Instituti i shëndetit publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë për një kohë të gjatë është një pjesëmarrës aktiv dhe aktor kyç në luftën kundër ndryshimeve klimatike. I motivuar nga nevoja urgjente për të ndërmarrë veprime, dhe mbi bazë të provave shkencore, gjithmonë vepron në favor të shëndetit publik. Si anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Instituteve Kombëtare të Shëndetit Publik (IANPHI), ISHP i RMV-së monitoron nga afër situatën me ndryshimet klimatike në nivel kombëtar dhe vepron në mënyrë aktive për përshtatjen dhe zbutjen e efekteve të tyre tek popullata, para së gjithash atyre shëndetësore. Instituti merr pjesë në përshtatjen dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike për ta mbrojtur shëndetin e popullatës.

IANPHI është një rrjet i 110 Instituteve Kombëtare të Shëndetit Publik (IKSHP) në 95 vende që bashkërisht i ndërtojnë kapacitetet dhe aftësitë e shëndetit publik duke i lidhur, zhvilluar dhe forcuar IKSHP-të në mbarë botën. IANPHI mbështet zhvillimin e kapaciteteve globale të instituteve kombëtare për të qenë avokatë dhe aktorë kryesorë për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Ndikimet negative të ndryshimeve klimatike paraqesin një kërcënim serioz për shëndetin fizik dhe mendor të njerëzve në mbarë botën, dhe gjithashtu përkeqësojnë pabarazitë ekzistuese demografike dhe socio-ekonomike. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mund të monitorojë dhe të propozojë intervenime adekuate për të reduktuar pabarazitë shëndetësore si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Gjendja në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Emetimet e gazrave serë në vitin 2016 janë për 34.6%  më të ulëta se emetimet e vitit 1990. Rënia vjen si pasojë e uljes së prodhimit të energjisë elektrike nga linjiti vendor, ndryshimit të karburantit (shfrytëzimi i gazit natyror), si dhe reduktimit të prodhimit industrial.

Pjesëmarrja e burimeve të rinovueshme të energjisë në konsumin bruto të energjisë finale shënon një rritje nga 23% në vitin 2020 në 49% në vitin 2050.

Investimet për energjinë e gjelbër krijojnë numrin më të madh të vendeve të punës në vitin 2035: 10.000 vende pune, që është për 2.7 herë më shumë se numri aktual i të punësuarve në termocentralet me qymyr në Maqedoninë e Veriut. Vendi ynë, sipas Marrëveshjes së Parisit, mori përsipër angazhimin të reduktojë emetimet e CO2 nga djegia e lëndëve djegëse fosile me 30%, ose 36% krahasuar me nivelin më të lartë të ambicies, deri në vitin 2030.