Ekzistojnë tre grupe kryesore të rreziqeve ndaj shëndetit të popullatës në zonat e përmbytura:
1. Lëndime fizike (prerje, thyerje)
2. Rreziqe nga mikroorganizma të rrezikshëm
3. Ekspozim ndaj kemikalieve të dëmshme (nga bujqësia, helmime gjatë përdorimit të pakujdesshëm të preparateve kimike, preparateve për pastrim, etj)
Nëse lëndimet, gjegjësisht prerjet janë të vogla dhe sipërfaqësore në fillim duhen larë me ujë të sigurt, e pastaj të trajtohen në mënyrë adekuate me preparate antiseptike (Betadine) ose alkool 70%, e pastaj sipër plagës duhet vënë vatë sterile dhe e pastër dhe/ose hanzaplast.
Nëse plaga është më e thellë dhe ka gjakderdhje më të madhe mbi të bëhet presion, gjegjësit vihen kompresa me vata të pastra, lidhet me lecka të pastra ose me peshqir dhe menjëherë kërkohet ndihmë adekuate mjekësore për të parandaluar pasojat që mund të ndodhin si rrjedhojë e gjakderdhjes masive.
Sëmundjet infektive më të shpeshta të cilat paraqiten në zonat e përmbytura:
1. Scabies
(zgjebja)
Paraqet një sëmundje infektive parazitare me ndryshime karakteristike në lëkurë dhe me një krruarje të theksuar. Shkaktar i kësaj sëmundjeje tek njeriu është acarus scabiei var. hominis.
Përhapja e zgjebes bëhet përmes kontaktit intim trupor, gjatë kampimit, tek fëmijët që jetojnë në kushte të këqija higjienike, në mënyrë të tërthortë përmes rrobave, mbathjeve ose çarçafëve. Periudha e inkubacionit të zgjebes është 4-6 javë. Simptoma e parë dhe kryesore është krruarja intensive, sidomos e theksuar gjatë natës në krevatin e ngrohtë në pjesë të trupit si: mes gishtërinjve të duarve, nyjet e duarve, bërryl, nën sqetull, rreth gjinjve, kërthizë, në stomak, dhe tek të rriturit gjithmonë edhe në pjesën rreth organeve gjenitale.
Nuk ka rritim në fytyrë, qafë, pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve, që nuk është rast për fëmijët e vegjël dhe foshnjat. Shenja të rëndësishme diagnostikimi janë kanalet e skabiesit që nuk janë të rregullt ose që kanë formën e presjes, e që janë të gjatë disa milimetra. Në fund të kanalit insekti mund të shihet pothuajse me sy, si një pikë e zezë. Nëse vihen re këto simptoma personi/personat duhet të drejtohen për kontroll të menjëhershëm pranë institucionit shëndetësor më të afërt.
2. Hepatiti virusal А
(hepatiti epidemik, verdhëza infektive) është një sëmundje infektive virusale akute me një prognozim të mirë, me ndërlikime të rralla dhe me shkallë të ulët të vdekshmërisë.
Sëmundja përhapet përmes rrugëve fekale-orale. Bëhet fjalë për një sëmundje infektive që mund të paraqitet me raste sporadike ose në formë të epidemisë, sidomos gjatë kushteve të këqija higjieniko-sanitare, pas përmbytjeve ose fatkeqësive të tjera natyrore. Virusi i hepatitit A është një virus i cili bën pjesë në familjen Picornaviridae, i cili sipas vetive të tij morfologjike dhe biokimike është i ngjashëm me enteroviruset. Rezervuar i vetëm i hepatitit virusal A është njeriu, pa dallim nëse është i prekur nga pasqyrë klinike tipike apo jotipike, ose nga forma asimtomatike e sëmundjes. Virusin e gjejmë në jashtëqitje, gjak, vner, ndërsa më rrallë edhe në urinën personit të sëmurë. Personi i sëmurë është infektiv gjatë gjysmës së dytë të periudhës së inkubacionit, me paraqitjen e verdhëzës aftësia për infektim fillon të bjerë, gjegjësisht zgjat edhe disa ditë par paraqitjes së verdhëzës. Mënyra kryesore e përhapjes nga një person tek tjetri është përmes rrugëve fekale-orale (sëmundja e duarve të papastra), gjegjësisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë, që realizohet përmes duarve të kontaminuara me feçe në të cilat ka prani të virusit. Gjithashtu, infeksioni përhapet edhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me pajisjet për përdorim personal ose të përgjithshëm të cilët janë të kontaminuar me virusin.
Fëmijët janë ata që më së shumti preken nga ky lloj infeksioni dhe verdhëza infektive zakonisht shfaqet si sëmundje e butë dhe zgjat për një kohë të shkurtër. Shfaqja e viruseve varet nga gjendja sanitare e mjedisit, shprehitë higjienike dhe madhësia e grupit të personave të cilët janë në kontakt me personin e sëmurë (familja, personat e fëmijët në institucione parashkollore dhe shkollore etj.) Për dallim nga vendet me standard të ulët higjienik, hepatiti A në vendet e zhvilluara me kushte më të mira socio-ekonomike për jetesë, paraqitet tek grupmoshat më të mëdha.
Një rrugë e rëndësishme e përhapjes është përmes ujit, sidomos në mjedise me furnizim joadekuat të ujit (objekte individuale ose lokale për furnizim me ujë, ujësjellës të cilët nuk i nënshtrohen kontrollit të rregullt, sidomos pas përmbytjeve ose havarive më të mëdha). Në ato raste hepatiti A zakonisht paraqitet në formë të epidemive masovike me karakter eksploziv dhe i prek të gjitha grupmoshat. Ushqimi është mënyra më e rrallë e përhapjes, sidomos ushqimet të cilat nuk janë të përpunuara mirë ose aspak temikisht (psh. sallatat, sanduiçet, frutat e detit, etj.) ose ushqimet e përpunuara termikisht që kanë pësuar kontaminim sekondar nga ata që manipulojnë me ushqimin (prandaj ka shumë rëndësi që t’i nënshtrohen kontrollit shëndetësor pranë Institutit të shëndetit publik ose Qendrave të shëndetit publik në Republikën e Maqedonisë të gjithë personat që bëjnë pjesë në vargun e prodhimit dhe përpunimit të ushqimit). Inkubacioni, gjegjësisht koha që kalon nga momenti i depërtimit të virusit në organizëm deri tek manifestimi i simptomave të para të sëmundjes zgjat nga 15-50 ditë (zakonisht rreth 30 ditë).
Simptoma të sëmundjes janë: temperatura e lartë e trupit, debulesa, humbja e oreksit, nauze dhe të vjella, dhe në disa raste edhe diarreja. Mund të paraqitet edhe dhimbje nën brinjë nga ana e djathtë e trupit, ndërsa pas disa ditësh nga manifestimi i simptomave të para vihet re edhe urinë me ngjyrë të errët (me ngjyrë të birrës), jashtëqitje me ngjyrë të hapur dhe zverdhje e lëkurës dhe të bardhave të syrit. Zakonisht simptomat zhduken për 1-2 javë, por shërimi i plotë zgjat një kohë më të gjatë (4-6 javë). Sëmundja mund të ketë një rrjedhë të ndryshme klinike, nga forma simptomatike (mjaft e rëndësishme sa i përket përhapjes së infeksionit), tek ajo e lehtë e deri në formë të rëndë klinike, që mund të zgjasë edhe deri në disa muaj, por që është mjaft e rrallë. Simptomat e sëmundjes varen nga gjendja e të sëmurit, por edhe nga mosha e tij. Në fëmijëri, sidomos në vitet e para të jetës, sëmundja ka formë të lehtë, dhe shpesh kalon pa u vënë re. Megjithatë, infeksioni tek të rriturit mund të marrë një formë më të rëndë. Sëmundja në të shumtën e rasteve kalon spontanisht, dhe nuk kalon në formë kronike.
3. Enterokoliti
Enterokoliti është një sëmundje inflamatore e mukozës së zorrës së hollë dhe të trashë, si reagim ndaj infeksionit ose stimulansëve kimik. Simptoma karakteristike të enterokolitit janë çrregullimet digjestive bashkë me shenja intoksikimi, si rezultat i diarresë dhe dehidrimit. Enterokoliti mund të shkaktohet nga baktere, parazitë, toksine, etj. në praktikën mjekësore, enterokoliti akut shfaqet me një dhimbje të papritur dhe intensive abdominale, sidomos në pjesën e poshtme të stomakut, fryerje e stomakut, jashtëqitje të shpeshta, diarre, ndërsa në disa raste në jashtëqitje mund të ketë edhe gjak.
Përveç këtyre simptomave, enterokoliti karakterizohet edhe me simptoma shoqërues si ethe, letargji, dhimbje në nyje, debulesë e përgjithshme.
Masa për parandalim
Mënyra themelore për parandalimin e këtyre sëmundjeve infektive është e njëjtë si edhe tek sëmundjet e tjera infektive – mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të përgjithshme. Edukimet e vazhdueshme të popullatës për ruajtjen dhe aplikimin e praktikave të mira higjienike janë mënyra më e mirë për parandalim. Larja adekuate e duarve me sapun dhe me ujë të sigurt pas çdo përdorimi të tualetit, para dhe pas përgatitjes së ushqimit, si dhe para konsumimit të çfarë do produkti ushqimor, mjafton për të parandaluar përhapjen e këtyre infeksioneve. Gjithashtu, është me shumë rëndësi që të përdoret ujë higjienikisht i rregullt për pije dhe të kihet kujdes për dispozimin higjienik të mbeturinave.
Masa për ndalimin e epidemisë
Raportim i detyrueshëm për të gjithë personat e sëmurë. Të zbatohet dezinfektim i vazhdueshëm (gjatë të gjithë periudhës së aftësisë për infektim), si dhe dezinfektim final i materieve të tajuara nga personi i sëmurë dhe gjësendeve të cilat kanë qenë në kontakt me personin e sëmurë. Mjafton të bëhet izolimi shtëpiak i personave të sëmurë, trajtimi spitalor zbatohet vetëm në rastet kur nuk ka kushte për kujdes shtëpiak, ose në rastet e një pasqyre të rëndë klinike. Zbatimi i një hetimi epidemiologjik për vërtetimin e mënyrës së përhapjes së infeksionit, determinimi i burimit/burimeve të infeksionit dhe eliminimi i tyre.