- 17.08.2026
Njoftim
Aktivitetet e përditshme të cilat NP "Komunalec Gostivar" është e detyruar t'i zbatojë në mënyrë të vazhdueshme në kuadër të kompetencave dhe detyrave të saj të punës, me qëllim të sigurimit të pandërprerë të ujit të sigurt për qytetarët.
1. Rekomandime për NP "Komunalec Gostivar":
· Monitorim i vazhdueshëm i sasisë së klorit nga burimi e deri te konsumatorët përfundimtarë.
· Vendosja e një sistemi të automatizuar për matjen, monitorimin dhe regjistrimin grafik të vazhdueshëm të parametrave relevantë për procesin e dezinfektimit, përfshirë këtu edhe dozimin e klorit në përputhje me Rregulloren për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm (në tekstin në vazhdim: Rregullorja).
· Matje sistematike dhe e vazhdueshme e klorit mbetës (rezidual) në një numër më të madh pikash në rrjetin e ujësjellësit, në periudha të ndryshme të ditës dhe gjatë konsumit të ndryshëm të ujit, si dhe mbajtja e evidencës për këtë aktivitet. Ku është e realizueshme nga ana teknike, të mundësohet një sistem alarmimi në rast të devijimit nga vlerat operative të definuara.
· Sigurimi i klorit të lirë rezidual në rrjetin e shpërndarjes në përqendrime adekuate për ruajtjen e sigurisë mikrobiologjike të ujit, me ç'rast vlera e synuar operative të jetë në rangun prej 0,2-0,5 mg/L, në përputhje me kushtet e sistemit dhe rregulloret në fuqi pas shfuqizimit të gjendjes së krizës në territorin e Komunës së Gostivarit.
· Kryerja e një analize hidraulike dhe operative e rrjetit shpërndarës me qëllim identifikimin e shkaqeve të variacioneve të klorit të lirë rezidual, sidomos sa i përket mbajtjes në ujë, degëve pa dalje, zonave me konsum të reduktuar, ndryshimeve në rrjedhë, mundësisë potenciale të përzierjes së ujërave nga pjesë të ndryshme të sistemit dhe kushte të tjera që mund të ndikojnë në kohën e qëndrimit dhe konsumin e klorit.
· Rishikimi i Programit ekzistues për monitorim i bazuar në vlerësimin e rrezikut, i cili është obligim ligjor dhe që do t’i përfshijë të gjitha pikat kritike të kontrollit dhe masat për menaxhimin e rrezikut në të gjithë sistemin e furnizimit me ujë (nga Plani i veprimit gjatë incidenteve ose devijimeve, Plani për shpëlarjen dhe mirëmbajtjen e rrjetit, veçanërisht për pjesët e skajshme dhe me rrjedhje të dobët, regjistri i pikave kritike dhe rreziqeve në sistem, nga burimi, stacioni i klorinimit, rezervuarët dhe stacionet e pompimit e deri te konsumatorët përfundimtarë, etj.).
· Plani për shpëlarjen periodike të rrjetit shpërndarës t’i vërë në fokus pjesët e skajshme, periferike dhe me rrjedhje të dobët, me qëllim që të reduktohet koha e stagnimit të ujit dhe të parandalohet akumulimi i sedimenteve si dhe formimi/mirëmbajtja e biofilmit. Shpëlarja të realizohet në mënyrë të planifikuar, duke mbajtur evidencë për aktivitetet e kryera.
· Sigurimi i vazhdimësisë dhe kapacitet i mjaftueshëm i furnizimit me ujë, përkatësisht NP-ja të sigurojë rrjedhje të vazhdueshme të ujit në të gjitha vendet, veçanërisht në periudhat e konsumit të rritur, me qëllim që të shmangen ndërprerjet, stagnimi dhe rivendosja e rrjedhës, të cilat mund të krijojnë rreziqe shtesë për dëmtimin e cilësisë mikrobiologjike dhe kimiko-fizike të ujit. Të vendoset një plan operativ për veprim në kushte të prurjeve të reduktuara të burimit ose konsumit të rritur.
· Lidhur me rekomandimin e mësipërm, si masë afatgjatë, rekomandojmë gjetjen e burimeve të reja për furnizim me ujë me qëllim që të plotësohen nevojat dhe konsumi në rritje, veçanërisht gjatë periudhës së verës.
· Sigurimi i kontrollit të rregullt operativ i parametrave bazë të ujit për pijshëm në bazë ditore, në përputhje me obligimet ligjore, me mbajtjen dhe arkivimin e detyrueshëm të evidencave për rezultatet dhe masat korrigjuese të ndërmarra gjatë shmangieve të konstatuara.
· Monitorimi i rregullt i sigurisë dhe cilësisë së ujit për pijshëm që lejohet për konsumatorët, në përputhje me dispozitat e Programit për monitorim të bazuar në vlerësimin e rrezikut dhe të miratuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
· Respektimi i obligimeve për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e zonave mbrojtëse në përputhje me Elaboratin e përgatitur për zonat mbrojtëse. Vëmendje e veçantë t'i kushtohet zonës së parë mbrojtëse dhe zonës së dytë të drejtpërdrejtë e të gjerë mbrojtëse (zona e kufizimit sanitar).
· Sigurimi i harmonizimit të plotë të stacionit të klorinimit dhe kushteve për ruajtjen dhe manipulimin me klor gazor me të gjitha kërkesat e zbatueshme ligjore dhe të sigurisë, duke përfshirë ajrosjen e duhur, sistemin/pajisjet për parandalimin e përhapjes së klorit të gaztë në rast avarie, pajisjet mbrojtëse personale, pajisjet përkatëse për detektim dhe veprim gjatë rrjedhjeve, si dhe trajnime të rregullta të personelit për situata emergjente.
· Trajnime adekuate për personelin përgjegjës për menaxhimin e objektit të furnizimit me ujë dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit që do të realizohen në mënyrë të vazhdueshme.
· Detyrimi për kryerjen e kontrolleve të rregullta shëndetësore-higjienike për punonjësit në zonën e parë mbrojtëse.
· Verifikim nëse personeli i punësuar në pikat kritike të sistemit shpërndarës të furnizimit me ujë ka përgatitje të duhur profesionale dhe njohuri bazë për sigurinë e ushqimit (ujit për pijshëm si ushqim), i realizuar nga persona juridikë të autorizuar.
2. Inspektorët komunalë të Komunës të kryejnë kontrolle më të shpeshta në teren lidhur me shfrytëzimin me racionalitet të ujit, sidomos në periudhat e konsumit të rritur, si dhe kontroll të lidhjeve të mundshme të palejuara, rrjedhjeve dhe gjendjeve të tjera që mund të ndikojnë në sasinë dhe vazhdimësinë e furnizimit me ujë.
3. Trupat kompetentë inspektues të kryejnë mbikëqyrje të rregullt inspektuese mbi sistemin e furnizimit me ujë duke filluar nga burimi e deri te konsumatorët përfundimtarë. Theks i veçantë t'i vihet inspektimit të zonave mbrojtëse.
4. Të kryhet një vlerësim teknik i gjendjes, funksionalitetit dhe kapacitetit të stacionit të filtrimit dhe, nëse i njëjti i plotëson kushtet teknike dhe sanitare për punë, të vihet në funksion në përputhje me teknologjinë e paraparë të trajtimit, me vendosjen e një plani përkatës operativ dhe monitorues.