• 10.05.2024

12 maji – Dita Ndërkombëtare e Infermiereve dhe Teknikëve


   Me rastin e Javës Ndërkombëtare të Infermierisë, 5 maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Mamive, ndërsa në 12 maji Dita Ndërkombëtare e Infermiereve dhe Teknikëve.

Dita Ndërkombëtare e Infermiereve dhe Teknikëve shënohet çdo vit më 12 maj në përkujtim të ditëlindjes së Florence Nightingale. Ajo ka lindur në Firencë, Itali më 12 maj të vitit 1820. Gjatë gjithë jetës së saj ajo luftoi për avancimin e profesionit të saj dhe për të drejtat e grave. Florence Nightingale konsiderohet si një pioniere e infermierisë moderne në botë, ajo ka kontribuar në promovimin e paraqitjes grafike të të dhënave statistikore, ka iniciuar edukimin profesional të infermiereve dhe ka prezantuar metoda të kujdesit ndaj pacientit dhe organizimit spitalor, të cilat janë të pranuara në shumë vende.

Mjekësia ka të bëjë me njeriun nga aspekti i sëmundjes, kurse kujdesi shëndetësor nga aspekti i nevojave themelore të njeriut. Infermierja ka një profesion të përgjegjshëm dhe avokon për një avancim të vazhdueshëm profesional dhe edukim të vazhdueshëm mjekësor.

Infermieria përfshin kujdes autonom dhe kollaborativ për personat e të gjitha moshave, familjeve, grupeve dhe komuniteteve, të sëmurë ose të shëndetshëm në të gjitha kushtet. Ajo përfshin promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe kujdesin ndaj të sëmurëve, invalidëve dhe personave që janë në fund të jetës së tyre. Çdo vend ka nevojë për një fuqi punëtore shëndetësore kompetente, të arsimuar, të motivuar, të mirë-shpërndarë dhe të mbështetur si pjesë e nismës globale për mbulim shëndetësor universal, ndërsa infermieret janë çelësi për realizimin e këtyre përpjekjeve. Infermieret luajnë një rol kyç në kujdesin shëndetësor. Ata janë shpesh të parat që zbulojnë urgjencat shëndetësore dhe punojnë në vijën e parë të parandalimit të sëmundjeve dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor primar, duke përfshirë këtu promovimin, parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin. Ata janë shpesh profesionistët e parë dhe ndonjëherë të fundit të kujdesit shëndetësor me të cilët kontakton një pacient dhe cilësia e vlerësimit fillestar dhe kujdesit të tyre pasues është jetike për rezultate të mira shëndetësore. Infermieret marrin pjesë në edukimin shëndetësor të popullatës dhe grupeve të veçanta të cenueshme për faktorët e rrezikut për shfaqjen e sëmundjeve infektive dhe joinfektive (pirja e duhanit, ushqimi jo i shëndetshëm, përdorimi dhe abuzimi me alkoolin, përdorimi i drogës, pasiviteti fizik, sjelljet seksuale të pasigurta, etj. )

Infermieret marrin pjesë aktive në ndërgjegjësimin për kontrollet e rregullta parandaluese shëndetësore për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje, sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit, osteoporozës dhe sëmundjeve të tjera.

OBSH ka dhënë rekomandime të rëndësishme, duke përfshirë këtu investimin në edukimin e infermiereve dhe mamive, angazhimin e infermiereve më të specializuara, investimin dhe përforcimin e aftësive drejtuese të infermiereve dhe mamive, përforcimin dhe njohjen e rolit të infermieres në sistemin shëndetësor dhe mbështetjen e punonjësve shëndetësorë dhe zbatimin e promovimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve, të cilat janë vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë mjekësore në të ardhmen.

Pothuajse 50% e punonjësve shëndetësorë janë infermiere dhe mami. Bota ka nevojë edhe për 9 milionë infermiere dhe mami nëse do të arrijë mbulim shëndetësor universal deri në vitin 2030.

Infermieret trajtohen si një “burim i padukshëm dhe i pashtershëm”. Kjo duhet të ndryshojë për hir të infermiereve dhe të shëndetit global. Infermieret janë një element kritik për komunitete më të shëndetshme, shoqëri të përgjegjshme, ekonomi të lulëzuara dhe kombe të fuqishme. Tani është koha që politikëbërësit, vendimmarrësit kombëtarë dhe lokalë të ndërmarrin hapa vendimtarë për të ndërtuar dhe optimizuar një fuqi punëtore elastike, të fortë dhe të qëndrueshme të infermierisë.

Këshilli Ndërkombëtar i Infermiereve u bën thirrje qeverive dhe punëdhënësve të ndërmarrin veprime për të krijuar dhe mirëmbajtur sisteme shëndetësore që janë të sigurta, të qasshme dhe të përgjegjshme, ndërsa infermieret duhet të trajtohen si një burim të paçmuar në sistemet shëndetësore. Të investohet tek infermieret për rindërtimin e sistemeve shëndetësore që mund të arrijnë Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe mbulimin shëndetësor universal për ta përmirësuar shëndetin global. Të sigurohet mbrojtje nga dhuna dhe rreziqet në vendin e punës dhe të zbatohen standardet ndërkombëtare të punës për të drejtat e infermiereve, që ato të punojnë në një mjedis pune të sigurt dhe të shëndetshëm që garanton mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor. Të avancohen strategjitë për rekrutimin dhe mbajtjen e infermiereve dhe të adresohet mungesa e fuqisë punëtore përmes planifikimit dhe monitorimit sistematik të fuqisë punëtore. Të investohet në programe të arsimimit për infermieri me cilësi të lartë dhe të akredituar për të trajnuar më shumë infermiere të reja dhe për të avancuar zhvillimin e karrierës për infermieret ekzistuese. Të promovohet dhe investohet në një kulturë të barazisë që e respekton profesionin e infermierisë si një kontribues kryesor në një sistem të mbrojtjes shëndetësore me cilësi të lartë.

Pavarësisht rolit të tyre kritik në mbrojtjen shëndetësore, në mbarë botën ka një mungesë infermieresh që me rritjen e numrit të popullsisë pritet të thellohet, duke e rritur nevojën për infermiere të trajnuara në të gjitha fushat e mbrojtjes shëndetësore.

Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t'i ndjekë këto kushte dhe të praktikojë që në sistemin shëndetësor të angazhohen sa më shumë infermiere të arsimuara dhe të specializuara për mbulim më të mirë shëndetësor të popullatës së saj.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe në vendet tjera, vërehet trend i zvogëlimit të numrit të infermiereve.

Për ta zvogëluar trendin e largimit të infermiereve, është e nevojshme të zgjidhen problemet prioritare në profesionin e infermierisë:

• miratimi i Ligjit për Kujdesin Shëndetësor;

• njohja dhe vlerësimi i arsimit të lartë të infermiereve dhe mamive, si dhe specializimet e tyre të përfshiren në marrëveshjet kolektive, në përputhje me Konventën 149 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës;

prezantimi i mentorimit në praktikën infermierore;

investimi në edukimin e infermiereve dhe mamive, punësimi i infermiereve më të specializuara;

• investimi dhe forcimi i aftësive menaxheriale të infermiereve dhe mamive, forcimi dhe njohja e rolit në sistemin shëndetësor dhe mbështetja e punonjësve shëndetësorë dhe zbatimi i promovimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve, të cilat janë kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë mjekësore në të ardhmen;

rritja e rolit të infermiereve patronazhit në ofrimin e kujdesit shëndetësor në komunitet dhe zgjerimi i rolit të tyre në ofrimin e kujdesit shëndetësor bazë dhe primar.

Infermieret luajnë një rol kritik në promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe ofrimin e kujdesit primar shëndetësor. Ato ofrojnë kujdes gjatë rasteve emergjente dhe do të jenë çelësi për arritjen e kujdesit shëndetësor universal.

Shprehim respektin tone  të madh për infermieret për angazhimin dhe punën vetëmohuese dhe kujdesin për shëndetin e popullatës.

http://www.iph.mk/

https://mk.wikipedia.org/wiki/

https://www.who.int/

https://www.icn.ch/how-we-do-it/campaigns/international-nurses-day

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve