Koha e kaluar në mjedis të hapur është një mënyrë e mirë për të qenë aktiv fizikisht, për të ulur nivelin e stresit dhe për të marrë vitaminën D.

Por, gjatë ekspozimit në diell, mos harroni ta mbroni veten dhe të evitoni rrezikun nga paraqitja e kancerit të lëkurës dhe sëmundjeve të tjera që mund të shkaktohen nga rrezatimi ultraviolet.

Pasojat shëndetësore nga rrezatimi UV i tepruar

Sipas një raporti të ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), rrezatimi ultraviolet nga dielli shkakton një ngarkesë globale të konsiderueshme me sëmundje, si disa lloje specifike të kancerit. Shumë sëmundje të shkaktuara nga rrezatimi ultraviolet mund të shmangen me ndihmën e një sërë masash të thjeshta parandaluese.

Raporti „Ngarkesa globale me sëmundje të shkaktuara nga rrezatimi ultraviolet”  vlerëson se në të gjithë botën ekspozimi i tepruar ndaj rrezatimit ultraviolet  (UV) çdo vit shkakton deri në 60.000 vdekje. Nga ato 60.000 vdekje, rreth 48.000 janë nga melanoma malinje dhe 12.000 nga kanceri i lëkurës.

Gjithsej, mbi 1.5 milion DALY (“vitet e jetës të pështatura sipas invaliditetit”) – masa për humbjen funksionimit të plotë si pasojë e sëmundjes dhe vdekjes – humben për çdo vit për shkak të ekspozimit të tepruar ndaj rrezatimit UV. Pasoja më e rëndë e rrezatimit të tepruar ndaj rrezeve UV është melanoma malinje, e cila mund të shërohet vetëm nëse zbulohet herët. Vlerësohet se deri në 90% e ngarkesës globale nga melanoma dhe kancerët e tjerë të lëkurës ndodhin për shkak të ekspozimit ndaj rrezatimit UV.

Raporti i ri i OBSH-së është rishikimi i parë sistematik i ngarkesës globale të sëmundjeve që paraqiten si pasojë e rrezatimit UV. Analizon nëntë rezultate shëndetësore të pafavorshme që janë si pasojë e ekspozimit të tepruar ndaj rrezatimit UV. Tre të parët, që shkaktojnë ngarkesën më të madhe me sëmundje si pasojë e rrezatimit UV, janë melanomat malinje të lëkurës dhe kanceret non melanocitare të lëkurës që zhvillohen në shtresa të ndryshme qelizore të lëkurës (karcinoma e qelizave skuamoze dhe karcinoma e qelizave bazale). Përveç kancereve, rrezatimi UV shkakton djegie të lëkurës, plakje të lëkurës, katarakt kortikal (turbullim të thjerrëzës së syrit), pterygium (formacion në sipërfaqen e syrit), riaktivizim të herpesit në buzë dhe karcinoma skuamoze të rralla të syrit.

“Ky vlerësim global i rreziqeve shëndetësore si pasojë e rrezatimit UV siguron një bazë të mirë për veprim publik. Të gjithë kemi nevojë për pak diell, por nëse e teprojmë, dielli mund të jetë i rrezikshëm – madje edhe vdekjeprurës. Për fat të mirë, sëmundjet që shfaqen si pasojë e  rrezatimit ultraviolet, si melanoma malinje, kanceret e tjera të lëkurës dhe kataraktat mund të parandalohen pothuajse plotësisht me ndihmën e disa masave të thjeshta për mbrojtje”, tha Dr. Maria Neira, Drejtore për shëndetin publik dhe mjedisin pranë OBSH-së.

Në raport thuhet se rrezatimi UV ka efekte të dobishme, kryesisht në sintezën e vitaminës D pas ekspozimit të lëkurës ndaj rrezeve UV-v (gjatësi valore më të shkurtër) përberëse të spektrit UV. Sasitë adekuate të vitaminës D parandalojnë zhvillimin e sëmundjeve të kockave të tilla si rakitizmi, osteomalacia dhe osteoporoza. Përveç kësaj, po hulumtohen edhe disa efekte potenciale të dobishme ndaj disa llojeve të kancerit dhe çrregullimeve të imunitetit.

OBSH thekson se në të shumtën e rasteve ekspozimi minimal aksidental ndaj rrezatimit UV duhet të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur nivelet e vitaminës D brenda një kufiri që mundëson shmangien e këtyre problemeve shëndetësore. Rreziqet janë shumë më të mëdha nëse ekspozimi në diell është i tepruar.

OBSH-së rekomandon disa masa të thjeshta për mbrojtjen nga dielli që mund të parandalojnë shumë nga kanceret e ndryshme dhe shkaktarë të tjerë të vdekjes dhe sëmundjes si rezultat i rrezatimit UV:

  • Kufizoni kohën e ekspozimit ndaj diellit të pasdites
  • Qëndroni në hije në periudhën kur rrezet UV janë më intensive;
  • Mbani veshje mbrojtëse, kapele dhe syze me faktor mbrojtës ndaj rrezeve UV;
  • Përdorni krem me spektër të gjerë të faktorëve mbrojtës nga dielli 30+;
  • Mos vizitoni solariumet pa u këshilluar më parë me dermatovenerologun; për personat nën 18 vjet OBSH këshillon që të mos i përdorin aspak;
  • Kontrolloni indeksin UV: nëse indeksi UV parashikon nivel 3 të rrezatimit (mesatar) ose më të lartë, atëherë duhet të ndërmerrni masa për mbrojtje nga dielli;
  • Mbroni fëmijët nga dielli.

Për publikimin e këtij Raporti,OBSH dhe Organizata Botërore e Turizmit pranë Kombeve të Bashkuara (UNWTO) i bashkojnë forcat për të intensifikuar përpjekjet globale për të informuar publikun dhe për të përforcuar masat për parandalimin e sëmundjeve të evitueshme. Përmes UNWTO, OBSH do të shpërndajë informacione, përfshirë këtu edhe materialin për shprehi të shëndetshme gjatë ekspozimit ndaj diellit, te të gjitha ministritë kombëtare përgjegjëse për turizmin.

slika 2al

 

slika1al