Epidemia e shkaktuar nga virusi Ebola në Afrikën perëndimore është i pazakontë në shumë mënyra, përfshirë këtu edhe numrin e madh të mjekëve, infermiereve dhe punonjësve të tjerë shëndetësor të infektuar.

Deri më sot, në Guine, Liberi, Nigeri dhe Sierra Leone nga kjo sëmundje janë prekur më shumë se 240 punonjës shëndetësor, ndërsa më shumë se 120 kanë vdekur.

Ebola mori jetën e disa mjekëve të spikatur në Sierra Leone dhe në Liberi duke i privuar kështu këto vende jo vetëm nga punonjës shëndetësor të dedikuar e me përvojë, por edhe nga hero kombëtar frymëzues. Për ta shpjeguar numrin e madh të punonjësve shëndetësor të infektuar na ndihmojnë disa faktorë. Këto faktorë përfshijnë mungesën e pajisjeve mbrojtëse personale ose përdorimin e parregullt të tyre, numrin tepër të vogël të punonjësve shëndetësor për tu përballur me një epidemi kaq të madhe, si dhe dhembshurinë dhe gatishmërinë e punonjësve shëndetësor për të punuar në repartet për izolim për më shumë orë nga që është e lejuar.

Në të kaluarën disa epidemi të Ebola-s janë zbuluar vetëm pasi është intensifikuar përhapja e infeksionit në institucionet për kujdes shëndetësor dhe pasi janë infektuar mjekët dhe infermieret. Megjithatë, pas identifikimit të virusit Ebola kanë filluar të zbatohen edhe masa mbrojtëse përkatëse, kështu që numri i rasteve të infektimit të punonjësve shëndetësor ka rënë dukshëm.

Përveç kësaj shumë nga epidemitë e Ebola-s paraqiten në vende të largëta, në një pjesë të Afrikës për të cilën kjo sëmundje tashmë është e njohur dhe me zinxhirë të përhapjes që kanë mundur të mbikëqyren dhe të ndërpriten.

Epidemia aktuale është ndryshe. Janë prekur qytetet kryesore, si dhe zona të largëta rurale, gjë që e rrit mundësinë për ekzistimin e rasteve të padiagnostikuara që mund të jenë në kontakt me punonjësit nëpër spitale. As mjekët, e as popullata nuk e  kanë të njohur këtë sëmundje. Në fshatra e qytete mbisundon një frikë e madhe.

Disa sëmundje endemike infektive në rajon, si për shembull malaria, tifo, dhe ethet Lasa i imitojnë simptomat fillestare të sëmundjes virusale Ebola. Pacientët e infektuar nga këto sëmundje shpesh herë kanë nevojë për ndihmë mjekësore urgjente.

Mjekët dhe infermieret mund të mos i shohin simptomat si ato të Ebola-s dhe të mos shohin nevojë për përdorimin e pajisjeve për mbrojtje personale.

Disa nga infeksionet kanë ndodhur në raste kur mjekët pa pajisje mbrojtëse i kanë ofruar ndihmë mjekësore pacientëve në gjendje mjaft të rëndë. Ky është një instinkt dhe mjekët dhe infermieret e ndihmojnë të sëmurin pa hezituar.

Në të shumtën e rasteve punonjësit mjekësor ekspozohen ndaj rrezikut sepse nuk janë të pajisur me pajisje mbrojtëse, madje as edhe doreza dhe maska për fytyrë. Edhe në repartet për Ebola, shpesh herë ka mungesë ose nuk përdoren pajisje mbrojtëse, ose të njëjtat nuk përdoren në mënyrën e duhur.

Trajnimi për përdorimin e duhur të pajisjeve mbrojtëse si edhe procedurat e rrepta për parandalimin dhe kontrollimin e infeksionit ka një rëndësi shumë të madhe.

Përveç kësaj mbajtja e pajisjeve mbrojtëse personale është e vështirë dhe shkakton një vapë të pakëndshme, sidomos në vendet tropikale, dhe kjo gjë në masë të madhe e kufizon kohën që mjekët dhe infermieret mund ta kalojnë në repartet për izolim. Disa mjekë punojnë dhe tejkalojnë edhe kufijtë e mundësive të tyre fizike për më shumë se 12 orë në ditë shtatë ditë në javë në tentativën e tyre për të shpëtuar jetë. Punonjësit e lodhur janë më të prirur për të bërë gabime.
pajisjet mbrojtëse të dërguara ose të miratuara nga OBSH i plotësojnë standardet ndërkombëtare përkatëse për siguri.

Numri i madh i punonjësve shëndetësor të prekur nga kjo epidemi ka një numër të madh pasojash që edhe më shumë i pengojnë tentativat për vënien nën kontroll të saj. Në këtë mënyrë varfërohet një nga masat më vitale për mbajtjen nën kontroll të epidemisë. OBSH vlerëson se në tre vendet më të prekura, për 100 000 njerëz ka vetëm 1-2 mjekë për përkujdesje, dhe këta mjekë ndodhen kryesisht në zonat urbane.

Kjo mund të rezultojë me mbylljen e institucioneve shëndetësore, sidomos në një kur punonjësit mjekësor refuzojnë të shkojnë në punë për shkak të frikës që kanë për jetën e tyre. Në rastet kur spitalet janë mbyllur nuk realizohen as edhe nevojat e tjera të zakonshme dhe ato urgjente mjekësore, si për shembull lindja ose trajtimi i malaries.

Fakti që një numër kaq i madh i punonjësve shëndetësor është prekur nga sëmundje rrit shqetësimin: nëse sëmuren edhe mjekët dhe infermieret, si do bëhet me popullatën e thjeshtë?

Në disa rajone spitalet konsiderohen si inkubatorë të infeksioneve dhe evitohen nga pacientët me çfarë do lloj sëmundjeje, gjë që përsëri e zvogëlon qasjen në kujdes shëndetësor të përgjithshëm.

Humbja e një numri kaq të madh të mjekëve dhe infermiereve e ka vështirësuar mbështetjen e OBSH për sigurimin e një numri të mjaftueshëm të punonjësve shëndetësor të huaj.

Unioni afrikan ka ngritur një nismë emergjente për rekrutimin e sa më shumë punonjësve shëndetësor.

Dokument i marrë nga OBSH:
Unprecedented number of medical staff infected with Ebola
http://www.who.int/mediacentre/news/ebola/25-august-2014/en/