Veprimtaria epidemiologjike në Republikën e Maqedonisë së Veriut zbatohet mbi bazë të Ligjit për Shëndetin Publik, Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore, Ligjit për Mbrojtje të Popullatës nga Sëmundjet Ngjitëse, akteve nënligjore në fuqi në këtë lëmi, si dhe mbi bazë Programeve vjetore të cilat i miraton Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në pajtim me këto rregullativa ligjore, me rekomandimet e politikës globale “Shëndet për të gjithë” dhe politikën “21 qëllime për shekullin 21” dhe vlerësimin e mëtejshëm të Programit Kombëtar për shëndetin publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në periudhën e ardhshme nevojitet një zvogëlim i rëndësishëm i efekteve negative të disa sëmundjeve të caktuara ngjitëse ndaj shëndetit të popullatës dhe sigurim i një kontrolli, eliminimi dhe çrrënjosje e këtyre sëmundjeve.
Sa i përket angazhimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian, në periudhën në vazhdim veprimtaria epidemiologjike do vazhdojë me aktivitetet e veta për përshtatjen me rregullativën ligjore të Komunitetit Evropian.
Qëllime prioritare nga fusha e epidemiologjisë janë:
- Ruajtja e rezultateve të arrira me çrrënjosjen e paralizës së fëmijëve;
- Eliminimi i fruthit dhe rubeolës autoktone dhe parandalimi i infeksionit kongjenital të rubeolës (IKR);
- Zbatimi i një monitorimi të përforcuar dhe të vazhdueshëm të imunizimit të detyrueshëm të të gjitha vajzave në moshë nga 12 vjet kundër infeksionit HPV;
- Kontrollimi i sëmundjeve të tjera kundër të cilave zbatohet imunizimi i detyrueshëm;
- Zvogëlimi i morbiditetit të lartë nga enterokolitet tek fëmijët e vegjël, nga hepatiti A virusal, salmonelozat dhe sëmundjet e tjera ngjitëse të zorrëve;
- Zvogëlimi i morbiditetit nga hepatitet e tjerë virusal B dhe C, për shkak të parandalimin e kancerit hepatocelular;
- Reduktimi i rrezikut nga depërtimi dhe përhapja e malaries dhe sëmundjeve të tjera që përcillen përmes vektorëve (Ethet e Nilit perëndimor, Ethet Denga);
- Zvogëlimi i rrezikut nga depërtimi dhe përhapja e kolerës dhe sëmundjeve të tjera tropikale të cilat trajtohen në karantinë;
- Zvogëlimi i incidencës nga bruceloza dhe zoonozat e tjera, parandalimi i shfaqjes epidemike të tyre;
- Parandalimi i vatrave të infeksioneve në natyrë;
- Parandalimi i HIV/SIDA-s dhe sëmundjeve të tjera të cilat përcillen përmes aktit seksual;
- Parandalimi dhe çrrënjosja e infeksioneve intrahospitale;
- Ndjekja dhe mbikëqyrja e gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, si dhe e sëmundjeve të tjera respiratore akute;
- Parandalimi dhe çrrënjosja e sëmundjeve ngjitëse me rëndësi më të madhe epidemiologjike dhe sociale: paraqitja e rasteve të reja me sëmundje ngjitëse, rishfaqje e disa sëmundjeve ngjitëse dhe paraqitja e epidemive të sëmundjeve ngjitëse.