- 15.05.2024
15 Maji - Dita Ndërkombëtare e Familjes në 2024
“Familjet ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme”
Dita Ndërkombëtare e Familjes, e njohur edhe si Dita Botërore e Familjes, është një ngjarje e rëndësishme që festohet në mbarë botën për të theksuar rëndësinë e lidhjeve familjare dhe për të promovuar unitetin midis familjeve nëpër kultura dhe prejardhje të ndryshme. Familja është njësia më e vogël ndërtimore në shoqëri, por padyshim më e rëndësishmja! Lidhjet e forta familjare mundësojnë mbështetje dhe mjedis të sigurt, gjë që është e domosdoshme për rritjen dhe zhvillimin e një individi.
Kur festohet Dita Botërore e Familjes në vitin 2024?
Këtë vit Dita Botërore e Familjes festohet më 15 maj, ditën e mërkurë dhe festohet në mbarë botën. Kombet e Bashkuara dhe Federata për Paqe Universale janë forcat kryesore shtytëse pas këtij festimi. Ato kanë mbështetjen e disa qeverive të disa vendeve që organizojnë aktivitete dhe evente lidhur me këtë ditë.
Historia e Ditës Ndërkombëtare të Familjes
Në vitin 1993 Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë me të cilën e demostruan vendosmërinë për të kontribuar për një standard më të mirë jetësor dhe përparim social për familjet në mbarë botën. Në vitin 1994 Kombet e Bashkuara e shpallën edhe zyrtarisht 15 majin si Ditën Ndërkombëtare të Familjes, si përgjigje ndaj ndryshimit të strukturave ekonomike dhe sociale që ndikojnë në stabilitetin dhe strukturën e njësive familjare në pjesë të ndryshme të botës. Dita Ndërkombëtare e Familjes në thelb kremton faktin se familjet janë pjesa qendrore e çdo shoqërie.
Pse festohet Dita Ndërkombëtare e Familjes?
Kremtimi i kësaj dite ka një qëllim të dyfishtë – ndërgjegjësimi për rëndësinë e familjes dhe theksimi i aspekteve të ndryshme që ndikojnë negativisht ndaj familjes, si qelizë themelore në shoqëri. Çdo vit kjo ditë shërben për të theksuar problemet që i mundojnë familjet dhe për t’i zbatuar veprimet e duhura që individët, shoqëritë dhe qeveritë mund t’i ndërmarrin për t’i zgjidhur problemet e lartpërmendura. Kjo ditë ka për qëllim të tregojë se si një njësi e përforcuar familjare në fund ndihmon edhe në përforcimin e shoqërive dhe kombeve.
Simboli i Ditës Ndërkombëtare të Familjes
Simboli i Ditës Ndërkombëtare të Familjes përbëhet nga një rreth i gjelbërt me një imazh të kuq të një shtëpie dhe me një zemër në qendër të rrethit. Ky simbol i fuqishëm nënkupton mjedisin e sigurt dhe mbështetës që një familje ua ofron njerëzve të të gjitha grupmoshave.
Tema e Ditës Ndërkombëtare të Familjes
Çdo vit, Kombet e Bashkuara vendosin për temën e Ditës Ndërkombëtare të Familjes. Kjo ndihmon në definimin e problemeve aktuale dhe drejtimet për zgjidhjen e çështjeve urgjente që meritojnë të theksohen dhe të adresohen. Tema ndryshon çdo vit në varësi të sfidave dhe zhvillimeve të reja. Tema e këtij viti është “Familjet ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme”
Si festohet Dita Botërore e Familjes në mbarë botën?
Dita Ndërkombëtare e Familjes në mbarë botën festohet në mënyra të ndryshme. Në disa komunitete nëpunësit publikë organizojnë diskutime dhe diskurse mbi sfidat e ndryshme me të cilat përballen familjet në komunitetet e tyre. Disa vende i planifikojnë aktivitetet dhe ngjarjet e tyre të bazuara në një temë specifike të vendosur nga Kombet e Bashkuara. Disa individë zgjedhin që ta festojnë këtë ditë duke kaluar kohë me familjen e tyre. Edhe pse kjo ditë konsiderohet e rëndësishme nga qeveritë në mbarë botën, ajo nuk është shpallur festë publike. Qëllimi i festimit të kësaj dite është një mundësi për të festuar lidhjet familjare dhe për të rritur ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballen familjet.
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve