- 24.01.2024
22-28 JANARI – JAVA E PARANDALIMIT TË KANCERIT TË QAFËS SË MITRËS
ЈАNARI – MUAJI I NGRITJES SË VETËDIJES PËR KANCERIN E QAFËS SË MITRËS
“Eduko, parandalo, bëj skrining”
Në rrafsh global kanceri i qafës së mitrës është kanceri i katërt më i shpeshtë tek gratë, me 604.000 raste të reja në vitin 2020. Rreth 90% e 342.000 vdekjeve të shkaktuara nga kanceri i qafës së mitrës kanë ndodhur në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Dallimet rajonale në ngarkesën që shkakton kanceri i qafës së mitrës janë si pasojë e pabarazisë në qasjen në shërbimet për vaksinim, skrining dhe trajtim, faktorëve të rrezikut duke përfshirë këtu prevalencën e HIV-it dhe determinantave sociale dhe ekonomike, si gjinia, paragjykimet me bazë gjinore dhe varfëria.
Kur diagnostikohet, kanceri i qafës së mitrës është një nga format më të shërueshme të kancerit nëse zbulohet herët dhe trajtohet në mënyrë efikase. Edhe kanceri i diagnostikuar në fazë të avancuar mund të kontrollohet me trajtim adekuat dhe kujdes paliativ.
Me një qasje gjithëpërfshirëse për parandalim, skrining dhe trajtim, kanceri i qafës së mitrës mund të eliminohet si një problem i shëndetit publik brenda një brezi.
Muaji i ngritjes së vetëdijes për kancerin e qafës së mitrës këtë vit festohet me moton “Eduko, parandalo, bëj skrining”. Tema e thekson nevojën për t’i edukuar njerëzit me qëllim minimizimin e rreziqeve nga kanceri i qafës së mitrës dhe për rëndësinë që e kanë kontrollet e rregullta për ta shpëtuar jetën e gruas.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, kanceri i qafës së mitrës është kanceri i gjashtë më i shpeshtë tek gratë në RMV në 10 vitet e fundit, me një incidencë prej 17.57/100,000 dhe një mesatare prej 51 vdekjesh në vit. [1]
Tabela 1. Rastet e reja dhe vdekshmëria nga kanceri i qafës së mitrës në 10 vitet e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Burimi: Raporti për kancerin në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Dihet se shkaku më i rëndësishëm i shfaqjes së kancerit të qafës së mitrës është infeksioni perzistent me papillomavirusin. Papillomavirusi human (HPV) është zbuluar tek 99% të tumoreve të qafës së mitrës, veçanërisht tek nëntipet onkogjene ose me rrezik të lartë, siç janë HPV 16 dhe 18.
Përveç infeksionit me HPV, faktorë të tjerë rreziku për shfaqjen e kancerit të qafës së mitrës, janë:
§ Faktorët gjenetikë
§ Pirja e duhanit
§ Infeksioni me HIV, Klamidia, Herpes, Gonorrea
§ Fillimi i marrëdhënies së parë seksuale në moshë të re
§ Marrëdhëniet seksuale të shpeshta
§ Partner, me më shumë partnerë të mëparshëm seksualë
§ Imunosupresioni kronik
Në fazë të hershme kanceri i qafës së mitrës është shpesh asimptomatik, ndërsa sëmundja e avancuar lokalisht mund të shkaktojë simptoma, të tilla si gjakderdhje anormale vagjinale, si dhe gjakderdhje postkoitale, dispareuni, sekrecione, dhimbje të legenit.
Si mund të mbrohemi?
• Lëreni duhanin – toksinat nga tymi i duhanit mund ta dobësojnë sistemin imunitar të trupit dhe të dëmtojnë ADN-në qelizore.
• Të ushqyerit - hani ushqime të pasura me antioksidantë dhe evitoni sasitë e mëdha të yndyrave të ngopura dhe trans, sheqerit dhe natriumit
• Ushtroni rregullisht – aktiviteti fizik për të paktën 30 minuta në ditë mund të ndihmojnë në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës
• Kufizoni numrin e partnerëve seksualë
• Bëni kontrolle të rregullta gjinekologjike
Ekzaminimi mjekësor që e vërteton praninë e qelizave jonormale në qafën e mitrës njihet si Pap testi, i cili paraqet standard të artë dhe një mënyrë efikase për zbulimin e kancerit të qafës së mitrës në fazat e tij më të hershme. Nëse kryhet rregullisht në çdo dy vjet, shfaqja e kancerit të qafës së mitrës mund të reduktohet edhe deri në dhjetë herë.
Nëse rezultatet e PAP testit janë të dyshimta, për një diagnozë përfundimtare e detyrueshme është biopsia nga qafa e mitrës. Biopsia është një metodë gjatë të cilës merret një pjesë e indit, në këtë rast nga qafa e mitrës, dhe mostra analizohet nën mikroskop. Metoda më praktike dhe gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës është përmes programit për skrining.
Skriningu i organizuar për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës është një aktivitet që zbatohet në më shumë shtete me qëllim uljen e incidencës dhe vdekshmërisë së grave nga kanceri i qafës së mitrës. Vlerën e zbatimit të këtij programi e konfirmon fakti që çdo vit zbulohen raste të kancerit të qafës së mitrës tek gratë që nuk kanë pasur asnjë simptomë të sëmundjes.
Parandalimi përmes skriningut konsiderohet si i suksesshëm nëse brenda një periudhe tre vjeçare përfshihet 75% e popullatës së targetuar të grave. Në këtë grup bëjnë pjesë gratë nga 21 deri më 59 vjet të cilat në tre vitet e fundit nuk kanë bërë PAP test.
Si organizohet skriningu në Republikën e Maqedonisë së Veriut?
Ordinancat gjinekologjike i ftojnë gratë të marrin pjesë në skriningun e organizuar, bëjnë një ekzaminim duke marrë material për Pap test për grupmoshat 21-59 vjeç që nuk kanë bërë test në tre vitet e fundit dhe që kanë shprehur interes në aplikacionin e krijuar nga Termi im, e dorëzojnë materialin për analiza citologjike dhe i informojnë gratë për rezultatin e Pap testit. Sipas programit për zbulimin e hershëm dhe për skrining në vitin 2024 do të përgatitet një raport vjetor për rezultatet e programit të skriningut për vitin 2023, i cili duhet të publikohet jo më vonë se në muajin qershor dhe që do të jetë i disponueshëm për publikun.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në vitin 2022 janë kryer gjithsej 12.769 ekzaminime si pjesë e skriningut për kancerin e qafës së mitrës, nga të cilat 9.031 janë analizuar në laborator. Numri më i madh i grave që kanë kryer ekzaminimin janë të moshës nga 40-44 vjeç, ose 6463, me çka është përfshirë 10% e popullatës së përgjithshme femërore të asaj moshe në vend. Tek gratë e grupmoshës nga 35-39 vjeç janë kryer 4.744 ekzaminime, pra 7,51% e numrit të përgjithshëm të femrave në atë moshë dhe tek gratë e grupmoshës nga 45-47 janë kryer 1.562 ekzaminime, edhe pse programi u referohej femrave deri në 44 vjeç. Pozitive është që një numër i vogël i grave që u përfshinë me programin për skrining kishin të pranishëm një faktor rreziku, pra nën 4%, ndërsa sa i përket rezultateve pozitive, shumica e tyre ishin lezione intraepiteliale të shkallës së ulët[2]
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve
[1] Raporti për kancerin në Republikën e Maqedonisë së Veriut - Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut
[2] Raporti për aktivitetet e realizuara në lidhje me skriningun e kancerit të qafës së mitrës tek gratë në moshë nga 35-44 vjet në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2022