- 29.09.2025
Dita Botërore e Zemrës
Instituti i Shëndetit Publik e shënoi Ditën Botërore të Zemrës me një aksion shëndetësor në Qendrën Tregtare Diamond Mall.
Me rastin e Ditës Botërore të Zemrës - 29 shtator, Instituti i Shëndetit Publik organizoi një aksion në terren në Qendrën Tregtare Diamond Mall, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Në këtë aktivitet qytetarët patën mundësinë ta masin falas tensionin e gjakut, sheqerin në gjak, kolesterolin, si dhe gjatësinë dhe peshën, gjë që mundësoi përllogaritjen e indeksit të masës trupore (BMI) - një nga indikatorët për rrezik nga sëmundjet e zemrës.
Krahas kësaj të pranishmit morën këshilla dhe rekomandime individuale për një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar, aktivitet të rregullt fizik, si dhe mbështetje dhe motivim për të lënë duhanin - tre faktorë kyç për mbrojtjen e shëndetit të zemrës.
Në këtë aktivitet morën pjesë drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Bashk. shkenc. d-r. Marija Andonovska, si dhe ministri i shëndetësisë, z. Azir Aliu, i cili e theksoi rëndësinë e parandalimit primar dhe qasjes aktive ndaj shëndetit personal.
"Dita Botërore e Zemrës është një mundësi për të përkujtuar se një zemër e shëndetshme do të thotë edhe një jetë cilësore. Instituti i Shëndetit Publik do të vazhdojë me aktivitete që synojnë përmirësimin e shëndetit të popullatës dhe mbështetjen e zakoneve të shëndetshme të jetesës", tha drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Bashk. shkenc. d-r. Marija Andonovska.
"Zemra e shëndetshme është baza për një jetë të shëndetshme. Si Ministri e Shëndetësisë, ne do të vazhdojmë të mbështesim dhe promovojmë aktivitete preventive që janë çelësi për reduktimin e sëmundjeve kardiovaskulare tek popullata jonë. Sigurisht, si ministër, unë do të vazhdoj të ofroj mbështetje të vazhdueshme për përmirësimin e proceseve që nënkuptojnë shërbime më të mira shëndetësore, duke theksuar teknologjitë e reja mjekësore, pajisjet dhe stafin e arsimuar", tha ministri i shëndetësisë, z. Azir Aliu.
MOS E HUMB RITMIN. EC PËR NJË ZEMËR TË SHËNDETSHME.