• 09.02.2024

INFORMACION PËR GJENDJEN ME RASTET ME PERTUSIS NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT NË VITIN 2024, DERI MË 08.02.2024


 INFORMACION PËR GJENDJEN ME RASTET ME PERTUSIS NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT NË VITIN 2024, DERI MË 08.02.2024

Në vitin 2024, deri me datë 02.08.2024, në ISHP të RMV-së janë regjistruar gjithsej 22 raste me pertusis, me një incidencë prej 1.1/100,000 banorë. Kjo paraqet një rritje prej më shumë se dy herë e numrit të të sëmurëve, krahasuar me periudhën e kaluar pesëvjeçe (2019-2022), kur janë regjistruar gjithsej 9 raste.

Shpërndarja e rasteve sipas vendbanimit tregon se numri më i madh i të sëmurëve jetojnë në Shkup - 16 (73%) në tetë komuna të ndryshme, 3 të sëmurë jetojnë në Kumanovë, 2 në Gostivar dhe një në Bogovinë të Tetovës.

Për sa i përket shpërndarjes sipas moshës, personat e prekur janë nga 1 muaj deri në 23.5 vjet (mesatarja 2.5 vjet). Numri më i madh i të sëmurëve janë fëmijë nën 4 vjet, gjithsej 9 raste (40.9%) i përkasin grupmoshës nën 1 vjeç dhe 8 (36.4%) janë fëmijë të moshës 1 deri në 4 vjet.

Rasti i parë është raportuar më 05.01.2024, ndërsa në 7 ditët e fundit janë raportuar 11 raste ose gjysma e rasteve të regjistruara deri më tani.

Sa i përket statusit të vaksinimit, 18 persona (82%) e pacientëve nuk kanë qenë të vaksinuar ose nuk i kanë pranuar të gjitha dozat sipas moshës dhe kalendarit të imunizimit. Dy raste kanë qenë të vaksinuar plotësisht për moshën e tyre, për dy raste nuk ka të dhëna për statusin e vaksinimit.

Nga të sëmurët në spital janë shtruar 16 persona (72,7%), ndërsa 14 prej tyre janë nën moshën 4 vjet. Numri më i madh i rasteve (10) janë shtruar në KU për sëmundje të mushkërive te fëmijët në Kozle.

Nga numri i përgjithshëm (n=22) i rasteve të regjistruara me pertusis, të gjithë janë konfirmuar laboratorikisht me metodën PCR në Institutin e Shëndetit Publik (12), SK Sistina (7), Klinikën Zhan Mitrev (2) dhe në Avicena (1).

 

Masat e ndërmarra

Të gjitha rastet e konfirmuara janë raportuar dhe për ato është bërë hetimi epidemiologjik nga shërbimet kompetente epidemiologjike.

Për personat që janë të sëmurë dhe nuk janë shtruar në spital rekomandohet izolimi në shtëpi.

Është bërë kontrolli i kontakteve të personave të sëmurë dhe është rekomanduar profilaksa me antibiotikë.

Në kopshte, shkolla dhe qendra vaksinimi bëhet kontrolli i mbulimit me vaksinim.

Komisioni për Sëmundjet Infektive në mbledhjen e mbajtur më 7 shkurt 2024 rekomandoi masa për kontrollin dhe parandalimin e pertusis.

Me datë 08.02.2024, QShP Shkup raportoi për epidemi të pertusis në territorin që mbulon.

Instituti i Shëndetit Publik e monitoron situatën aktuale dhe ofron asistencë profesionale-metodologjike për QShP- të dhe NjR-të e tyre.

 

Rekomandime

Për ta parandaluar shfaqjen e rasteve të reja të pertusis dhe për ta parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, duhet që:

• Të rritet mbulimi me vaksinimin primar me një vaksinë që përmban komponentin kundër pertusis për ta arritur mbulimin e rekomanduar nga OBSH-ja prej 95%, si në nivel rajonal , lokal, ashtu dhe në nivel kombëtar.

• Për këtë qëllim, në të gjitha pikat e vaksinimit në territorin e RMV-së është e nevojshme të kryhet një kontroll i përforcuar dhe i vazhdueshëm i personave që i nënshtrohen vaksinimit të rregullt, si dhe të ftohen për aplikimin e dozave të nevojshme të vaksinës. Gjithashtu, nevojitet një kërkim aktiv dhe intensiv i personave të paevidentuar, të pavaksinuar dhe të pavaksinuar plotësisht, dhe këta të fundit të ftohen për tu vaksinuar sipas kalendarit kombëtar të imunizimit.

• Të përforcohet mbikëqyrja epidemiologjike e pertusis. Çdo rast i dyshuar që i plotëson kriteret klinike të definicionit të rastit duhet të hetohet epidemiologjikisht, të testohet në laborator, të konfirmohet dhe të raportohet pranë institucioneve kompetente.

• Personat e dyshuar/të sëmurë të udhëzohen për diagnostikim laboratorik dhe trajtim dhe menjëherë të raportohen pranë institucioneve kompetente.

• Të bëhet izolimi i të sëmurëve në institucionet shëndetësore ose në shtëpi, sidomos nëse në familje ka foshnja, fëmijë të vegjël dhe persona të pavaksinuar, të paktën 5 ditë nga fillimi i terapisë me antibiotikë. E njëjta gjë vlen edhe për pacientët e dyshuar/kontaktet e pacientëve nëse ata marrin kimioprofilaksë.

• Të gjithë mjekët amë të kontrollojnë statusin e vaksinimit të të gjithë fëmijëve deri në 14 vjet dhe t'i udhëzojnë të gjithë fëmijët për vaksinim;

• QShP në bashkëpunim me IShP të zbatojë aktivitete edukative dhe promovuese në lidhje me parandalimin e pertusis, pra të theksojë vaksinimin si masën e vetme parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

 

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive

ISHPRMV

 

09.02.2024