Për ta parandaluar shfaqjen e toksoinfeksioneve alimentare ose intoksikimeve alimentare, të njohura ndryshe si helmime nga ushqimi, është e nevojshme që krahas masave kolektive për parandalim, secili nga ne të ndërmarrë masa individuale për ta mbrojtur si shëndetin tonë, ashtu edhe atë të familjes tonë.

 

Secili nga ne mund ta parandalojë shumimin e mikroorganizmave në ushqim duke ndjekur rekomandimet e Pesë çelësave për një ushqim më të sigurt:

  1. Mirëmbani higjienën;
  2. Veçoni ushqimin e pagatuar nga ushqimi i gatuar;
  3. Gatuani (përpunoni termikisht) ushqimin mjaftueshëm;
  4. Ruani ushqimin në temperaturën e duhur, dhe
  5. Përdorni ujë të sigurt dhe produkte të freskëta.

 

 

MIRËMBANI HIGJIENËN

  • Para se të filloni përpunimin ose gatimin e ushqimit lani mirë duart dhe lani vazhdimisht gjatë gjithë kohës që gatuani.
  • Lani dhe pastroni të gjitha sipërfaqet dhe pajisjet të cilat i përdorni për ta përgatitur ushqimin
  • Kujdesuni që ushqimi dhe sipërfaqet në kuzhinë të mos preken nga insektet, keqbërësit dhe kafshë të tjera

 

Gjatë përgatitjes të ushqimit është e domosdoshme që atë ta lani mirë, kështu mikroorganizmat nuk do kenë mundësi të rriten dhe zhvillohen. Kushtoni kujdes pastërtisë të mjeteve për të ngrënë, për të pirë ose për gatim, sidomos të atyre me të cilat është prekur mish i pagatuar ose qe kanë pasur kontakt me gojën. Mos harroni që të njëjtat t’i lani dhe t’i thani mirë, sepse në sipërfaqe të lagëta mikroorganizmat rriten shumë më shpejtë.

 

 

VEÇONI USHQIMIN E PAGATUAR NGA USHQIMI I GATUAR

  • Mishin e freskët, mishin e shpezëve dhe frutat e detit veçoni nga ushqimet e tjera, e sidomos nga ushqimet e gatuara
  • Përdorni pajisje dhe mjete të veçanta për punë, si për shembull thika ose dërraska të veçanta për prerje gjatë përgatitjes së ushqimit të pagatuar
  • Që të evitoni kontaktin mes ushqimit të gatuar dhe atij të pagatuar ushqimet gjithmonë ruani në frigorifer
  • Pas blerjes, mishin e freskët, mishin e shpezëve dhe frutat e detit ruani veçmas nga ushqimet e tjera.
  • Në frigorifer, mishin e pagatuar, mishin e shpezëve dhe frutat e detit ruani nën ushqimin e gatuar e të gatshëm për konsumim, ose vendoseni në atë mënyrë që të evitohet kontaminimi i kryqëzuar.
  • Ruani ushqimin në enë adekuate të mbyllura, e në këtë mënyrë do evitoni kontaktin mes ushqimit të gatuar dhe atij të pagatuar.

 

 

GATUANI (ZINI) MIRË USHQIMIN

 

  • Zini mirë ushqimin, sidomos mishin, mishin e shpezëve, vezët dhe frutat e detit, gjegjësisht përpunoni mirë termikisht që të shkatërrohen mikroorganizmat e gjallë
  • Gjatë përpunimit termik të mishit sigurohuni që ai të jetë zier mirë, gjegjësisht të ketë arritur një temperaturë prej 70 °C
  • Gjatë përgatitjes së supave ose gjellëve të tjera, sigurohuni që të kenë zier mirë dhe që temperatura ka arrirë së paku 70 °C
  • Kur e ringrohni ushqimin e gatuar, ngroheni mirë atë.

 

 

USHQIMIN RUANI NË TEMPERATURËN E DUHUR

  • Ushqimin e gatuar mos e lini në temperaturë të dhomës për më gjatë se një orë
  • Ushqimin e gatuar vendoseni në frigorifer menjëherë pas përfundimit të ngrënies (mundësisht në temperaturë më të ulët se 50 °C
  • Para konsumimit të ushqimit të gatuar të ruajtur në frigorifer, ushqimin e gatuar ngroheni në temperaturë më të lartë se 70 °C
  • Ushqimin mos e ruani për kohë shumë të gjatë, madje as në frigorifer.
  • Ushqimin e ngrirë mos e shkrini në temperaturë të dhomës, por këtë bëjeni në frigorifer
  • Mbetjet e ushqimeve nuk duhen ruajtur në frigorifer më shumë se 3 ditë, dhe nuk duhen ringrohur më shumë se një herë.

 

PËRDORNI UJË TË SIGURT

Uji i sigurt përdoret për:

– të gatuar ushqimin ose si ujë për pije

– larjen e frutave dhe perimeve

-përgatitjen e pijeve

-bërjen e akullit

-gatimin e sigurt dhe mirëmbajtjen e higjienës të mjeteve për ngrënie

– larjen e duarve

 

Gjatë blerjes ose përdorimit të ushqimeve:

-zgjidhni ushqim të freskët dhe të shëndetshëm

-evitoni ushqimet e dëmtuara ose të prishura

 

 

SI TË ZGJIDHNI USHQIM TË SIGURT

Zgjidhni ushqime të prodhuara në mënyrë të sigurt e që shitet nëpër objekte që i plotësojnë kushtet për ruajtjen higjienike të ushqimit. Si për shembull:

  • qumësht të pasterizuar që në dyqane ruhet në aparate për ftohje ose qumësht të sterilizuar
  • prodhime të qumështit të cilët në dyqane për shitje me pakicë janë të vendosura në aparate për ftohje. Kini kujdes për afatin e përdorimit!
  • mish dhe prodhime të mishit që në dyqanet për shitje me pakicë ruhen në aparate për ftohje ose frigoriferë. Pas blerjes këto prodhime duhen vendosur në frigorifer sa më parë dhe para se të konsumohen të përpunohen termikisht (të zihen, piqen, skuqen)
  • vezë, pa lëvore të dëmtuar, që kanë afat përdorimi, që janë ruajtur në frigorifer dhe të përpunohen mirë termikisht. Evitoni ushqimet që përmbajnë vezë të freskëta ose vezë të papërpunuara mirë termikisht
  • Zgjidhni ushqim të gatuar ose pjesërisht të gatuar i cili është ruajtur në ambient pa kontaminim kimik. • Perimet dhe frutat para konsumimit lani mirë me ujë të sigurt

 

 

Frutat dhe perimet e freskëta konsiderohen si burime mjaft të rëndësishme të mikroorganizmave patogjene dhe ndotësve kimik. Prandaj, është me shumë rëndësi që frutat dhe perimet të lahen me ujë të pastër dhe të sigurt para se të konsumohen. Duhet të hiqen pjesët e dëmtuara të tyre sepse bakteret mund të depërtojnë pikërisht nëpër ato pjesë.

  • Përdorni ujë të sigurt nga ujësjellësi ose dezinfektojeni atë që të bëhet më i sigurt.
  • Mos përdorni ushqime me afat të skaduar
  • Mos përdorni ushqim që ka ndryshuar ngjyrë, aromë, shije dhe pamje.
  • Mos i përdorni kanoçet dhe konservat e dëmtuara, të fryra dhe të oksiduara, sepse bakteret mund të zhvillohen edhe në konserva të cilat nuk janë konservuar siç duhet.
  • Kur bleni ushqime të ngrira kini kujdes që ato të jenë të ngrira mirë, gjegjësisht të mos ketë filluar procesi i shkrirjes. Kjo sidomos vlen për akulloret të cilat shiten në paketimin e tyre origjinal, që duhet të ruhen në temperaturë nën 18 °C
  • Evitoni konsumimin e ëmbëlsirave sepse paraqesin mjedis të volitshëm për rritjen dhe zhvillimin e mikroorganizmave të ndryshme