Fundviti është një kohë për familjen, për festa dhe për ushqim, shumë ushqim. Festat dhe udhëtimet çrregullojnë rutinën e përditshme dhe kjo mund të zgjasë me javë të tëra. Megjithatë, shëndeti duhet të mbetet prioritet. Për të parandaluar problemet e mundshme shëndetësore, duhet të jemi më të kujdesshëm gjatë konsumimit të ushqimit gjatë festave të fundvitit, duhet të zgjedhim dhe ofrojmë ushqime të tilla, me të cilat sa më shumë që të jetë e mundur t’u përmbahemi ushqimeve të shëndetshme që do i zgjidhnim edhe zakonisht.

Në këtë periudhë të qenurit selektiv sa i përket ushqimit nuk është një mangësi. Mos hani gjithçka në festa dhe darka. Mos i anashkaloni vaktet që të mund të hani më shumë gjatë një feste apo darke. Kjo do t’jua bëjë më të vështirë të kontrolloni sheqerit në gjak, do të keni shumë uri dhe ka shumë gjasa që gjatë darkës ta teproni me të ngrënit. Ndani 30-45 minuta kohë për të ecur. Gjatë këtyre ditëve hani ushqime me vlera të ulëta kalorike gjatë vakteve. Hani përafërsisht në kohën e zakonshme të vaktit për të mbajtur sheqerin në gjak në një nivel të qëndrueshëm.

Nëse dreka ose darka shërbehet më vonë se zakonisht, hani ndonjë gjë të vogël në orën kur zakonisht konsumoni vaktin tuaj që të hani më pak kur të shërbehet ushqimi në eventin që po merrni pjesë. Evitoni konsumimin e ushqimeve të skuqura, përgatitni ose zgjidhni të hani ushqime të gatuara ose të pjekura.

Shmangni pirjen e alkoolit, sidomos nëse jeni duke marrë ilaçe pasi alkooli shpesh ndërvepron me ilaçet. Por, nëse gjithsesi konsumoni alkool, sasia duhet të jetë e moderuar dhe mos pini kur e keni stomakun bosh. Alkooli rrit oreksin dhe zvogëlon aftësinë tuaj për të pasur kujdes se çfarë hani.

Nëse në menu ka ëmbëlsira, reduktoni konsumimin e karbohidrateve të tjera (si patatet dhe buka) gjatë vaktit tuaj. Shmangni pijet e gazuara me sheqer, mos u mashtroni se ato do t’ju ndihmojnë të tretni sasinë e madhe të ushqimit që tashmë e keni ngrënë. Hani ngadalë. Duhen të paktën 20 minuta që truri juaj të kuptojë se jeni ngopur.

Çrregullimi i gjumit mund ta bëjë më të vështirë trajtimin e sheqerit në gjak dhe mungesa e gjumit do të rrisë dëshirën tuaj për të ngrënë ushqime të pasura me yndyrna dhe sheqerna. Për të evituar konsumimin joracional të ushqimit, mundohuni të flini pak në periudhën nga ora 6 dhe 8 në mbrëmje.

Përqendrohuni më shumë tek argëtimi dhe më pak tek ushqimi.

Dhe meqë ende jetojmë në një pandemi dhe prania e një varianti shumë të transmetueshëm, si Omicron, nuk na ndihmon, do ishte mirë të zgjidhnim një mënyrë festimi me të cilën mund të shijojmë ushqimin, e në të njëjtën kohë të mos rrezikojmë shëndetin tonë dhe të njerëzve tanë të dashur.

Departamenti i ushqimit dhe kontrolleve shëndetësore dhe higjienike pranë Institutit të Shëndetit Publik ju uron festa të shëndetshme dhe plot gëzime.