• 10.05.2024

10 MAJI - DITA BOTËRORE E AKTIVITETIT FIZIK


 

Dita Botërore e Aktivitetit Fizik festohet çdo vit dhe ka për qëllim të promovojë aktivitetin fizik dhe rolin e tij në ruajtjen e gjendjes së mirë shëndetësore. Kjo ditë për herë të parë u shënua në vitin 2002 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për të rritur ndërgjegjësimin për përfitimet e aktivitetit fizik për shëndetin e përgjithshëm dhe për të inkurajuar njerëzit të adoptojnë një mënyrë jetese më aktive.

Aktiviteti fizik përkufizohet si “çdo lëvizje trupore e prodhuar nga sistemi muskulo-skeletor, gjatë së cilës harxhohet energji” dhe që është e rëndësishme për përmirësimin dhe ruajtjen e gjendjes së përgjithshme shëndetësore të çdo individi. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për shumë forma të menaxhimit të dhimbjes. Shumica e udhëzimeve për dhimbjen akute muskulo-skeletore fokusohen në këshillat për rritjen e aktivitetit fizik. Trajtimet më efektive për dhimbjet e vazhdueshme muskulo-skeletore lidhen me aktivitetin fizik. Përgjegjës për mënyrën sesi aktiviteti fizik mund ta zvogëlojë dhimbjen ose ta parandalojë përsëritjen e dhimbjes mund të jenë disa mekanizma biologjikë. Për shembull, aktiviteti fizik rutinor mund ta përmirësojë përbërjen e trupit përmes reduktimit të yndyrës së barkut dhe kontrollit më të madh ndaj peshës.

 

Mënyra aktive e jetesës rrit forcën, fleksibilitetin dhe aftësinë aerobike, merr pjesë në reduktimin e inflamacionit sistemik (p.sh. reduktimi i ndërmjetësuesve inflamatorë qarkullues si proteina C-reaktive). Mund të përmirësojë mirëqenien psikologjike (duke reduktuar stresin, ankthin dhe depresionin) dhe cilësinë e gjumit. Mund të përmirësojë gjithashtu vetë-efikasitetin duke menaxhuar dhimbjen dhe duke rritur lëvizshmërinë.

Ekzistojnë shumë mite rreth aktivitetit fizik dhe dhimbjes. Njerëzit besojnë se lëvizja është e rrezikshme kur dikush ka dhimbje dhe se duhet të presin që dhimbja të zvogëlohet përpara se të vihen në lëvizje. Këto mite duhet të shuhen dhe njerëzit duhet të inkurajohen që t'i kthehen aktivitetit fizik sa më shpejt të jetë e mundur. Kur bëhet fjalë për zvogëlimin e dhimbjes, asnjë lloj aktiviteti fizik nuk është superior ndaj një tjetri. Për shembull, ecja, çiklizmi, joga etj. kanë efekte të ngjashme ndaj niveleve të dhimbjes dhe paaftësisë. Faktori kryesor është rregullshmëria - prandaj është shumë e rëndësishme që secili individ të zgjedhë një aktivitet që i pëlqen. Çdo aktivitet fizik është i dobishëm, por nuk është i pranuar gjerësisht në trajtimin klinik të dhimbjes.

Fushata “On The Move“, (në lëvizje) e Federatës Evropiane të Dhimbjes ka një përdorim të gjerë dhe është përkthyer në më shumë se 10 gjuhë për t’i informuar njerëzit për rëndësinë e aktivitetit të rregullt fizik!

 

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve