- 12.06.2024
12 Qershori-Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve
Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve shënohet çdo vit më 12 qershor si një ditë për ta rritur ndërgjegjësimin dhe për të ndërmarrë veprime të shpejta për ta ndaluar punën e fëmijëve në të gjitha format e saj.
E themeluar në vitin 1919 si pjesë e Traktatit të Versajës, i cili i dha fund Luftës së Parë Botërore, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) u themelua mbi besimin se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm nëse bazohet në drejtësinë sociale. Si rezultat i kësaj, në vitin 2002 u themelua Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve.
Puna e fëmijëve mund të përkufizohet si "punë që i privon fëmijët nga fëmijëria, potenciali dhe dinjiteti i tyre dhe që është e dëmshme për zhvillimin e tyre fizik dhe mendor". Prandaj, jo e gjithë puna e bërë nga fëmijët është abuzim me punën e fëmijëve. Aktivitetet që kontribuojnë në zhvillimin pozitiv të fëmijës dhe mundësojnë aftësi dhe përvojë për t'u bërë anëtarë produktivë të shoqërisë nuk janë abuzim me punën e fëmijëve. Puna e fëmijëve e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar ndahet në tre kategori:
Ø Format më të këqija të punës së fëmijëve, të cilat përkufizohen ndërkombëtarisht si skllavëri, trafikim, skllavëri e borxhit dhe forma të tjera të punës së detyruar, rekrutim i detyruar i fëmijëve për përdorim në konflikte të armatosura, prostitucion dhe pornografi dhe aktivitete të paligjshme
Ø Puna e kryer nga një fëmijë që është nën moshën minimale të caktuar për atë lloj pune (siç është definuar me legjislacionin kombëtar, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare), e që mund të pengojë arsimimin dhe zhvillimin e plotë të fëmijës
Ø Puna që rrezikon mirëqenien fizike, mendore ose morale të fëmijës, për shkak të natyrës së saj ose për shkak të kushteve në të cilat kryhet, e njohur si "punë e rrezikshme".
Puna e fëmijëve është një problem me të cilin përballen miliona fëmijë në mbarë botën. Pavarësisht normave dhe legjislacionit ndërkombëtar që ndalon punën e fëmijëve, ajo vazhdon të keqpërdoret.
Rreth 160 milionë fëmijë në mbarë botën - gati 1 në 10 fëmijë janë të ekspozuar ndaj punës së fëmijëve, të angazhuar në punë që i privojnë ata nga arsimi, kërcënojnë mirëqenien e tyre dhe shkelin të drejtat e tyre themelore. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 75 milionë viktima të punës së fëmijëve janë në moshë nga 5 deri në 11 vjet. Dyzet e dy milionë fëmijë (28%) janë në moshë nga 12-14 vjet; 37 milionë (24%) janë në moshë nga 15-17 vjet.
§ Nga këto fëmijë, 63 milionë janë vajza dhe 97 milionë janë djem.
§ Afrika Sub-Sahariane ka numrin më të madh të fëmijëve që punojnë - 86.6 milionë fëmijë, e ndjekur nga Azia Qendrore dhe Jugore me 26.3 milionë.
§ 1 në 3 fëmijë që punojnë nuk janë pjesë e procesit arsimor.
§ Rreth 70% (112 milionë) e fëmijëve që punojnë, punojnë në bujqësi dhe blegtori.
§ 20% e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, brenda një vendi, janë fëmijë.
Rrënjët e punës së fëmijëve janë komplekse dhe të shumëanshme, që shpesh burojnë nga një ndërthurje e faktorëve socio-ekonomikë. Varfëria ekstreme dhe papunësia e prindërve janë faktorët që I ekspozojnë më së shumti fëmijët, mungesa e qasjes në arsim dhe qëndrimet sociale që e normalizojnë punën e fëmijëve kontribuojnë në vazhdimësinë e saj, sidomos në vendet në zhvillim. Në këtë drejtim, nevojitet një përpjekje e përbashkët për ta çrrënjosur varfërinë dhe për t’i korrigjuar çrregullimet e sistemit aktual ekonomik, i cili e përqendron pasurinë në duart e të paktëve. Gjithashtu duhet t’i mbështesim organizatat e shoqërisë civile për t'u bërë presion shteteve dhe aktorëve ekonomikë për të krijuar mundësi të denjë pune me paga të drejta që do t'u mundësojnë familjeve të plotësojnë nevojat e tyre pa i detyruar fëmijët e tyre të punojnë.
Gjithashtu, duhet rritur ndërgjegjësimi, mbështetja dhe inkurajimi i familjeve të varfra për t'i dërguar fëmijët e tyre në shkollë, duhet dekurajuar punësimi i tyre në shtëpi dhe fabrika, si dhe duhen mbështetur organizatat dhe fondacionet joqeveritare që punojnë për të mirën e fëmijëve dhe të rinjve në vendet në zhvillim, sepse, mungesa e arsimit në vetvete inkurajon mundësi më të madhe të shfrytëzimit, trafikimit të qenieve njerëzore (veçanërisht të fëmijëve).
Trafikimi i fëmijëve dhe puna e detyruar përbëjnë shkelje ekstreme të të drejtave të fëmijëve, që përfshin rekrutimin, transportin dhe shfrytëzimin për qëllime të ndryshme, shfrytëzimin seksual komercial, punën e detyruar dhe lypjen e detyruar. Këto praktika u shkaktojnë viktimave dëmtime të rënda psikologjike dhe fizike, dhe i fusin ato në një kurth të cikleve të shfrytëzimit dhe abuzimit.
Këto janë vetëm disa shembuj që flasin për realitetin e tmerrshëm të punës së fëmijëve. Por ne nuk mund ta pranojmë këtë si normë
Çfarë mund të bësh?
ü Përkujdesje për fëmijët që jetojnë në rrethana të dhunshme.
ü Burime ligjore për gjetjen e fëmijëve të zhdukur.
ü Këshillim për fëmijët që janë të traumatizuar.
ü Kujdes mjekësor dhe mbështetje e vazhdueshme për viktimat e abuzimit.
ü Ndërhyrje për adoleshentët që luftojnë me alkoolin, aktivitetin seksual ose mungesën e tij.
ü Këshillim për të fuqizuar prindërit për t’i mbrojtur dhe siguruar fëmijët e tyre.
ü Trajnim për punë dhe mundësi të ardhurash për prindërit në mënyrë që fëmijët të mund të vazhdojnë të ndjekin mësimin.
E pikërisht kjo është arsyeja se pse Dita Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve na kujton përgjegjësinë tonë për të folur për të drejtat e fëmijëve dhe për të punuar për mbrojtjen e tyre.
Fëmijët duhet të mësojnë dhe të luajnë, asnjë fëmijë nuk duhet ta sakrifikojë fëmijërinë e tij për punë, sepse fëmijëria është e paçmuar.