Gjendja momentale në Republikën e Maqedonisë
Në periudhën nga 29.12.2018 – 04.01.2019 janë regjistruar 12 raste të dyshuara me fruth, nga të cilat 7 janë konfirmuar në laborator.
Për shkak të paraqitjes të një numri më të madh të të prekurve nga fruthi, të regjistruar për një afat kohor mjaft të shkurtër në territorin e qytetit të Shkupit, si dhe paraqitjes së rasteve të reja në më shumë komuna për të cilat nuk mund të vërtetohet lidhja epidemiologjike, QSHP Shkup më datë 02.01.2018 shpalli epidemi të fruthit në territorin e qytetit të Shkupit.
Nga rastet e konfirmuara gjatë javës së kaluar, 6 janë fëmijë në moshë nga 8 muaj deri në 4 vjet, dhe një person i rritur në moshë 32 vjet, ndërsa sipas statusit të vaksinal, asnjë nga personat e prekur nuk ka qenë i vaksinuar kundër fruthit.
Të gjithë janë shtruar në Klinikën e sëmundjeve infektive dhe gjendjeve afebrile në Shkup.
Nga ana e shërbimit epidemiologjik në QSHP Shkup po ndërmerren aktivitete dhe masa në terren për zbulimin e kontakteve, kontrollimin e statusit vaksinal dhe vaksinimin e personave në pajtim me Rregulloren dhe Kalendarin e imunizimit dhe në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundjet infektive pranë Ministrisë së shëndetësisë.
Nga 01.01.2018 deri më 04.01.2019 në Republikën e Maqedonisë janë regjistruar 69 raste me fruth. Numri më i madh (36) e rasteve të regjistruara janë banorë të territorit të QSHP Shkup, ndërsa 25 raste janë në territorin e NJR Dibër, 4 raste janë nga Kumanova, 2 janë nga Ohri, ndërsa nga 1 rast nga Tetova dhe Struga.
Mosha e të sëmurëve sillet nga 5 muaj deri në 59 vjet, 46,4% e të sëmurëve janë fëmijë në moshë deri më 4 vjet, ndërsa 37,7% janë në moshë mbi 30 vjet.
Numri më i madh i të sëmurëve (24) janë regjistruar në korrik kur edhe u regjistrua epidemi e fruthit në territorin e NJR Dibër. Raste sporadike janë regjistruar në shtator dhe tetor. Gjatë muajit dhjetor janë sëmurë 16 persona.
Në nivel javor, numri më i madh i të sëmurëve janë regjistruar në javën e 30 dhe 52 (n=8).
Nga numri i përgjithshëm i rasteve, 58 ose 84% janë vërtetuar në laborator. Nga rastet e vërtetuara në laborator, 86,2% janë të pavaksinuar ose për të cilët statusi i vaksinimit nuk është i njohur, ndërsa 8 persona janë vaksinuar me 2 doza të vaksinës.
Masat dhe aktivitetet e rekomanduara
Të zgjerohet zbatimi i masave dhe aktiviteteve paraprake të miratuara në të gjithë territorin e qytetit të Shkupit.
- Të bëhet vaksinim me vaksinën MRP në territorin e qytetit të Shkupit i të gjithë fëmijëve të pa vaksinuar në moshë nga 6 -14 muaj në pajtim me Rregulloren dhe Kalendarin e imunizimit.
- Të kontrollohet statusi vaksinal i të gjithë personave nga 15-45 vjet që kanë pasur kontakt me personat e sëmurë, dhe nëse nuk janë të vaksinuar ose nuk kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës MRP ose nuk e kanë kaluar sëmundjen, të ftohen në QSHP Shkup dhe menjëherë të vaksinohen.
- Në institucionet parashkollore në territorin e qytetit të Shkupit të mos pranohen fëmijë të cilët nuk janë vaksinuar me vaksinën MRP gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së fruthit, ndërsa ISHSSH të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj mase.
Të vazhdohet me zbatimin e masave dhe aktiviteteve në territorin e të gjithë vendit
- Të vazhdohet me mbikëqyrje epidemiologjike intensive në territorin e qytetit të Shkupit, dhe të të gjithë vendit;
- Ekipet e vaksinimit të të gjitha punkteve të vaksinimit në vend, në bashkëpunim me infermieret e patronazhit të kontrollojnë kartelat e vaksinimit për të gjetur fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MRP deri në moshën 14 vjeç, dhe të njëjtët t’i ftojnë menjëherë për vaksinim në pajtim me Rregulloren dhe Kalendarin e imunizimit;
- Shërbimet epidemiologjike pranë QSHP/NJR në bashkëpunim me ISHSSH të vazhdojnë me kontrollin intenziv të punkteve të vaksinimit për gjetjen e personave të pavaksinuar, ose personave të cilët nuk i kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës MRP e që janë në moshë nga 12 muaj deri në 14 vjet;
- Të mbahet evidencë e rregullt për numrin e personave të vaksinuar dhe të dorëzohet raport javor pranë NJR/QSHP.
Shkup, 04.01.2019
Sektori për parandalim dhe kontroll të sëmundjeve infektive
ISHPRM Shkup