Nëntori është muaji në të cilin flasim jo vetëm për kancerin e prostatës, por edhe për kancerin e pankreasit dhe kancerin e mushkërive. Këto sëmundje kanë një incidencë më të shpeshtë te meshkujt, edhe pse prekin po në masë të madhe edhe femrat.

Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjeve nga sëmundjet malinje në botë, një gjendje shumë e vështirë dhe e rëndë, të cilën fatkeqësisht është shumë e vështirë për ta fituar. Është për të ardhur keq se kjo sëmundje më së shpeshti shfaqet si pasojë e pirjes së duhanit, rreth 50% e vdekjeve nga kanceri i mushkërive tek femrat janë si rezultat i pirjes së duhanit, ndërsa tek meshkujt rreth 70%, ndërkohë që duhanpirja është një zakon i dëmshëm pa të cilin bota do të ishte një vend shumë më i mirë për të jetuar. Sa i përket kancerit të pankreasit, pirja e duhanit kontribuon në rreth 20% të vdekshmërisë dhe për dallim nga personat e tjerë duhanpirësit janë për 80% më të rrezikuar nga zhvillimi i kancerit pankreatik.

Çfarë është kanceri i mushkërive?

Kanceri i mushkërive është prania e neoplazmave malinje që prekin mushkëritë. Ekzistojnë disa lloje të kancerit të mushkërive dhe sipas llojit të qelizave që përbëjnë neoplazinë malinje, ato ndahen në tumore të vogla dhe në tumore me qeliza të mëdha. Më të zakonshmet nga të gjitha janë ato të qelizave të mëdha dhe më të shpeshtat prej tyre janë adenokarcinomat. Neoplazitë me qeliza të vogla mund të shfaqen si të vetme ose të kombinuara me qeliza të mëdha malinje. Kjo neoplazi shkakton metastaza në numrin më të madh të rasteve dhe për shkak të vështirësive për zbulimin e hershëm të saj, kur zbulohet, ajo tashmë ka lëshuar metastaza.

Faktorët e rrezikut për paraqitjen e kancerit të mushkërive:

-Pirja e duhanit – Faktori kryesor dhe më serioz i rrezikut për shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Sa më shumë dhe sa më gjatë të pini duhan, aq më i madh është rreziku për t’u prekur nga kanceri i mushkërive.

-Pirja pasive e duhanit – Studime të shumta tregojnë për një rrezik më të lartë nga zhvillimi i kancerit të mushkërive tek njerëzit e ekspozuar ndaj tymit sekondar të duhanit, pothuajse me të njëjtën ashpërsi si tek vetë duhanpirësit.

-Historia familjare – Historia familjare pozitive e kancerit të mushkërive në një familje rrit rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje tek këta persona.

-Ekspozimi ndaj substancave të dëmshme – Substancat si radoni, azbesti, kromi, nikeli dhe kancerogjenë të tjerë, kontribuojnë në zhvillimin e kancerit të mushkërive.

Ekspozimi ndaj rrezatimit – Rrezet e dëmshme janë gjithashtu një ndër faktorët kryesorë të rrezikut nga kjo sëmundje

 

 

Simptoma të kancerit të mushkërive :

-Dhimbje në gjoks

-Vështirësi në frymëmarrje

-Alivanosje, debulesë, plogështi

-Kollë e ashpër dhe e shpeshtë

-Pështyrje e gjakut gjatë kollitjes

 

Si të parandalohet kanceri i mushkërive?

– duke shmangur dhe duke e lënë duhanin

-duke e shmangur ekspozimin ndaj pirjes pasive të duhanit

-duke iu shmangur ekspozimit ndaj substancave të dëmshme, gazrave dhe rrezatimit

-duke bërë kontrolle të rregullta pas moshës 40 vjepare, sidomos për personat me histori familjare të kancerit të mushkërive

-duke konsumuar ushqime të shëndetshme, duke bërë aktivitete fizike dhe duke bërë një jetë të shëndetshme

 

Çfarë është kanceri i pankreasit?

Kanceri i pankreasit është një sëmundje malinje që sulmon qelizat e pankreasit. Më së shpeshti prek qelizat që mbështjellin rrugët e përfshira në transportin e enzimave tretëse jashtë pankreasit, pra lloji më i zakonshëm është adenokarcinoma duktale. Kjo sëmundje është shumë e rëndë dhe serioze dhe diagnostikimi është mjaft i vështirë sepse fillimi i simptomave zakonisht ndodh kur sëmundja është në një fazë të avancuar.

Faktorët e rrezikut për paraqitjen e kancerit të pankreasit

-Pirja e duhanit – Ashtu si me kancerin e mushkërive, pirja e duhanit ndikon edhe në zhvillimin e kancerit të pankreasit.

-Historia familjare me kancer të pankreasit

– Mosha – Të moshuarit janë më të rrezikuar nga zhvillimi i kancerit të pankreasit.

-Diabeti

-Pankreatiti kronik – Është një sëmundje inflamatore kronike që prek pankreasin

-Alkoolizmi

-Mbipesha

 

Simptoma të kancerit të pankreasit:

-Dhimbja abdominale

-Humbja e oreksit

-Zverdhja e lëkurës

-Ngjyra e errët e urinës

-Krruarja e lëkurës

-Lodhja

-Shfaqja e diabetit në një moshë më të madhe ose përkeqësim i gjendjes me diebtin ekzistues

-Jashtëqitjet me ngjyrë të hapur

 

 

Si të parandalohet kanceri i pankreasit?

-Shmangia dhe lënia e duhanit

-Mënyra e shëndetshme e jetës, ushqim i shëndetshëm, aktivitet i rregullt fizik

-Kontrolle të rregullta për personat me histori familjare të kancerit të pankreasit

 

Gjendja me këto sëmundje në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Në vitin 2020, gjithsej 956 persona kanë vdekur si pasojë e neoplazmave malinje të cilat prekin mushkëritë. Nga ato 956, 757 kanë qenë meshkuj, ndërsa 199  kanë qenë gra. Nga 956, 9 kanë qenë në moshë nga 35-44 vjet, 53 në moshë nga 45-54 vjet, 248 në moshë nga 55-64 vjet, 314 në moshë nga 65-74 vjet dhe 133 në moshë mbi 75 vjet.

rak 1 alb

Burimi: Enti shtetëror i statistikës, Shkup, 2021

Në vitin 2020 gjithsej 191 persona kanë vdekur nga kanceri i pankreasit. Prej tyre 104 kanë qenë meshkuj, ndërsa 87 kanë qenë gra. Nga 191 të vdekur 1 ka qenë në moshë nga 25-34 vjet, 7 në moshë nga 35-44 vjet, 11 në moshë nga 45-54 vjet, 41 në moshë nga 55-64 vjet, 75 në moshë nga 65-74 vjet dhe 56 në moshë prej 75 vjet.

rak 2 alb

Burimi: Enti shtetëror i statistikës, Shkup, 2021