Instituti i shëndetit publik i në punën e tij të deritanishme vazhdimisht paralajmëron për rrezikun potencial nga konsumimi i pijeve energjetike nga të rinjtë, të cilët praktikojnë të konsumojnë nga më shumë doza për një periudhë të shkurtër kohore, ose të konsumojnë pije të tilla të shoqëruara me alkool.

 Pijet energjetike përmbajnë sheqer, kofinë mbi 150 mg/l, zakonisht nga 250 deri më 300 mg/l, por që nuk duhet të përmbajnë më shumë se 320 mg/l. Gjithashtu përmbajnë vitamina të grupit B, dhe me këtë e stimulojnë metabolizmin e sheqernave dhe e rrisin gatishmërinë psikike dhe fizike. Kafeina e rrit përqendrimin, e mban zgjuar organizmin, por gjithashtu ka veprim stimulues edhe ndaj sistemit kardiovaskular dhe mund të ndikojë në përshpejtimin e punës së zemrës dhe në rast të konsumimit të dozave më të mëdha, të ndikojë edhe në rritjen e tensionit të gjakut. Përveç kafeinës, ato mund të përmbajnë edhe materie stimuluese si guarana, taurina, etj.

Deri më tani ne gjithmonë kemi këmbëngulur që në deklaracionin e pijeve energjetike të jenë të shënuara qartë këto paralajmërime:

  • Pija energjetike nuk duhet të përzihet me alkool dhe nuk duhet të konsumohet e shoqëruar me pije alkoolike
  • Në asnjë mënyrë nuk duhet të tejkalohen dy doza në ditë (500 ml)
  • Nuk duhet ta konsumojnë fëmijë dhe persona nën 18 vjeç
  • Të mos konsumohet nga persona të ndjeshëm ndaj kafeinës, gra shtatzëna dhe persona që vuajnë nga sëmundja e sheqerit (diabeti).

Për fat të keq këto paralajmërime edhe nëse shkruhen kjo gjë bëhet me shkronja aq të vogla që shpesh herë lexohen me shumë vështirësi nga konsumatorët.

Hulumtimet e bëra nga Agjencia Evropiane për siguri të ushqimit tregojnë se 30% e të rriturve, 68% e adoleshentëve dhe 18% e fëmijëve deri në moshën 10 vjeçare në BE konsumojnë pije energjetike. Këto të dhëna janë shqetësuese dhe kërkojnë veprime serioze sa i përket edukimit të të rinjve dhe kufizimit të shitjes së këtyre pijeve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim për shkak të konsumimit të madh të pijeve energjetike si rrezik potencial për shëndetin e të rinjve.

Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë gjithashtu mendon se pijet energjetike paraqesin rrezik për shëndetin e të rinjve të cilët shpesh i konsumojnë ato në sasi të mëdha.