Më 6 shkurt të vitit 2023 në Zyrën e BE-së u mbajt një panel diskutim me ftesë të Klubit
të Mjekëve të Rinj, në të cilin morën pjesë ambasadori z. David Geer, Zonja e Parë znj. Elizabeta Gjorgievska, prof. d-r. Goran Dimitrov, kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë, si dhe doc. D-r. Shaban Memeti, drejtor i ISHP-së.
Në diskutim u theksua rëndësia e ekzaminimeve të rregullta dhe parandalimi i hershëm, si dhe qasja në kujdes shëndetësor, trajtim dhe barna cilësore.
Drejtori Memeti, si përfaqësues i Institutit, foli për rolin e ISHP-së në pjesën e statistikave shëndetësore dhe dha një shpjegim të shkurtër për Regjistrin dhe mënyrat e veprimit të ISHP-së, pjesën promovuese dhe promovimin, si dhe mënyrën e parandalimit të kancerit.
Prezenca e ISHP-së është e rëndësishme sepse ai menaxhon Regjistrin Kombëtar të Kancerit në RMV, i cili administrohet në formë elektronike, e në të cilin deri më tani, gjegjësisht deri më 31.12.2021 janë regjistruar mbi 165.000 persona. Mbi bazë të këtyre të dhënave, ISHP-ja përgatit një raport 10 vjeçar me të dhëna që mundësojnë informacion më të saktë për situatën.
Në shëndetësinë publike në Maqedoninë e Veriut vëmendje e madhe i kushtohet parandalimit primar dhe sekondar të sëmundjeve malinje.
Në këtë kuptim, para së gjithash po punohet në promovimin e shëndetit, përkatësisht të promovimit të një jete të shëndetshme të njerëzve që të parandalohen faktorët e rrezikut që ndikojnë në shfaqjen e tyre.
Masat dhe aktivitetet realizohen në sferën e edukimit shëndetësor, organizimit të fushatave, përgatitjes së materialit propagandues edukativ, realizimit të videove, bashkëpunimit me mjetet e informimit publik për ndërgjegjësimin e qytetarëve për një jetë të shëndetshme dhe nevojën për kontrolle të rregullta shëndetësore preventive.
Parandalimi sekondar ka të bëjë me zbatimin e skriningut në pajtim me Programin për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje në RMV, me të cilin ofrohen ekzaminime preventive falas për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, të qafës së mitrës, zorrës së trashë dhe prostatës.
Instituti i Shëndetit Publik dhe 10 Qendrat e Shëndetit Publik, përmes Programit Kombëtar Vjetor për Shëndetin Publik në RMV, me aktivitete të shumta dhe në bashkëpunim me sektorin joqeveritar, Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë dhe institucione të tjera në vazhdimësi e shënojnë: Javën Evropiane të Luftës Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës në janar, 4 shkurt – Ditën Botërore Kundër Kancerit, në mars – Muajin Kundër Kancerit të Zorrës së Trashë, në maj – Muajin Kundër Kancerit të Lëkurës dhe shumë data të tjera, të gjitha këto për të informuar dhe edukuar qytetarët për mënyrat e parandalimit të të gjitha llojeve të sëmundjeve malinje.
Lufta kundër këtyre sëmundjeve vazhdon edhe në periudhën në vijim, sepse kjo është mënyra e vetme për ta zvogëluar morbiditetin dhe mortalitetin nga këto sëmundje, pra për ta përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve në vendin tonë.
Burimi (Foto): Europe House Skopje