyrë më të madhe kontrolloni pjesën e pasme të qafës, supet, kurrizin,  pjesën e pasme të vitheve.

samopregled na koza 7

Kontrollojini të pasmet dhe pjesën e pasme të shalëve. Përfundoni me kontrollimin e shputave.

 

Hapat e ardhshëm

Nëse vini re ndryshime në lëkurë, doemos duhet të vizitoni mjekun ose dermatologun sa më parë të jetë e mundur.

Kanceri i lëkurës mund të trajtohet, ndërsa diagnostikimi i hershëm rrit mundësitë për shërim të plotë.

Nëse shtyhet trajtimi, gjendja mund të përkeqësohet, ndërsa në disa raste mund të shkaktojë deformitete, komplikime, madje edhe vdekje.

Mos lejoni që kjo të zvogëlojë mundësinë që ju të keni një rezultat pozitiv.

 

Rregullat e arta:

Mos e injoroni, me shpresë se do kalojë.

Mos prisni të shihni se si do zhvillohet, apo që të kalojë vetë.

Mos supozoni se nuk është asgjë serioze.

Mos mendoni se nuk është prioritet.

Dhe mbi të gjitha, mos kini frikë ta vizitoni mjekun ose dermatologun tuaj.

 

 

Përgatiti: Njësia për promovim shëndetësor dhe ndjekje të sëmundjeve