• 31.05.2024

Dita Botërore Pa Duhan - 31 maji


 

Tema: “Mbrojtja e fëmijëve nga ndikimi i industrisë së duhanit”.

 

Si një nga faktorët më të mëdhenj dhe më të shpeshtë të rrezikut për pothuajse të gjitha llojet e sëmundjeve kronike joinfektive, përdorimi i duhanit kontribuon seriozisht në përkeqësimin e shëndetit të përgjithshëm të popullatës. Si pasojë e përdorimit të rregullt të duhanit mund të shfaqen sëmundje kardiovaskulare, respiratore, riprodhuese, malinje, endokrine dhe shumë lloje të tjera të sëmundjeve. Edhe pse të gjitha institucionet relevante në vend po punojnë për reduktimin e përdorimit të duhanit, duke përfshirë edhe edukimin e vazhdueshëm të popullatës, fatkeqësisht nuk ka progres të madh në përpjekjet për uljen e prevalencës së duhanpirjes në vend.

Edhe pse Republika e Maqedonisë së Veriut e ka ratifikuar Konventën Kornizë për Kontrollin e Duhanit (FCTC) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2006 dhe me kalimin e viteve ka bërë përpjekje për t’i përforcuar rregulloret shëndetësore lidhur me përdorimin e duhanit, vitet e fundit ka pasur një stagnim në këtë fushë, sidomos pas heqjes së ndalesës për pirjen e duhanit në tarracat e lokaleve, si dhe lejimin e përdorimit të pajisjeve elektronike që e ngrohin, por që nuk e djegin duhanin në objektet publike të mbyllura. Industria e duhanit me të gjitha resurset e saj lufton me sukses kundër përpjekjeve për përforcimin e legjislacionit ligjor, i cili në fakt është një nga kushtet për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, kështu që nevoja për përshtatjen e ligjeve me ato të BE-ja është e domosdoshme për përparimin e vendit.

Tema e Ditës Botërore kundër Duhanit 2024 është "Mbrojtja e fëmijëve nga ndikimi i industrisë së duhanit", për të mbrojtur brezat e ardhshëm dhe për të siguruar që përdorimi i duhanit të vazhdojë të bjerë. Këtë vit vëmendja është përqendruar në tendencën alarmante të marketingut të industrisë së duhanit të synuar ndaj të rinjve. Nëpërmjet fushatave të gjera të mediave sociale dhe striming platformave, të rinjtë janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj produkteve të duhanit, të cilat përbëjnë një kërcënim të konsiderueshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Hulumtimet nëpër vende të ndryshme vazhdimisht tregojnë se fëmijët e moshës 13-15 vjetnumrin më të madh të vendeve përdorin duhan dhe produkte nikotinike.

Duhanpirja tek të rinjtë mbetet një dukuri e përhapur dhe në disa vende madje po shënon rritje. Më shumë se 38 milionë të rinj nga mosha 13 deri në 15 vjet përdorin ndonjë formë të duhanit. Në vitin 2022, skenat me duhan u rritën me 110% në programet popullore të kohëve të fundit tek mosha 15-24 vjet, shpesh duke e portretizuar duhanin si magjepsës dhe të lezetshëm. Sipas “Nismës për të vërtetën”, të rinjtë kanë deri në 3 herë më shumë gjasa të fillojnë të pinë duhan kur ekspozohen ndaj pamjeve të duhanpirjes në ekran.

Përdorimi i duhanit në Republikën e Maqedonisë së Veriut është shumë i lartë. Sipas hulumtimeve të fundit, përqindja e popullsisë që përdor duhan na vendos ndër vendet në botë që kanë përqindjet më të larta të popullsisë që janë duhanpirës aktiv. Sipas hulumtimit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, numri i duhanpirësve aktivë është 45,4%, me një përqindje shumë të ulët të njerëzve (5%) që kanë provuar me sukses dhe kanë lënë duhanin vitet e fundit. Sa i përket lënies së duhanit, ka një frekuentim të ulët të Qendrave të Këshillimit për Lënien e Duhanit që funksionojnë në bashkëpunim me Qendrat e Shëndetit Publik në të gjithë vendin. Në qendrat e këshillimit për lënien e duhanit në vitin 2023 janë drejtuar vetëm 43 persona, tregon se nuk ka interes të madh për lënien e duhanit tek popullata.

Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut këtë vit merr pjesë në dy hulumtime lidhur me përdorimin e duhanit tek të rinjtë (ESPAD - European School Survey Project on Alcohol and Other Drugs и GYTS -  Global Youth Tobacco Survey) dhe rezultatet e këtyre Hulumtimet do të publikohen dhe do të jenë të disponueshme në fund të vitit, kur hulumtimi të ketë përfunduar plotësisht.

Dita Botërore Pa Duhan 2024 do t'u japë të rinjve në mbarë botën një platformë për t'u bërë thirrje qeverive t'i mbrojnë ata nga taktikat e marketingut grabitqar të industrisë së duhanit. Industria po targeton rininë me një qëllim - një jetë fitimprurëse, duke krijuar një valë të re varësie. Fëmijët përdorin cigare elektronike më shumë se të rriturit në të gjitha rajonet.

Përgatiti: Departamenti për promovimin e shëndetit dhe ndjekjen e sëmundjeve