Kanceri i zorrës së trashë është një nga sëmundjet malinje më të shpeshta të kohës moderne, me rreth 1.8 milionë raste të reja në mbarë botën çdo vit, që përfaqëson afërsisht 10% të të gjithë tumoreve malinje. Sipas të dhënave të fundit për vitin 2021 në vendin tonë janë regjistruar 747 raste të reja me kancer të zorrës së trashë (kolon, rektum dhe sigmoid). Çdo vit në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga kjo sëmundje vdesin rreth 500 persona, ose 482 në vitin 2021, gjë që e bën këtë sëmundje shkakun e dytë kryesor të vdekjeve nga tumoret malinje si te meshkujt (303) ashtu edhe te femrat (179) dhe e bën atë një problem social- mjekësor. Kanceri i zorrës së trashë më së shumti prek të moshuarit, ata të moshës mbi 70 vjeç, por në dekadën e fundit vihet re një tendencë e qartë e rritjes së incidencës tek të rinjtë, nën moshën 40 vjeç. U tregua se këtu mosha mund të jetë një faktor prognostik, domethënë se mosha e pacientëve nën 40 vjeç ndikon në formën më agresive të sëmundjes dhe mbijetesës më të shkurtër.
Një problem i veçantë, në vendin tonë dhe në botë, është përqindja e madhe e pacientëve me sëmundje metastatike në momentin e diagnostikimit, kryesisht në mëlçi, që përfshin rreth 25% të pacientëve. Përderisa në fazat më të hershme të sëmundjes, mbijetesa pesëvjeçare është mbi 90%, në format fillestare metastatike është rreth 10-15%.
Kanceri kolorektal është ndër llojet më të shpeshta të kancerit tek njeriu bashkëkohor. Incidenca e tumoreve të zorrës së trashë në vendin tonë është e lartë dhe i afrohet shkallës së incidencës së kancerit kolorektal në Evropë dhe në botë. Kanceri i zorrës së trashë është i pari ose i dyti në listën e tumoreve malinje të traktit digjrstiv, varësisht nga mjedisi gjeografik.
Shkaqet e paraqitjs së kancerit kolorektal
Shkaku i saktë i kancerit kolorektal nuk dihet plotësisht. Për momentin ne e dimë se kjo ndodh si rezultat i ndikimit të faktorëve trashëgues dhe mjedisorë, të ushqyerit dhe stilit të jetesës.
Simptomat
Simptomat e një tumori malinj të zorrës së trashë varen kryesisht nga vendndodhja e tumorit dhe mund të manifestohen si:
- gjakderdhje në jashtëqitje,
- jashtëqitje e parregullt,
- jashtëqitje të lëngët,
- sindroma e jashtëqitjes së rrallë,
- konstipacion dhe diarre e alternuar,
- ndjenja e zbrazjes së pamjaftueshme, fryrje, mungesë gazrash dhe jashtëqitjeje.
Ndonjëherë simptoma e parë dhe e vetme mund të jetë shfaqja e dobësisë dhe lodhjes për shkak të anemisë, e cila është pasojë e gjakderdhjes afatgjatë të përditshme në jashtëqitje që nuk e ndryshon ngjyrën e jashtëqitjes. Një nga problemet e rëndësishme gjatë përcaktimit të diagnozës, pra zbulimit të hershëm të tumorit të zorrës së trashë, është prania e gjakut në jashtëqitje, e cila trajtohet si pasojë e gjakderdhjes hemorroidale dhe mund të çojë në një diagnozë të gabuar pa ekzaminim të mëtejshëm, pra kolonoskopi.
Diagnoza
Nga analizat laboratorike, anemia mund të jetë e vetmja mënyrë manifestimi, veçanërisht për tumoret e cekumit (apendisitit). Sedimentacioni shpesh është normal, ndërsa fosfataza alkaline e rritur tregon për metastaza të mundshme në mëlçi. Diagnoza e kancerit të zorrës së trashë shpesh përcaktohet me ndihmën e kolonoskopise kur shihet një ndryshim tumoral, e nga i cili merret një pjesë e indit (biopsi). Është e rëndësishme që me këtë procedurë të përcaktohet me saktësi vendndodhja e tumorit, si duket dhe çfarë lloj tumori është. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet nëse zorra ngushtohet apo mbyllet plotësisht dhe kjo është e rëndësishme për rrjedhën e mëtejshme të trajtimit, mbi të gjitha atë kirurgjikale. Tumoret ndonjëherë mund të shihen me një skaner ose MRI të barkut. Në rastet më të këqija, kur operacioni i zorrës së trashë ndodh për shkak të dhimbjes, gjakderdhjes ose bllokimit të mëlçisë, diagnoza vendoset gjatë vetë operacionit.
Si trajtohet kanceri i zorrës së trashë?
Vendimi për rrjedhën e mëtejshme të trajtimit merret nga një ekip mjekësh (në konsultim). Trajtimi zakonisht është kirurgjik, mundësisht me prerje me një hap. Terapia me rrezatim është gjithashtu një opsion dhe ndonjëherë rekomandohet para vetë operacionit. Anemia duhet të korrigjohet me transfuzion para operacionit. Operacionet urgjente për shkak të obstruksionit, kërkojnë dy deri në tre faza (dekompresim, reseksion, anastomozë). Kolostomia e dekompreson zorrën, lehtëson simptomat dhe mund të mbyllet më vonë. Kanceri rektal mund të kërkojë heqjen e plotë të rektumit me një kolostomi të përhershme.
Parandalimi
Duke qenë se nevojiten 10-15 vjet që polipet e zorrës së trashë të zhvillohen në kancer, zbulimi i hershëm përmes skriningut është tejet i rëndësishëm që polipet të hiqen përpara se të bëhen kanceroze. Për këtë në dispozicion janë disa teste, por një nga më të përdorurat në mbarë botën është testi FOB (testi për zbulimin e gjakderdhjes okulte në jashtëqitje). Sot skriningu rekomandohet duke filluar që nga mosha 45 vjeçare. Përveç ekzaminimit të hershëm dhe të vazhdueshëm, rreziku nga kanceri mund të zvogëlohet edhe me disa ndryshime në stilin e jetës.
Ushqimi duhet të jetë e pasur me fibra natyrale, dhe fibrat nuk duhet të kosumohen si suplement ushqimir. Rekomandohet që të konsumohen të paktën pesë racione me fruta (agrume, mollë, dardhë, kumbulla) dhe perime të freskëta në ditë. Brokoli dhe lakra duhet të konsumohen të paktën një herë në javë. Rekomandohet reduktimi i konsumit të mishit të kuq, jo më shumë se tre herë në javë dhe të shmanget konsumimi i produkteve të përpunuara të mishit. Rekomandohet të hahet shpesh peshk dhe shpezë si burim i proteinave shtazore.
Parandalimi primar përfshin rekomandimin për ruajtjen e masës trupore BMI (indeksi i masës trupore) gjatë gjithë jetës në intervalin prej 18-25. Rekomandohet aktivitet fizik i moderuar të paktën tre herë në javë.
Parandalimi sekundar i kancerit të zorrës së trashë është polipektomia. Polipektomia për tumoret beninje të zorrës së trashë redukton rrezikun e zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë me 76-90%.
Kontrolli i pacientëve të operuar nga kanceri kolorektal
Një pacient që është operuar për kancer të zorrës së trashë duhet të bëjë ekzaminime në varësi të stadit dhe llojit të kancerit. Përveç ekzaminimeve dhe analizave laboratorike, organet e barkut monitorohen me ekografi dhe nëse është e nevojshme, bëhet skaner ose rezonancë magnetike e barkut dhe legenit. Bëhen edhe kolonoskopi kontrolluese. Markerët tumoralë CEA dhe CA 19-9 janë të detyrueshëm, të cilët merren fillimisht kur përcaktohet diagnoza e ndryshimit të tumorit. Rritja e markerëve të tumorit pas trajtimit të suksesshëm mund të ngrejë dyshime për rikthimin e sëmundjes.
Si mund të ngrihet ndërgjegjësimi për kancerin e zorrës së trashë në vitin 2023?
Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit për Kancerin e Zorrës së Trashë është 1 Marsi. Vishni rroba blu dhe tregoni përkrahjen tuaj. Marsi është muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për kancerin e zorrës së trashë!
Përgatiti: Departamenti i Promovimit të Shëndetit dhe Monitorimit të Sëmundjeve