Pushimet dimërore tradicionalisht janë një kohë njerëz të të gjitha moshave mblidhen bashkë, në rrethin e familjes, në festa fetare apo takime me miqtë. Ato gjithashtu janë një periudhë kur shumë njerëz planifikojnë udhëtime, në vendet e tyre apo jashtë vendit.

Për fat të keq, pandemia vazhdon të jetë në mesin tonë dhe të gjithë ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm.

Ky është dimri i dytë i kësaj pandemie dhe ne duhet të mësojmë të jetojmë me Kovid-19, ndërsa gjatë udhëtimeve dhe qëndrimit në ambiente të mbyllura krijohet një rrezik real nga rritja e konsiderueshme e transmetimit të virusit.

Këtë vit situata është edhe më shqetësuese sepse në rajonin evropian të OBSH-së po dominon lloji shumë infektiv Delta, e ndërkohë po na kanoset  rreziku nga një lloj i ri shqetësues, Omikron – për të cilin ende nuk ka shumë të dhëna.

Zvogëlimi i rreziqeve nga Kovid-19 nuk është rastësi, është zgjedhje. Duke ndjekur 5 këshilla kryesore, të gjithë mund të shijojmë një dimër më të sigurt dhe më të këndshëm.

1. Vaksinohuni sa më parë të jetë e mundur.

Vaksinimi me të gjitha dozat e disponueshme të vaksinave është gjëja më e rëndësishme që njerëzit mund të bëjnë për t’u mbrojtur nga format e rënda të sëmundjes dhe vdekja nga Kovid-19. Kjo është sidomos me rëndësi për grupet e rrezikuara si personat mbi 60 vjeç dhe për njerëzit me komorbiditete.

Një studim i fundit i zbatuar nga OBSH/Evropë dhe Qendra Evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve (ECDC) vlerëson se që nga fillimi i vaksinimit kundër Kovid-19 në 33 vende në Evropë dhe Azi Qendrore janë shpëtuar rreth gjysmë milioni jetë të personave mbi 60 vjeç.

Shumica e njerëzve që kanë nevojë për kujdes spitalor si pasojë e Kovid-19 janë të pavaksinuar. Vaksinat aktuale ofrojnë mbrojtje kundër formave të rënda të sëmundjes dhe vdekjes nga llojet e reja të Kovid-19, duke përfshirë edhe llojin Delta. Vaksinat aktuale gjithashtu duhet të mbrojnë edhe kundër llojit të ri Omikron.

2. Ndërmerrni masa preventive personale për të qenë të sigurt dhe për t’i mbajtur shoqëritë hapur

Kombinimi i vaksinimit me masat e tjera preventive këtë dimër na ndihmon të jetojmë jetën duke e mbajtur nën kontroll virusin dhe duke shmangur karantinimet. Këto masa preventive të thjeshta, por të provuara përfshijnë:

  • mbajtjen e maskës
  • ruajtjen e distancës fizike të paktën 1 metër
  • ventilimin e ambienteve të mbyllura
  • shmangien e ambienteve të mbyllura ose të mbushura me njerëz
  • mirëmbajtjen e higjienës së duarve
  • kollitjen ose teshtitjen në bërryl të lakuar ose shami.

3. Bëjini grupimet sa më të sigurta.

Grupimet në ambiente të mbyllura, madje edhe ato më të vogla, mundësojnë përhapjen e virusit. Nëse është e mundur, tubimet dhe festimet duhet mbajtur jashtë, ndërsa pjesëmarrësit duhet të mbajnë maska ​​dhe të ruajnë distancën fizike. Nëse mbahen në ambiente të mbyllura, kufizimi i numrit të pjesëmarrësve dhe sigurimi i një ventilimi të mirë duke hapur një derë ose dritare janë çelësi për reduktimin e rrezikut nga infektimi.

4. Shmangni udhëtimet nëse jeni të rrezikuar nga infektimi.

Njerëzit që nuk ndihen mirë, të cilët nuk janë vaksinuar plotësisht ose që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe që janë më të rrezikuar nga zhvillimi i komplikimeve të rënda nga Kovid-19, përfshirë këtu edhe personat mbi 60 vjet dhe ata me një gjendje shëndetësore kronike (si sëmundjet e zemrës, kanceri dhe diabeti), këshillohen që të anulojnë udhëtimet në zonat me transmetim të lartë të virusit.

Të gjithë udhëtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për shenjat dhe simptomat e Kovid-19, të vaksinohen kur t’u vijë radha dhe t’u përmbahen masave preventive në çdo kohë, pavarësisht nga statusi i vaksinimit.

  1. Informohuni nga burime të sigurta.

Dezinformatat e vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e njerëzve, minojnë besimin në shkencë dhe pengojnë marrjen e vendimeve të duhura për shëndetin tonë. Kërkoni burime të besueshme informacioni që ofrojnë këshilla duke u bazuar në provat më të fundit shkencore.