OBSH/Evropë i ndihmon vendet në Rajonin Evropian të OBSH-së për të zhvilluar programe kombëtare për kontrollin e kancerit. Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtimin e Kancerit (IARC) është një organ i OBSH-së që është i specializuar në këtë fushë. Koordinon dhe kryen hulumtime për shkaqet dhe zhvillon strategji shkencore për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes.

Kanceri shkakton 20% të vdekjeve në rajonin evropian. Me më shumë se 3 milion raste të reja dhe 1.7 milionë vdekje çdo vit, kanceri është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve dhe sëmundshmërisë në Evropë pas sëmundjeve kardiovaskulare. Në të shumtën e rasteve kanceri mund të shmanget dhe zbulimi i hershëm rrit ndjeshëm shanset për shërim. Dihet se zbulimi i hershëm i sëmundjes mund të parandalojë të paktën një të tretën e të gjithë kancereve. Ky grup përfshin disa nga llojet më të zakonshme, duke përfshirë kancerin e gjirit, kancerin kolorektal dhe kancerin e qafës së mitrës. Këto kancere mund të kurohen nëse zbulohen në një fazë të hershme.

Në rrafsh global, më shumë se 70% e të gjitha vdekjeve nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilat kanë pak ose aspak burime për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit. Pavarësisht nga niveli i burimeve, të gjitha vendet mund të zbatojnë katër komponentët bazë të kontrollit të kancerit, si:

  1. Parandalimi,
  2. Zbulimi i hershëm,
  3. Diagnoza dhe trajtimi dhe
  4. Kujdesi paliativ

 

  1. PARANDALIMI I RREZIQVE PËR SHFAQJEN E KANCERIT TË ZORRËS SË TRASHË

Ekzistojnë  disa mënyra të sigurta për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të kancerit kolorektal. Këtu bën pjesë të ushqyerit e ekuilibruar i pasur me fibra, konsumimi i sasive të mëdha të frutave dhe perimeve të freskëta (të paktën 5 vakte në ditë) dhe drithërave. Konsumimi i mishit të kuq dhe mishit të përpunuar rekomandohet më së shumti një ose dy herë në javë. Rekomandimet i referohen edhe aktivitetit fizik të rregullt për 30 minuta të paktën 5 ditë në javë. Ky duhet të ndihmojë në përshpejtimin e punës së zemrës dhe kjo mund të arrihet duke bërë ecje të shpejtë dhe duke u ngjitur përpjetë. Pirja e duhanit është një nga shkaktarët kryesorë të KKR, ndërsa lënia e duhanit është treguar se zvogëlon rrezikun e kancerit të zorrës së trashë, si dhe llojeve të tjera të kancerit. Mirëmbajtja e peshës trupore është gjithashtu një faktor i rëndësishëm në parandalimin e kancerit kolorektal. Një dietë e ekuilibruar dhe aktiviteti fizik i rregullt kontribuojnë në ruajtjen e një peshe të shëndetshme të trupit.

 

  1. ZBULIMI I HERSHËM I KANCERIT KOLOREKTAL

Skriningu është metodë për zbulimin e sëmundjes para se të shfaqen simptomat. Skriningu do mundësojë zbulimin e kancerit para se ai të kalojë në formë invazive. Ai ka për qëllim të rrisë mundësinë për të mbijetuar, të zvogëlojë morbiditetin dhe të përmirësojë cilësinë e jetesës të personave të prekur nga kanceri. Ai ka për qëllim të zvogëlojë rrezikun, por ai nuk e diagnostikon sëmundjen. Edhe pse ekziston një spektër i gjerë i metodave të ndryshme të skriningut për kancerin kolorektal, sipas hulumtimeve që kanë pasur për qëllim të identifikojnë protokollin më efektiv për skrining të popullatës së përgjithshme simptomatike kryesisht rekomandohet testi për zbulimin e gjakut okult (të fshehur) ose i ashtuquajturi (FOBT).

 

Testi për gjakderdhjen okulte në feces është treguar si metodë adekuate për zbulimin e kancerit kolorektal, për shkak të aplikimit relativisht të thjeshtë dhe çmimit relativisht të ulët.

 

  1. DIAGNOSTIKIMI DHE TRAJTIMI

Diagnostikimi i hershëm është çelësi për trajtimin e suksesshëm të kancerit kolorektal. Skrining testet më të thjeshta për kancerin kolorektal përfshijnë kontrollin dixhital rektal dhe testin e gjakderdhjes okulte në feces (FOBT). Тestet me të cilat zbulohet kanceri ose gjendja parakanceroze dhe intervalet e skriningut:

  • Testi për zbulimin e gjakderdhjes okult (FOBT) -çdo vit
  • Kolonoskopia -çdo 10 vjet
  • Sigmoidoskopia fleksibile-çdo 5 vjet
  • Irigografia-çdo 5 vjet

 

Nëse rezultatet e kolonoskopisë virtuale, klizmës me kontrast të dyfishtë me barium, struktura pozitive FOBT, testit imunokimik dhe testit ADN dalin jonormale, atëherë duhet vazhduar me kolonoskopi.

  • Кolonoskopia

 

onoskopia është metodë bashkëkohore diagnostikimi me të cilën në mënyrë të drejtpërdrejtë nën kontrollin e syrit mund të kontrollohet e gjithë zorra. Kjo procedurë realizohet me ndihmën e kolposkopit, instrument fleksibil steril me trashësi sa një gisht, i cili falë fleksibilitetit të tij dhe fijeve optike mundëson një kontroll të sigurt dhe të saktë të tërë gjatësisë së zorrës së trashë. Kolonoskopia si metodë fillestare e skriningut është metodë më e kushtueshme dhe më invazive se testi FOB. Kolonoskopia luan një rol kryesor në çdo skrining të kancerit kolorektal duke përfaqësuar një standard të artë për vërtetimin e çdo rrezultati pozitiv të fituar me metodat e tjera për skrining të KKR.  Kolonoskopia është metodë sensitive e cila i zbulon edhe ndryshimet më të vogla, madje më të vogla edhe se 5 mm, kështu që të gjitha ndryshimet tumoroze mund të zbulohen në fazë shumë të hershme. Shumica e ndryshimeve mund të mënjanohen, kështu që krahas asaj diagnostike, ajo paraqet edhe metodë terapeutike. Me kolonoskopi zbulohen 90-95% e të gjitha ndryshimeve tumoroze të zorrës së trashë dhe të rektumit, por për shkak të kostos së lartë aplikohet për mbikëqyrjen e personave me rrezik mesatar dhe të lartë, si metodë diagnostikimi edhe tek personat me test FOB pozitiv.

  • Sigmoidoskopia fleksibile

 

Sigmoidoskopia fleksibile është kontroll i cili përdoret për të kontrolluar pjesën e poshtme të zorrës së trashë (kolonit). Sigmoidoskopia fleksibile nuk mundëson që të shihet zorra e trashë në tërësi. Me këtë metodë nuk mund të zbulohet kanceri ose polipet në pjesët më të thella të zorrës së trashë.

 

  • Irigografia

irigografia bëhet në të njëjtën mënyrë si tek shpërlarja e zorrëve. Tretja e bariumit është një  tretje e veçantë që shihet qartë në grafinë e rentgenit. Gjatë procedurës tretja e bariumit kalon nëpër zorrë dhe qartë shihet kalimi i lëngut nëpër zorrë. Kjo mundëson të shihen pengesat e ndryshme brenda zorrëve.

 

TRAJTIMI I KKR

 

Trajtimi i KKR varet nga faza e sëmundjes, madhësia e tumorit, mosha e pacientit, gjendja e tij e përgjithshme dhe nga faktorë të tjerë.

Opsionet e trajtimit të kancerit të zorrës së trashë janë:

  • trajtimi kirurgjikal,
  • radioterapia (rrezatimi),
  • kimioterapia,
  • terapia e targetuar (synuar).

 

Trajtimi kirurgjikal është opsioni kryesor dhe më i shpeshtë për trajtimin e kancerit të zorrës së trashë. Kirurgjia luan një rol të rëndësishëm në trajtimin e kancerit të zorrës së trashë.në këtë mënyrë mënjanohen edhe nyjet limfatike të të cilat janë të lidhura me atë pjesë të zorrës së trashë, e që i ndjekin enët e gjakut që e furnizojnë me gjak atë pjesë të zorrës. Nëse kanceri ka  prekur edhe indet dhe organet në afërsi, edhe ato mënjanohen në këtë proces kirurgjikal. Nëse kanceri është i përhapur lokalisht, ose ka metastazuar, atëherë zbatohet terapi i kombinuar (radioterapi, kimioterapi dhe terapi e targetuar – synuar).

 

Radioterapia është terapi lokale, e cila i shkatërron qelizat malinje vetëm në zonën e cila rrezatohet. Realizohet me makina speciale (akceleratorë linear), që prodhojnë rreze rentgeni me energji të lartë. Këto rreze, kur kalojnë nëpër trupin e pacientit nga jashtë, atëherë bëhet fjalë për radioterapi të jashtme.

Radioterapia e jashtme zbatohet vetëm gjatë trajtimit të kancerit të rektumit dhe nuk zbatohet tek kanceri i kolonit. Në të shumtën e rasteve kombinohet me modalitetet e tjera të trajtimit (ndërhyrja kirurgjikale, kimioterapia, terapia e targetuar).

Kimioterapia realizohet me barna të quajtura citostatikë. Ato veprojnë në atë mënyrë që e bllokojnë ndarjen e qelizave të gjakut duke e ndaluar kështu rritjen dhe invazionin e kancerit. Kimioterapia zbatohet tek kanceri i përhapur lokalisht dhe kanceri i metastazuar i zorrës së trashë. Zakonisht aplikohet në kombinim me trajtime të tjera.

Terapia e targetuar paraqet një terapi të re efikase për kancerin e avancuar dhe të metastazuar të zorrës së trashë. Zbatohet me barna të cilat në mënyrë selektive i sulmojnë vetëm qelizat malinje, e që nuk i dëmtojnë qelizat e tjera të organizmit. Këto barna zakonisht jepen në kombinim me citostatikët klasik, ndërsa më rrallë si monoterapi.

 

 

  1. KUJDESI PALIATIV

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ndryshuar vazhdimisht përkufizimin e kujdesit paliativ, duke thënë së fundi se: “Kujdesi paliativ është një qasje që përmirëson cilësinë e jetës së pacientëve dhe familjeve të tyre duke trajtuar problemet që lidhen me sëmundjet kërcënuese për jetën përmes parandalimit dhe zbutjes së vuajtjes, përmes zbulimit të hershëm dhe vlerësimit dhe trajtimit të pagabueshëm të dhimbjes dhe simptomave të tjera të sëmundjes: fizike, psikosociale dhe shpirtërore”.

Një sëmundje e pashërueshme si kanceri është një barrë që mbartin si pacientët ashtu edhe familjet e tyre. Familjarët janë përpara një vendimi të vështirë. A duhet që një i dashur t’i nënshtrohet trajtimit dhe kujdesit jashtë shtëpisë së tij? Shumë zgjedhin kujdesin paliativ për të dashurit e tyre, sepse ai përfshin kujdes të plotë për pacientin, sëmundja e të cilit nuk reagon ndaj trajtimit, në mënyrë që të lehtësojnë vuajtjet e atyre që vdesin. Kujdesi paliativ e sheh vdekjen si një proces normal dhe kujdeset që të sigurojë cilësinë më të mirë të jetës deri në momentin e vdekjes. Kjo lloj ndihme, të paktën deri diku, ekziston në rreth gjysmën e vendeve të botës.

VISHUNI ME BLU

Çfarë? Vishuni me blu! Bashkohuni me misionin tonë në mbarë botën për t’i dhënë fund kancerit kolorektal. Duke u veshur me blu, ju e ngrini vetëdijen për këtë sëmundje, e mbështetni punën tonë dhe i respektoni të gjithë të prekurit nga kjo sëmundje.

Kur? Dita me blu është e premtja, 4 mars. Marsi është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin kolorektal.

Pse? Në vitin 2022, rreth 3 milionë njerëz do të diagnostikohen me këtë sëmundje të parandalueshme. Ata do t’u bashkohen pacientëve tashmë të sëmurë dhe të mbijetuarve nga kanceri kolorektal që jetojnë sot.

Ne vishemi me blu për ata, për familjet dhe komunitetin e tyre!

 

Përgatiti: Njësia për promovimin e shëndetësisë dhe monitorimin e sëmundjeve