- 04.03.2024
Dita Botërore e Obezitetit, 4 Mars
Obeziteti tek të rriturit dhe fëmijët në Maqedoninë e Veriut mbetet në nivel të lartë
Instituti i Shëndetit Publik, Shkup, 4 mars 2024
Studimi i fundit i publikuar në The Lancet tregon se, në vitin 2022 më shumë se 1 miliardë njerëz në botë jetojnë me obezitet. Që nga viti 1990, në mbarë botën obeziteti tek të rriturit është dyfishuar dhe tek fëmijët dhe adoleshentët (nga 5 në 19 vjet) është katërfishuar.
- 28,4% e të rriturve në Maqedoninë e Veriut jetojnë me obezitet.
Krahasuar me vitin 1990 në Maqedoninë e Veriut obeziteti tek të rriturit është rritur për 13,6%, ndërsa tek fëmijët dhe adoleshentët për 7,4%.
Për më shumë se 10 vjet Instituti dhe Qendrat e Shëndetit Publik e kanë zbatuar Iniciativën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Obezitetin e Fëmijëve, e njohur me akronimin COSI, që zbatohet në 45 vende të Rajonit Evropian. Kjo iniciativë e paraqet sistemin më masiv të monitorimit të tendencave të rritjes së peshës trupore dhe obezitetit te fëmijët nëpërmjet matjeve antropometrike të standardizuara dhe vlerësimit të determinantave të obezitetit në mjedisin familjar dhe shkollor. Të dhënat e fundit tregojnë se:
- në Maqedoninë e Veriut 30,5% e fëmijëve të moshës 6-9 vjeç jetojnë me mbipeshë ose obezitet.
- 13.8% e tyre jetojnë me obezitet ose obezitet ekstrem.
Obeziteti është më i shpeshtë tek djemtë sesa tek vajzat.
Shumica e fëmijëve me mbipeshë dhe obezitet jetojnë në zona urbane.
Konsumimi i ushqimeve shumë të përpunuara dhe të pasura me energji është një faktor i rëndësishëm që kontribuon në zhvillimin e rritjes së peshës trupore tek fëmijët.
Karakteristikat socio-ekonomike të familjeve të fëmijëve dhe disponueshmëria e ushqimit brenda dhe në afërsi të mjedisit shkollor ndikojnë në zakonet e të ushqyerit tek fëmijët.
Mungesa e aktivitetit fizik tek fëmijët për shkak të mundësive të reduktuara për mjedise jetësore të sigurta që nxisin lojën aktive dhe lëvizjen e fëmijëve, ka si pasojë reduktim të aktivitetit fizik dhe rritje të përdorimit të pajisjeve elektronike si determinanta kryesore të obezitetit.
Trendet e mbipeshës dhe obezitetit te fëmijët në Maqedoninë e Veriut janë në një nivel të lartë dhe stabil. Nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse dhe shumësektoriale ndaj obezitetit, duke filluar nga prioritizimi i faktorëve mjedisorë, e deri te përforcimi i mbrojtjes shëndetësore për parandalimin dhe kontrollin e obezitetit si sëmundje kronike.
Për më shumë informacion në lidhje me obezitetin e fëmijëve dhe COSI, mund të gjeni në prezantimin në www.iph.mk