• 01.10.2025

DITA NDËRKOMBËTARE E PERSONAVE TË MOSHUAR


Personat e moshuar janë nxitës të veprimeve lokale dhe globale

- Aspiratat e tyre kanë rëndësi – Ata frymëzojnë dhe krijojnë brez pas brezi.

- Mirëqenia e tyre ka rëndësi – Plakja e shëndetshme është një e drejtë, jo një privilegj.

- Të drejtat e tyre duhet të respektohen – Barazia dhe dinjiteti në çdo moshë.

- Ata i forcojnë komunitetet – Të moshuarit janë mentorë, kujdestarë, udhëheqës.

- Ata e formësojnë të ardhmen – Përvoja e tyre e nxit progresin në nivel lokal dhe global

- Asgjë për ta pa ta – Të moshuarit duhet të marrin pjesë në vendimmarrje

 

Instituti i Shëndetit Publik çdo vit rrit ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj personave të moshuar. Në këtë Ditë Ndërkombëtare përkujtojmë se personat e moshuar duhet të kenë qasje të barabartë në të gjitha nivelet e shoqërisë, me një theks të veçantë tek kujdesi shëndetësor dhe plakja e shëndetshme.

 

Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar këtë vit festohet nën moton: Personat e moshuar janë nxitës të veprimit lokal dhe global: "Aspiratat tona, mirëqenia jonë, të drejtat tona", e thekson rolin transformues që e luajnë personat e moshuar në ndërtimin e shoqërive elastike dhe të barabarta.

 

Ata janë nxitës të progresit, e jo përfitues pasivë, që kontribuojnë me njohuritë dhe përvojën e tyre në fusha si barazia shëndetësore, mirëqenia financiare, rezistenca e komunitetit dhe përfaqësimi i të drejtave të njeriut.

 

Deklarata Politike dhe Plani Ndërkombëtar i Veprimit i Madridit për Plakjen (MIPAA), të miratuara në vitin 2002, mbeten gurëthemelet të politikës globale për plakjen, duke promovuar një shoqëri për të gjitha moshat përmes veprimeve për zhvillim, shëndet dhe mjedise mbështetëse. Tema e vitit 2025 i pasqyron drejtpërdrejt këto parime duke i njohur personat e moshuar si nxitës të progresit si në nivel lokal ashtu edhe në atë global.

 

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) periudhën 2021–2030 e shpalli si Dekadën e OKB-së për Plakjen e Shëndetshme dhe kërkoi nga OBSH-ja ta udhëheqë zbatimin e saj. Dekada e OKB-së për Plakjen e Shëndetshme është një bashkëpunim global që i bashkon qeveritë, shoqërinë civile, agjencitë ndërkombëtare, profesionistët, akademinë, median dhe sektorin privat për 10 vjet veprim të përbashkët, katalitik dhe bashkëpunues për të promovuar jetë më të gjata dhe më të shëndetshme.

 

Dekada e OKB-së për Plakjen e Shëndetshme (2021–2030) ka për qëllim t’i zvogëlojë pabarazitë shëndetësore dhe të përmirësojë jetën e të moshuarve, familjeve dhe komuniteteve të tyre përmes veprimit kolektiv në katër fusha: ndryshimi i mënyrës se si mendojmë, ndiejmë dhe veprojmë ndaj moshës dhe moshizmit; zhvillimi i komuniteteve në mënyra që nxisin aftësitë e të moshuarve; ofrimi i kujdesit të integruar të përqendruar te personi dhe shërbimeve të mbrojtjes shëndetësore primare që u përshtatet të moshuarve; dhe sigurimi i qasjes në kujdes afatgjatë cilësor për të moshuarit që kanë nevojë për të.

Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me zyrën e OBSH-së në Maqedoni merr pjesë dhe kontribuon nëpërmjet bashkëpunimit në promovimin e një shoqërie për të gjitha moshat nëpërmjet veprimeve për zhvillim, shëndet dhe mjedise mbështetëse, si dhe kryerjes së analizave të nevojave dhe parandalimit të sëmundjeve joinfektive tek personat e moshuar. Në Programin Kombëtar për Shëndetin Publik për vitin 2026, Instituti i Shëndetit Publik është gatshëm të iniciojë dhe propozojë politika pozitive drejt plakjes së shëndetshme.

 

Plakja e Popullsisë - Një Sfidë Globale dhe Rajonale

 

Plakja e popullsisë, pra rritja e shpejtë e numrit të personave të moshuar, është një fenomen global. Kombet po "plaken" sepse popullsia e personave të moshuar po rritet shumë më shpejt se popullsia e përgjithshme, kryesisht për shkak të zvogëlimit të shkallës së lindjeve dhe rritjes të jetëgjatësisë.

Në vendet në zhvillim ky ndryshim demografik po ndodh brenda vetëm dy deri në tre dekadave - i ngjeshur në harkun kohor të një brezi të vetëm. Deri në vitin 2050 parashihet se do të ketë dy miliardë njerëz të moshës mbi 60 vjet, me ç’rast 80% të tyre do të jetojnë në vendet në zhvillim.

Rajoni po përjeton gjithashtu një rritje të vazhdueshme të numrit dhe përqindjes së të moshuarve. Në vitin 2000 kishte rreth 26,8 milionë njerëz të moshës mbi 60 vjet (5,8% e popullsisë së përgjithshme). Deri në vitin 2025 parashikohet që kjo përqindje të arrijë në 8,7% dhe deri në vitin 2050, pothuajse 15% e popullsisë së përgjithshme do të jetë mbi 60 vjet.

Një strategji kyçe për lehtësimin e përfshirjes së të moshuarve është ta bëjmë botën tonë më miqësore ndaj personave të moshuar. Një botë miqësore ndaj të moshuarve u lejon njerëzve të të gjitha moshave të marrin pjesë aktive në aktivitetet e komunitetit dhe i trajton të gjithë me respekt, pavarësisht moshës së tyre. Është një vend që ua lehtëson të moshuarve të qëndrojnë të lidhur me njerëzit që kanë rëndësi për ta. I ndihmon njerëzit të qëndrojnë të shëndetshëm dhe aktivë deri në pleqëri dhe ofron mbështetje adekuate për ata që nuk mund të kujdesen më për veten e tyre.

 

Shumë qytete dhe komunitete tashmë po ndërmarrin hapa aktivë për t'u bërë më miqësorë ndaj të moshuarve.

 

FAKTORË QË NDIKOJNË NË PLAKJEN E SHËNDETSHME

Mjediset fizike dhe sociale mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e personave të moshuar ose nëpërmjet barrierave ose stimujve që ndikojnë në mundësitë, vendimet dhe sjelljet shëndetësore.

Ruajtja e sjelljeve të shëndetshme gjatë gjithë jetës, veçanërisht të ushqyerit të ekuilibruar, angazhimi në aktivitete të rregullta fizike dhe abstenimi nga përdorimi i duhanit, kontribuojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve joinfektive, përmirësimin e kapaciteteve fizike dhe mendore dhe shtyrjen e varësisë nga kujdesi.

Mjediset mbështetëse fizike dhe sociale gjithashtu u mundësojnë njerëzve ta bëjnë atë që është e rëndësishme për ta, pavarësisht humbjes të kapaciteteve.

Qasja në ndërtesa dhe transport publik të sigurt, si dhe vendeve që janë të lehta për të lëvizur, janë shembuj të mjediseve mbështetëse.

 

Për zhvillimin e një përgjigjeje të shëndetit publik ndaj plakjes, është e rëndësishme të merren në konsideratë jo vetëm qasjet individuale dhe ekologjike që i zbusin humbjet që lidhen me moshën e shtyrë, por edhe ato që mund ta përmirësojnë rikuperimin, përshtatjen dhe rritjen psikosociale.