• 10.05.2024

FUSHATA PËR PARANDALIMIN E KANCERIT TË LËKURËS


 

INFORMACION BAZË RRETH KANCERIT TË LËKURËS

Kanceri është një sëmundje gjatë së cilës qelizat në trup rriten në mënyrë të pakontrolluar. Kur kanceri ka zanafillën në lëkurë, atëherë quhet kancer i lëkurës.

Disa njerëz janë të rrezikuar nga kanceri i lëkurës se sa të tjerët, por ai mund të prekë secilin nga ne. Shkaku më i shpeshtë, por i parandalueshëm i kancerit të lëkurës, është ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve ultraviolet (UV), qoftë nga dielli ose nga burime artificiale siç janë solariumet.

Çfarë është kanceri i lëkurës?

 

Lëkura është organi më i madh i trupit. Dy shtresat kryesore janë epidermi (shtresa e sipërme ose e jashtme) dhe dermi (shtresa e poshtme ose e brendshme). Kanceri i lëkurës fillon në epiderm, i cili përbëhet nga:

Qelizat skuamoze: qeliza të holla e të sheshta që formojnë shtresën e sipërme të epidermit.

Qelizat bazale: qeliza të rrumbullakëta poshtë qelizave skuamoze.

Melanocitet: qeliza që prodhojnë melaninë dhe ndodhen në pjesën e poshtme të epidermit. Melanina është pigmenti që ia jep ngjyrën lëkurës. Kur lëkura ekspozohet në diell, melanocitet prodhojnë më shumë pigment dhe bëjnë që lëkura të marrë ngjyrë më të errët.

Karcinomat bazale dhe skuamoze janë dy llojet më të shpeshta të kancerit të lëkurës. Ato kanë zanafillë në qelizat bazale dhe skuamoze të lëkurës. Të dy llojet mund të trajtohen.

Melanoma, lloji i tretë më i shpeshtë i kancerit të lëkurës, fillon në melanocite. Nga të gjithë kanceret e lëkurës, melanoma shkakton më shumë vdekje për shkak të tendencës së saj për t'u përhapur në pjesë të tjera të trupit, duke përfshirë këtu organet vitale të trupit.

Shumica e rasteve të kancerit të lëkurës shkaktohen nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve ultraviolet (UV) nga dielli ose solariumet. Ato në fillim mund të shkaktojnë djegie. Me kalimin e kohës dëmtimi nga rrezet UV bëhet më i madh, duke shkaktuar kështu ndryshime në strukturën e lëkurës, plakje të parakohshme të lëkurës dhe ndonjëherë edhe kancer të lëkurës. Rrezet UV gjithashtu lidhen edhe me sëmundjet e syve, siç është katarakti.

Cilët janë faktorët e rrezikut për kancerin e lëkurës?

 

Njerëzit mund të digjen ose nxihen në varësi të llojit të lëkurës së tyre, periudhës së vitit dhe nga ajo se sa kohë janë ekspozuar ndaj rrezeve UV.

Secili nga ne mund të preket nga kanceri i lëkurës, por më të rrezikuar janë disa individë që kanë  karakteristika të caktuara, si:

• Lëkurë më të bardhë.

• Lëkurë me njolla, lëkurë që skuqet lehtë, bëhet e dhimbshme në diell ose që digjet lehtë.

• Sy blu ose të gjelbër.

• Flokë bjond ose të kuqe.

• Lloje të caktuara nishanesh dhe një numër madh nishanesh.

• Histori familjare të kancerit të lëkurës.

• Histori personale e kancerit të lëkurës.

• Moshë madhe.

 

Ekspozimi ndaj rrezeve UV

Edhe nëse keni ndonjë nga faktorët e rrezikut që u përmendën më sipër, zvogëlimi i ekspozimit ndaj rrezeve ultraviolet (UV) mund të ndihmojë në mbajtjen e lëkurës tuaj të shëndetshme dhe në zvogëlimin e rrezikut nga kanceri i lëkurës në të ardhmen. Shumica e njerëzve ekspozohen ndaj rrezeve UV nga dielli kur kalojnë kohë jashtë në mjedis të hapur. Marrja e masave mbrojtëse do t'ju ndihmojë të shijoni qëndrimin në natyrë në mënyrë të sigurtë, të shmangni djegien nga dielli dhe të zvogëloni rrezikun nga kanceri i lëkurës.

Cilat janë simptomat e kancerit të lëkurës?

 

 

Ndryshimet në lëkurën tuaj janë shenja më e shpeshtë e kancerit të lëkurës. Bisedoni me mjekun tuaj nëse vini re ndonjë ndryshim në lëkurën tuaj, si për shembull një nishan të ri, një plagë që nuk do shërohet, një ndryshim të një nishani të vjetër ose ndonjë nga shenjat ABCDE të melanomës.

Rregulli ABCDE përdoret për diagnostikimin e hershëm të melanomës:

A.    Asimetria: A ka nishani ose shenja formë të parregullt me dy pjesë që duken shumë ndryshe nga njëra tjetra?

B.     Skajet: A janë skajet e parregullta dhe të gungëzuara?

C.     Ngjyra: A është ngjyra jo e njëtrajtshme?

D.    Diametri: A është nishani ose njolla më e madhe se madhësia e një bizeleje?

E.     Zhvillimi: A ka ndryshuar nishani ose njolla gjatë javëve ose muajve të fundit?

Çfarë mund të bëj për të zvogëluar rrezikun e kancerit të lëkurës?

 

Praktikimi i përditshëm i mbrojtjes nga dielli do t'ju ndihmojë ta zvogëloni rrezikun nga kanceri i  lëkurës

Praktikoni mbrojtje nga dielli

Mbrojtja nga rrezet UV është e rëndësishme gjatë gjithë vitit, jo vetëm gjatë verës. Rrezet UV janë të pranishme edhe në ditët me re dhe të ftohta dhe reflektohen në sipërfaqe si uji, çimentoja, rëra dhe bora. Rrezet UV janë më të forta nga ora 10 e mëngjesit deri në 4 pasdite.

Indeksi UV e parashikon fuqinë e rrezeve UV për çdo ditë. Nëse indeksi UV në zonën tuaj është 3 ose më i lartë, atëherë duhet ta mbroni lëkurën tuaj nga ekspozimi i tepërt ndaj diellit. Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në Atlanta, SHBA, rekomandon disa mënyra për ta mbrojtur lëkurën tuaj kur indeksi UV është 3 ose më i lartë:

• Qëndroni në hije.

• Vishni veshje që ua mbulojnë krahët dhe këmbët.

Mbani një kapele me strahë të gjerë për ta mbuluar fytyrën, kokën, veshët dhe qafën.

Mbani syze dielli që i bllokojnë rrezet UVA dhe UVB.

• Përdorni krem ​​kundër diellit me faktor SPF 15 ose më të lartë.

 

Evitoni banjot e diellit në mjedise të mbyllura

Banjot e diellit në mjedise të mbyllura (solariume) për të marrë një ngjyrë më të errët të lëkurës i ekspozojnë përdoruesit ndaj niveleve të larta të rrezeve UV. Me kalimin e kohës, ekspozimi i tepërt ndaj UV mund të shkaktojë kancer të lëkurës, katarakt dhe kancer të syve.

Ngjyra e errët e lëkurës nuk është sinonim për një shëndet të mirë

Kur rrezet UV arrijnë deri në shtresën e brendshme të lëkurës, lëkura prodhon më shumë melaninë. Melanina është pigmenti që ia jep lëkurës ngjyrën e saj, ajo lëviz drejt shtresave të jashtme të lëkurës dhe bëhet e dukshme si një ngjyrë më e errët e saj. Çdo ndryshim në ngjyrën e lëkurës pas ekspozimit ndaj rrezeve UV (qoftë një nxirje apo djegie) është një shenjë lëndimi, jo shëndeti.

Çfarë testesh për skrining ekzistojnë?

 

Tregojini mjekut tuaj nëse keni ndonjë nishan të pazakontë ose ndryshim në lëkurën tuaj. Bisedoni me mjekun tuaj nëse jeni në rrezik më të madh nga kanceri i lëkurës.

 

Kontrollet e rregullta të lëkurës tuaj do t'ju ndihmojë të zbuloni çdo ndryshim të dyshimtë. Kontrolloni edhe pjesët më pak të dukshme të lëkurës suaj.

 

 

A ka përfitime nga të qendruarit në natyrë?

 

Koha e kaluar në natyrë mund të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme. Kjo ofron shumë mundësi për të qenë fizikisht aktiv. Koha e kaluar në natyrë mund ta përmirësojë edhe shëndetin mendor dhe ta reduktojë stresin. E përderisa i shijojnë përfitimet e të qenit në natyrë, njerëzit mund ta zvogëlojnë rrezikun nga kanceri i lëkurës nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UV duke përdorur krem ​​kundër diellit.

Pushteti lokal mund të ndihmojë duke siguruar hije në parqet publike. Shkollat ​​dhe bizneset mund të sigurojnë hije në mjediset e shkollës dhe zonat ku njerëzit zakonisht e kalojnë kohën jashtë.

Rrezet ultraviolet (UV) diellit mund ta stimulojnë prodhimin e vitaminës D në lëkurë. Ekspozimi i pakët ose shmangia e plotë e diellit mund të shkaktojë rrezik nganivelet e ulëta të vitaminës D, por ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UV nga dielli ose burimet e krijuara nga njeriu mund të rrisë rrezikun nga kanceri i lëkurës dhe sëmundjeve të syve. Sasia e vitaminës D që e prodhon lëkura e një personi kur është në diell varet nga shumë faktorë, duke përfshirë tonin e lëkurës, vendndodhjen gjeografike, motin, periudhën e vitit dhe periudhën e ditës.

Lëkura mund të prodhojë vetëm një sasi të kufizuar të vitaminës D në të njëjtën kohë. Sapo trupi ta ketë arritur këtë kufi, prodhimi i vitaminës D përfundon. Por, qëndrimi i zgjatur në diell do ta rrisë rrezikun nga kanceri i lëkurës. Nuk ka njohuri për nivelin e ekspozimit ndaj rrezatimit UV që do i rriste nivelet e vitaminës D pa e rritur edhe rrezikun nga kanceri i lëkurës. Vitamina D mund të merret në mënyrë të sigurt përmes ushqimit dhe suplementëve ushqimorë pa patur frikë nga rreziqet që lidhen me ekspozimin e tepërt ndaj rrezeve UV.

Melanoma

Melanoma e lëkurës është kanceri i 17 më i shpeshtë tek popullata botërore, kanceri i 13 më i shpeshtë tek meshkujt dhe kanceri i 15 më i shpeshtë tek femrat.

Nga 5 raste të të gjitha llojeve të kancerit të lëkurës, 1 rast është melanomë. Gjithsej 325.000 raste të reja të melanomës  në mbarë botën (174.000 burra, 151.000 gra) dhe 57.000 raste të vdekjes nga melanoma (32.000 burra, 25.000 gra) janë vlerësuar për vitin 2020. Nëpër vende dhe rajone të botës ekzistojnë ndryshime të mëdha gjeografike në incidencë, me prevalencën më të lartë në mesin e burrave (42 në 100.000 burra) dhe tek gratë (31 në 100.000 gra) në Australi/Zelandën e Re, pastaj në Evropën Perëndimore (19 100.000 edhe tek burrat edhe tek gratë), Amerikën Veriore (18 në 100.000 burra, 14 në 100.000 gra) dhe Evropën Veriore (17 në 100.000 burra, 18 në 100.000 gra). Melanoma vazhdon të jetë e rrallë në shumicën e vendeve afrikane dhe aziatike, me një shkallë të incidencës zakonisht më pak se 1 100.000 banorë.

Shkalla e vdekjeve është rritur në 5 100.000 banorë në Zelandën e Re, ndërsa ndryshimet gjeografikeraport me vdekshmëri janë më pak theksuara se sa për incidencën.

Melanoma është më e shpeshtë tek burrat se sa tek gratëpjesën më të madhe të rajoneve të botës. Nëse trendi aktual i incidencës së melanomës vazhdon, vlerësohet se deri në vitin 2040 numri i rasteve të reja të melanomës do të rritet në 510.000 (përafërsisht një rritje prej 50%), ndërsa numri i rasteve të vdekjes në 96.000 (një rritje prej 68%).

Edhe pse rreziku nga melanomë në përgjithësi rritet me moshën dhe incidenca është më e lartë tek popullata e moshuar, melanoma është ndër llojet më të shpeshta të kancerit tek adoleshentët.

Melanoma është më e shpeshtë tek burrat se sa tek gratë në pjesën më të madhe të botës, por kjo ndryshon sipas moshës, me çrast shkalla tek gratë i tejkalon ato tek burrat për moshën nën 50 vjet. Dallimet gjinore ekzistojnë edhe në lidhje me lokalizimin anatomik të lezionit, tek burrat melanoma është më e shpeshtë në trungun e trupit, ndërsa tek gratë tek gjymtyrët e poshtme.

Në RMV në vitin 2022 numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes nga neoplazmat e tjera malinje të lëkurës është 36 me një shkallë mortaliteti prej 2.0/100 000 banorë, numri i vdekjeve tek burrat është 21 me një shkallë mortaliteti prej 2.3/100 000 burra, ndërsa numri i vdekjeve tek gratë është 15 dhe me një shkallë mortaliteti prej 1.6/100 000 gra. Nga melanoma në vitin 2022 kanë vdekur 62 persona me një shkallë mortaliteti prej 3.4 në 100.000 banorë, nga të cilët 41 janë burra, ndërsa 21 janë gra. Shkalla e mortalitetit tek burrat është 4.5 100 000 burra, ndërsa shkalla e mortalitetit tek gratë është 2.3 100 000 gra.

 

Burimi:

1. https://www.cdc.gov/cancer/skin/basic_info/index.htm

2. https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/35353115/,

3. Enti Shtetëror i Statistikave i RMV-së. Vdekshmëria në RMV në vitin 2022,

Shkup, 2023

 

Përgatiti dhe përktheu: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve