• 27.09.2024

Dita Botërore e Zemrës - 29 Shtator 2024


 Çfarë janë sëmundjet kardiovaskulare?

Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) paraqesin një grup të sëmundjeve që ndikojnë tek zemra dhe enët e gjakut (venat dhe arteriet). Ata janë shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën. SKV-të shkaktojnë më shumë vdekje se çdo shkak tjetër, me mbi 20,5 milionë vdekje në vit. Nga këto vdekje, 85% janë rezultat i sëmundjeve koronare të zemrës (si sulmi në zemër) dhe sëmundjeve cerebrovaskulare (si goditja në tru), me ç’rast vendet më të goditura janë ato me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

A e dini se zemra juaj ka madhësinë e grushtit tuaj dhe është muskuli më i fortë në trupin tuaj? Fillon të rrahë rreth tre javë pas ngjizjes. Nëse jetoni deri në 70 vjet, ajo do të rrahë rreth dy miliardë e gjysmë herë. Por pavarësisht fuqisë së saj, zemra juaj mund të bëhet e ndjeshme ndaj faktorëve të ndryshëm të rrezikut si pirja e duhanit, diabeti, kolesteroli i lartë, dieta jo e shëndetshme ose tensioni i lartë i gjakut.

Sistemi i zemrës mund të dobësohet edhe nga sëmundjet para-ekzistuese të zemrës ose faktorë të tjerë fiziologjikë, si hipertensioni ose kolesteroli i lartë në gjak. Kur ka çrregullim të funksioneve të zemrës, atëherë bëhet fjalë për sëmundje kardiovaskulare, një term i gjerë që i referohet çdo çrregullimi të sistemit në të cilin zemra luan rolin kryesor.

Fakte kryesore

- 1 3 raste të vdekjes nga SKV ndodhin tek  personat nën 70 vjet

- 85% e rasteve të vdekjes nga SKV janë si pasojë e atakut në zemër dhe goditjes në tru

- mbi 75% e rasteve të vdekjes nga SKV ndodhin në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme

Faktorët e rrezikut

Zhvillimi i sëmundjeve kardiovaskulare mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm rreziku socio-ekonomik, bihejvioralë dhe ekologjikë, si tensioni i lartë i gjakut, ushqimi jo i shëndetshëm, kolesteroli i lartë, diabeti, ndotja e ajrit, obeziteti, përdorimi i duhanit, sëmundjet e veshkave, mungesa e aktivitetit fizik, përdorimi i tepruar i alkoolit dhe stresi. Përveç kësaj, historia familjare, përkatësia etnike, gjinia dhe mosha mund të ndikojnë në rrezikun e një individi për t’u prekur nga këto sëmundje.

 

Kujdesi për zemrën Tuaj fillon me njohjen dhe të kuptuarit e faktorëve të rrezikut, prandaj është me rëndësi që t’i dini të gjitha parametrat Tuaj shëndetësorë. Në shfaqjen e sëmundjeve koronare dhe goditjes në tru mund të ndikojnë shumë faktorë. Disa prej tyre, siç është historia familjare, nuk mund të ndryshohen, por të tjerë, si tensioni i lartë i gjakut mund të mbahen nën kontroll me një trajtim adekuat.

 Prania e faktorëve të rrezikut jo domosdoshmërisht mund të çojë deri në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, por numri më i madh i faktorëve të rrezikut e rrit mundësinë për zhvillimin e tyre. Por, kjo mundësi mund të zvogëlohet nëse ndërmerrni masa për kontrollimin dhe parandalimin e faktorëve të rrezikut dhe për mbrojtjen e zemrës Tuaj.

Sëmundje kardiovaskulare të rralla dhe të neglizhuara

Duke e rritur ndërgjegjësimin për gjendjet të pazakonta dhe të neglizhuara, ne mund të kontribuojmë për diagnostikim më të mirë dhe mbrojtje shëndetësore të drejtë…sepse çdo rrahje zemre është e rëndësishme.

Edhe pse janë të rralla, së bashku sëmundjet e rralla kardiovaskulare prekin rreth 5% të popullsisë së botës. Ekzistojnë më shumë se 6000 sëmundje të rralla, disa prej të cilave prekin zemrën dhe sistemin e qarkullimit të gjakut.

80% e sëmundjeve të rralla kanë origjinë gjenetike dhe më së shpeshti shfaqen në fëmijërinë e hershme. Pacientët me sëmundje të tilla shpesh përballen me diagnostikim të vonuar, për shkak të mungesës së njohurive mjekësore dhe ndërgjegjësimit të ulët për këto gjendje, gjë që e rrit edhe më shumë ngarkesën sociale dhe financiare për individët e prekur si dhe për familjet e tyre.

Një nga këto sëmundje është kardiomiopatia amiloide transtiretinike (ATTR-CM), një lloj amiloidoze e zemrës. ATTR-CM është një gjendje e rrallë dhe fatale për të cilën dihet shumë pak, që ka si pasojë dështimin progresiv të zemrës. Kryesisht prek meshkujt mbi 60 vjeç, por mund të shfaqet edhe te femrat. Një sëmundje tjetër e rrallë është sëmundja Kawasaki, e cila po shfaqet gjithnjë e më shumë, ndërsa paraqet shkakun kryesor sëmundjeve të fituara të zemrës tek fëmijët.

Ka edhe sëmundje të zemrës që janë veçanërisht të rënda dhe imponojnë ngarkesa të mëdha shëndetësore për ata që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Për shembull, sëmundja e Chagas, të cilët e shkaktojnë parazitët e quajtur Trypanosoma cruzi, u zbulua më shumë se 100 vjet më parë dhe sot prek mbi shtatë milionë njerëz, duke qenë kështu një nga problemet më të përhapura shëndetësore në Amerikën Latine. Nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë dëmtim të përhershëm të zemrës dhe organeve të tjera vitale.

Sëmundja reumatike e zemrës (SRZ) prek rreth 39 milionë njerëz në mbarë botën dhe merr 291.000 jetë çdo vit, kryesisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Kjo sëmundje në të shumtën e rasteve shfaqet në fëmijëri dhe mund të ketë si rezultat vdekje ose invaliditet të përhershëm.

 

Përgatiti dhe përktheu:

Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve