• 13.08.2026

REKOMANDIME SHËNDETËSORE PËR GJUMË CILËSOR GJATË MOTIT TË NXEHTË


Temperaturat e larta, sidomos gjatë natës, mund ta vështirësojnë gjumin, të shkaktojnë zgjime më të shpeshta dhe ta ulin cilësinë e gjumit. Gjumi i pamjaftueshëm dhe me cilësi të dobët mund të shkaktojë lodhje, përqendrim të reduktuar dhe vështirësi gjatë funksionimit në ditën në vazhdim.

Mbani dhomën tuaj të gjumit të freskët. Nxehtësia e tepërt mund t’ua vështirësojë gjumin dhe ta prishë vazhdimësinë e gjumit. Temperatura në të cilën flini më mirë mund të ndryshojë nga një person tek tjetri dhe gjithashtu varet nga lagështia, veshja dhe shtrati. Gjatë periudhave të temperaturave të larta, nëse përdorni kondicioner, mbajeni temperaturën në rreth 25 °C dhe shmangni ftohjen e tepërt.

Ajrosni dhomën kur ajri i jashtëm është më i freskët. Hapni dritaret në mbrëmje, natën dhe në orët e hershme të mëngjesit, kur ajri i jashtëm është më i freskët se ajri në dhomë. Kur temperatura e jashtme është më e lartë se temperatura e dhomës, mbani dritaret e mbyllura. Kur i hapni dritaret përdorni mbrojtje adekuate kundër insekteve dhe kafshëve të tjera, nëse është e nevojshme.

Zvogëloni ngrohjen e dhomës së gjumit gjatë ditës. Mbuloni dritaret e ekspozuara ndaj rrezeve të diellit direkte me grila, kapakë ose perde, dhe fikni dritat dhe pajisjet elektrike që nuk janë të nevojshme.

Zgjidhni hije natyrale me gjelbërim. Pemët dhe gjelbërimi tjetër përreth shtëpisë ofrojnë hije natyrale dhe kontribuojnë në uljen e ngrohjes së mjedisit ku rrini. Ruajtja e gjelbërimit ekzistues dhe mbjellja e pemëve të reja janë masa të rëndësishme afatgjata për të krijuar një mjedis jetësor më të këndshëm.

Zgjidhni çarçafë të përshtatshëm për mot të nxehtë. Në netët e ngrohta mos përdorni batanije të trasha dhe përdorni çarçafë të hollë nga materiale natyrore, siç është pambuku, të cilët mundësojnë qarkullim më të mirë të ajrit.

Zgjidhni pizhame të lehta dhe të gjera, mundësisht nga pambuku ose materiale të tjera natyrore që lejojnë qarkullim më të mirë të ajrit dhe e ndihmojnë trupin të ftohet më lehtë.

Freskohuni para gjumit. Një dush i freskët para gjumit mund të ndihmojë në freskimin e trupit tuaj dhe t'ju ndihmojë të flini më mirë. Nëse nuk mund të bëni dush, lani fytyrën, qafën, krahët dhe këmbët me ujë të freskët ose të vakët.

Qëndroni të hidratuar gjatë gjithë ditës dhe mbani ujë afër gjatë natës.

Shmangni ushqimet e rënda para gjumit. Mundohuni ta hani vaktin tuaj të fundit të madh 2-4 orë para gjumit dhe shmangni ushqimet e mëdha dhe të rënda në mbrëmje, pasi ato mund ta vështirësojnë tretjen dhe ta prishin cilësinë e gjumit.

Shmangni alkoolin dhe kufizoni konsumimin e kafeinës, sidomos brenda 6 orëve para gjumit. Studimet tregojnë se kafeina e konsumuar edhe disa orë para gjumit mund ta bëjë më të vështirë të bini në gjumë dhe ta prishë cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit.

Krijoni kushte për një gjumë të qetë. Errësoni dhomën tuaj sa më shumë të jetë e mundur dhe zvogëloni zhurmën dhe përdorimin e pajisjeve elektronike para gjumit.

Mbani një ritëm të rregullt të gjumit. Mundohuni të shkoni në shtrat dhe të zgjoheni afërsisht në të njëjtën kohë edhe gjatë periudhave të motit të nxehtë.

 

Ndiqni informacionet dhe rekomandimet zyrtare në lidhje me valët e të nxehtit dhe përshtatni aktivitetet tuaja të përditshme me kushtet e motit.

 

Një dhomë gjumi e freskët, hidratimi i mjaftueshëm dhe një ritëm i rregullt i gjumit mund t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe të rikuperoheni më mirë gjatë periudhave të temperaturave të larta.