- 29.12.2023
PËR FESTA TË SHËNDETSHME – USHQIM TË SHËNDETSHËM DHE TË BALANCUAR
Të gjithë ne i presim me padurim festat. Gjatë festave shtëpitë tona mbushen me ushqime të shijshme dhe joshëse, ndaj nuk është e lehtë t'u përmbahemi parimeve të një diete të shëndetshme dhe të balancuar. Por edhe në këtë rast ne mund t’i shijojmë festat pa e ngarkuar trupin tonë me kilogramë të tepërt apo me vështirësi të tjera shëndetësore.
Gjatë festave për shkak të tryezave të mbushura me ushqim në shtëpinë tonë ose në festat ku ne shkojmë ne shpesh hamë edhe kur nuk jemi aspak të uritur. Por, ne mund ta parandalojmë këtë!
Në vazhdim do gjeni disa udhëzime që duhen pasur parasysh gjatë festave.
1. PËRZGJEDHJA E USHQIMIT FILLON QË NË DYQAN, DUKE BËRË ZGJIDHJE TË MENÇURA GJATË BLERJES SË USHQIMEVE
Kur shkoni për të bërë pazar mirë është të jeni të pushuar dhe të keni ngrënë një vakët të mirë. Nëse jemi të pa pushuar dhe të uritur, do e kemi shumë të vështirë t'i rezistojmë blerjeve impulsive dhe do të blejmë ushqime të pasura me sheqer, yndyrë dhe kripë dhe do të jemi të prirur për të marrë vendime impulsive.
Menynë duhet ta planifikojmë disa ditë përpara, me një listë të përbërësve të nevojshëm të cilës duhet t'i përmbahemi gjatë blerjes në dyqan.
Është mirë të blejmë shumë fruta dhe perime.
Në frigorifer duhet të ketë kos dhe produkte qumështi, të cilat janë një burim i pasur kalciumi dhe kanë një efekt të dobishëm në florën e zorrëve.
Arrat janë një burim i shkëlqyer i yndyrave të shëndetshme, proteinave, fibrave dhe mineraleve, të cilat duhet t'i përfshijmë në dietën tonë të përditshme gjatë festave të fundvitit. Megjithatë, kini kujdes gjatë konsumimit të arrave sepse ato kanë vlera të larta kalorike.
2. ME KARAR
Kini kujdes për madhësitë e porcioneve dhe përdorni një pjatë më të vogël për servirje. Kini kujdes të mos e teproni me konsumimin e ushqimeve të yndyrshme dhe pikante dhe produkteve të thata, të cilat përveç vlerës së lartë kalorike, mund të shkaktojnë ndjesinë e rëndimit dhe dhimbjes në pjesën e sipërme të barkut, shpesh të shoqëruara me nauze dhe fryrje. Nëse e keni tepruar pak, pas një vakti të tillë mos bëni vrap, por bëni një shëtitje relaksuese.
3. АLKOOLI DHE PIJET E ËMBËLSUARA JANË BURIM I “KALORI BOSHE“
Kujdes gjatë konsumimit të pijeve alkoolike, të cilat nëse konsumohen në sasi më të mëdha mund të shkaktojnë gjendje të padëshiruara, sepse janë gjithashtu edhe shumë kalorike.
Kufizoni konsumimin e pijeve të gazuara dhe lëngjeve të ëmbëlsuara sepse këto janë kalori "boshe" (një gotë nga pijet e këtilla mund të përmbajë më shumë se 100 kalori).
4. EDHE PËR MISH KEMI NEVOJË, POR...
Gjatë përzgjedhjes së mishit, jepni përparësi mishit të bardhë (pule, gjeldeti) dhe kufizoni përdorimin e mishit të kuq me yndyrë.
Mishin shoqërojeni me mjaft perime dhe sallata të ndryshme të freskëta.
Në tryezën festive le të ketë edhe peshk.
5. ÇFARË TË BËNI PAS VAKTIT KRYESOR?
Në vend të ushqimeve kalorike konsumoni fruta.
Përgatisni ëmbëlsira me fruta pa ose me sa më pak margarinë, reduktoni sasinë e sheqerit dhe mos e teproni me çokollatat.
Mos harroni shëtitjet dhe format e tjera të aktivitetit fizik për të cilat sigurisht do të keni kohë të mjaftueshme gjatë pushimeve.
Sado që përpiqemi të kujdesemi për ushqimin që konsumojmë gjatë festave, sërish konsumojmë më shumë ushqim se në ditët e zakonshme. Trajtojeni veten me ushqimet që më së shumti i pëlqeni, por mos harroni se çdo gjë duhet bërë me karak. Ushqimi i duhur dhe aktiviteti i rregullt fizik sigurisht që mund të na ndihmojnë t’i realizojmë dëshirat tona edhe në vitin e ardhshëm.
Njësia e ushqyerjes dhe e kontrolleve shëndetësore higjienike pranë Institutit të Shëndetit Publik ju dëshiron Gëzuar Vititn e Ri 2024 dhe Festa të hareshme!