- 24.10.2023
20 Tetori – Dita Botërore e Osteoporozës “Ndërto kocka më të mira”
Në mbarë botën një në tre gra dhe një në pesë burra të moshës 50 e më shumë vjet përjetojnë frakturë osteoporotike.
Osteoporoza bën që kockat të bëhen të dobëta dhe të brishta, kështu që ato thyhen lehtësisht – madje edhe pas një rënieje të vogël, përplasjes, teshtitjes ose ndonjë lëvizjeje të papritur. Ajo shpesh quhet edhe “sëmundje e heshtur” sepse i ashtuquajturi “dobësim i kockave” nuk mund të ndihet. Frakturat e shkaktuara nga osteoporoza mund të jenë të rrezikshme për jetën dhe një shkak kryesor i dhimbjes dhe invaliditetit afatgjatë. Këtë vit Dita Botërore e Osteoporozës shënohet nën moton “Ndërto kocka më të mira”.
Vlerësohet se në vitin 2019 në BE rreth 25.5 milionë gra dhe 6.5 milionë meshkuj kanë pasur osteoporozë, si dhe 4.3 milionë njerëz të tjerë kanë qenë me fraktura të dyshimta për osteoporozë. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut numri i grave që vuajnë nga osteoporoza është rreth 120.000. Këto shifra flasin për rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit në kohë.
A mund të parandalohet osteoporoza dhe frakturat? Po, nëse veprohet herët! Mendohet se ndërtimi i kockave të forta dhe të shëndetshme gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës mund ta parandalojë osteoporozën më vonë në jetë.
Në të shumtën e rasteve osteoporoza nuk ka shenja apo simptoma derisa të thyhet kocka. Megjithatë, ekziston një shenjë e cila tregon se ju mund të keni osteoporozë siç është zvogëlimi i gjatësisë së trupit. Zvogëlimi i gjatësisë së trupit për më shumë se 4 cm mund të jetë shenjë e frakturave të shtyllës kurrizore, sidomos nëse shoqërohet me dhimbje dhe lakim të kurrizit.
Cilët faktorë rreziku kontribuojnë në zhvillimin e osteoporozës?
- Menopauza e hershme – mendohet se estrogjeni ka një efekt mbrojtës ndaj kockave. Pas menopauzës trupi prodhon sasi të vogla të estrogjenit dhe atëherë fillon të bjerë edhe densiteti i kockave.
- Pesha e ulët trupore– gratë me BMI më të vogël se 19 kg/m2 janë më të rrezikuara nga zhvillimi i osteoporozës, për shkak të sasive më të ulëta të estrogjenenit, ngjashëm me gratë në menopauzë.
- Përdorimi i medikamenteve – përdorimi afatgjatë i kortikosteroideve mund të shkaktojë humbje të shpejtë të densitetit kockor.
- Disa sëmundje të caktuara – artriti reumatoid, diabeti dhe sëmundja e Crohn-it janë sëmundjet më të shpeshta që lidhen me një rrezik më të lartë nga osteoporoza.
- Historia familjare e frakturave të kockave të komblikut.
Si diagnostikohet dhe si trajtohet osteoporoza?
Për ta diagnostikuar osteoporozën dhe për të vlerësuar rrezikun nga frakturat dhe për të përcaktuar nëse keni nevojë për trajtim, mjeku juaj do ju rekomandojë të bëni një osteodensitometri (një skanim për të matur densitetin e kockave).
Rekomandimet për trajtim shpesh bazohen në vlerësimin e rrezikut të frakturës së kockës gjatë 10 viteve të ardhshme nga informacionet e marra nga deksaskaneri (aparat për matjen e densitetit të kockave). Nëse rreziku juaj nuk është i lartë, trajtimi mund të mos përfshijë barna dhe mund të fokusohet në modifikimin e faktorëve të rrezikut, si dhe rekomandime për të evituar rëniet.
A jeni të rrezikuar nga osteoporoza? Përcaktoni nivelin e rrezikut duke e plotësuar këtë test: https://riskcheck.osteoporosis.foundation/en
6 hapa për kocka të shëndetshme dhe një të ardhme pa fraktura
- Ushtroni rregullisht – më të mira janë ushtrimet me mbajtjen e peshave, për forcimin e muskujve dhe për ekuilibrin. Rekomandohet edhe vrapimi, si dhe noti dhe çiklizmi. Ushtroni për 30-40 minuta, tre deri në katër herë në javë.
- Ushqimi – Kalciumi, vitamina D dhe proteinat janë më të rëndësishmet për shëndetin e kockave. Produktet e qumështit, sidomos djathi i fortë, janë burimi më i pasur i kalciumit. 30 g. djathë i fortë plotëson 25% të nevojave ditore të trupit për kalcium.
- Ekspozimi i sigurt në diell për të paktën 10 minuta në ditë, si dhe marrja e vitaminës D përmes suplementeve do t’ju ndihmojë të siguroni një sasi të mjaftueshme në trup.
- Mënyra e jetesës – mbani një peshë të shëndetshme trupore, shmangni duhanin dhe pirjen e tepërt.
- Historia e sëmundjeve – Tregojini mjekut tuaj nëse keni një histori të mëparshme të thyerjes së kockave, një histori familjare të osteoporozës ose nëse merrni barna të caktuara që ndikojnë në shëndetin e kockave.
- Testimi dhe trajtimi – nëse jeni në rrezik të lartë ka të ngjarë të keni nevojë për barna dhe ndryshime në stilin e jetës për ta mbrojtur veten nga frakturat.
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve