- 16.09.2024
JAVA EVROPIANE E MOBILITETIT
Java Evropiane e Mobilitetit është fushata kryesore e Komisionit Evropian për ta ngritur ndërgjegjësimin për mobilitetin e qëndrueshëm urban. Kjo javë promovon një ndryshim në sjellje në dobi të mobilitetit aktiv, transportit publik dhe zgjidhjeve të tjera të pastra dhe inteligjente të transportit. Eventi kryesor mbahet nga data 16 deri më 22 shtator të çdo viti, ndërsa kulminon me të famshmen "Një ditë pa makina".
Aktiviteti fizik ka përfitime të rëndësishme shëndetësore dhe ekonomike. Hulumtimi i Institutit të Shëndetit Publik i realizuar në vitin 2021 nxorri në pah se përfitimi ekonomik nga ecja për 191 pjesëmarrës në një vit ishte 108.808 euro dhe 3 vdekje të parakohshme të parandaluara në 10 vjet, si dhe kursim prej 1 milion euro për të njëjtën periudhë. Prandaj, të gjithë aktorët shoqërorë – duke filluar që nga qytetarët e deri te pushteti qendror, kanë përgjegjësi për promovimin e aktivitetit fizik dhe mobilitetin aktiv. Duke investuar në zona të sigurta për ecje dhe çiklizëm, qeveritë e qytetit mund të krijojnë infrastrukturë që do i inkurajojë qytetarët të jenë më aktivë. Ndërtimi i rrjeteve të shtigjeve për biçikleta dhe zgjerimi i zonave për këmbësorë jo vetëm që e rrit nivelin e aktivitetit fizik, por edhe e përmirëson sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion. Nëpërmjet kësaj iniciative pushteti qendror dhe lokal mund të kontribuojë ndjeshëm në uljen e varësisë nga makinat dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës në mjediset urbane. Krahas kësaj, krijimi i sipërfaqeve të gjelbra dhe zonave rekreative inkurajon interaksionin social dhe përmirëson mirëqenien e qytetarëve. Investimet në sigurinë dhe komoditetin e shtigjeve për këmbësorë dhe ciklistë e mbështesin mobilitetin e qëndrueshëm dhe i reduktojnë efektet negative të ndotjes së mjedisit jetësor. Aktivitetet dhe angazhimet tona të përbashkëta në këtë fushë e përforcojnë ndërgjegjësimin për stil të shëndetshëm të jetesës dhe krijojnë një popullatë më aktive dhe më të shëndetshme.
Lëvizja është shëndet! Zgjidhni një mënyrë aktive të jetesës për një shëndet më të mirë!