• 19.10.2024

Çfarë thonë epidemiologët për H5N1


  Çfarë është A(H5N1)?

Influenca A(H5N1) është një nga disa viruset e gripit që shkakton një sëmundje shumë ngjitëse respiratore te shpendët që njihet si influenca aviare (ose "gripi i shpendëve"). Janë dokumentuar infeksione edhe te gjitarët, përfshirë këtu edhe te njerëzit.

Periudha e inkubacionit për infeksionin me A(H5N1) vlerësohet se zgjat deri në shtatë ditë, edhe pse zakonisht zgjat dy deri në pesë ditë pas ekspozimit të fundit ndaj shpendëve të sëmurë ose të ngordhur. Por periudha e inkubacionit mund të zgjasë edhe deri në 14 ditë.

Infeksioni me virusin e influencës A(H5N1) mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh te njerëzit, që manifestohen me forma të lehta deri në të rënda, ndërsa në disa raste mund të jetë edhe fatale. Vdekshmëria është deri në 50%.

 

Gjendja me A(H5N1) në Rajonin Evropian

Virusi i gripit të shpendëve A(H5N1) për herë të parë u shfaq në vitin 1996 dhe që atëherë shkakton epidemi te shpendët. Nga viti 2020 një variant i këtyre viruseve shkaktoi një numër shumë të madh të vdekjeve te shpendët e egër dhe shpendët në shumë vende të botës. Fillimisht preku Afrikën, Azinë dhe Evropën, në vitin 2021 virusi u përhap në Amerikën e Veriut, ndërsa në vitin 2022 në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Nga viti 2021 deri në vitin 2022 Evropa dhe Amerika e Veriut regjistruan epideminë më të madhe dhe më të përhapur të gripit të shpendëve me persistencë të pazakontë të virusit tek popullata e shpendëve të egër. Në Evropë vetëm gjatë epidemisë të vitit 2021/2022 u infektuan më shumë se 50 milionë zogj.

Nga 2 dhjetori i vitit 2023 dhe 20 shtatori i vitit 2024, u raportuan shpërthime të gripit të shpendëve shumë patogjene (HPAI) A(H5) tek shpendët shtëpiak dhe të egër (758) në 32 vende të Evropës. Nga vendet fqinje të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mostra pozitive janë regjistruar te shpendët në Bullgari (25), Serbi (9), Kosovë (1), BeH (1), Kroaci (9), Slloveni (14). Nuk është raportuar asnjë rast te njerëzit.

 

Si përhapet A(H5N1) tek njerëzit?

Pothuajse të gjitha rastet e infeksionit me virusin A(H5N1) te njerëzit lidhen me një kontakt të ngushtë me shpendë të gjallë ose të ngordhur të infektuar ose mjedise të kontaminuara me A(H5N1). Janë regjistruar edhe raste të përhapjes nga gjitarë të infektuar tek njerëzit. Sipas njohurive të deritanishme për këtë sëmundje, edhe pse mund të ketë pasur raste të pazbuluara, me sa duket virusi nuk i infekton lehtë njerëzit dhe/ose nuk përhapet nga një personi tek një person tjetër.

Janë vënë re grupe të vogla me të njëjtin ekspozim përpara fillimit të sëmundjes, por nuk është identifikuar asnjë transmetim i qëndrueshëm nga një njeri tek një njeri tjetër. Rastet e regjistruar tek njerëzit kanë raportuar për një ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj shpendëve në dukje të shëndetshme ose shpendëve të sëmurë përpara fillimit të sëmundjes.

 

Cilat janë simptomat e infektimit me A(H5N1) tek njerëzit?

Simptomat e raportuara janë kryesisht respiratore, por ka raste kur është regjistruar edhe konjuktivit dhe simptoma të tjera jo-respiratore. Ecuria klinike e rasteve tek njerëzit karakterizohet me një temperaturë të rritur të trupit, me ethe dhe kollë, me progresion të shpejtë në traktin e poshtëm të frymëmarrjes. Simptomat e traktit të sipërm respirator – rrjedhja e hundës dhe dhimbja e fytit mund të mos jenë të zakonshme tek të gjithë pacientët, por sëmundja mund të përparojë deri në insuficiencë respiratore sindromë të shqetësimit akut të frymëmarrjes (ARDS) dhe insuficiencë të më shumë organeve.

 

Si mjekohet infeksioni me A(H5N1) tek njerëzit?

Personat e sëmurë duhet të menaxhohen siç duhet që të parandalohen format e rënda të sëmundjes dhe vdekja. Pacientët me infeksion të virusit të gripit të konfirmuar në laborator e me sëmundje progresive, të komplikuar ose të rëndë - ose ata me sëmundje asimptomatike ose të lehtë, por që janë më të rrezikuar nga format e rënda të sëmundjes - duhet të mjekohen me barna antivirale, për shembull oseltamivir, dhe atë sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Si mund të mbrohen njerëzit nga infeksioni me gripin e shpendëve?

Në zonat me epidemi të gripit të shpendëve te kafshët, evitoni:

· kontaktin me kafshë të sëmura ose të ngordhura

· kontaktin me kafshë në ferma dhe në tregjet e kafshëve

· hyrjen në zonat ku mund të theren kafshët

· kontaktin me çdo sipërfaqe që mund të jetë e ndotur me jashtëqitje të kafshëve

· therjen ose ngrënien e kafshëve të sëmura.

 

Përmbahuni praktikave të mira të sigurisë së ushqimit si evitimi i konsumit të qumështit të papërpunuar, vezëve dhe mishit.

Mirëmbani higjienën kolektive dhe personale, përfshirë këtu larjen e rregullt të duarve me sapun dhe ujë.

Personat që mund të ekspozohen ndaj virusit në vendin e tyre të punës duhet t’i ndjekin protokollet e punës si dhe masat parandaluese në vendin e punës.

 

Çfarë duhet të bëni nëse mendoni se mund të jeni prekur nga gripi i shpendëve?

Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore nëse keni simptoma të ngjashme me gripin si ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje, ose konjuktivit ose simptoma të tjera të pashpjegueshme. Informoni mjekun tuaj për çdo ekspozim ndaj kafshëve të sëmura ose të ngordhura.

Krahas kësaj, ndërmerrni këto masa mbrojtëse:

· mbani maskë mbrojtëse dhe kufizoni kontaktin me njerëzit e tjerë;

· mbuloni gojën dhe hundën gjatë kollitjes ose teshtitjes, pecetat e përdorura hudhini në mënyrën e duhur;

· ventiloni rregullisht hapësirën ku qëndroni;

· evitoni prekjen e syve, hundës ose gojës; dhe

· lani duart rregullisht me sapun dhe ujë.

 

Vlerësimi i Rrezikut në Republikën e Maqedonisë

Duke pasur parasysh atë që u tha më sipër, rreziku nga infektimi me viruset e influencës së shpendëve A(H5) që aktualisht qarkullojnë në Evropë, duke përfshirë këtu edhe Republikën e Maqedonisë mbetet i ulët për popullatën e përgjithshme. Rreziku nga infektimi mbetet i ulët deri në mesatar për ata që janë të ekspozuar në mënyrë profesionale ose në ndonjë mënyrë tjetër ndaj kafshëve të infektuara ose ndaj një mjedisi të kontaminuar.

 

Mara të ndërmarra pas raportimit të një rasti të A(H5N1) tek një shpend në Republikën e Maqedonisë

1. Është mbajtur takim koordinativ i shërbimit epidemiologjik pranë ISHP-së me shërbimin epidemiologjik të QSHP- Shkup dhe përfaqësues të AUV-së.

2. Është bërë anketim epidemiologjik i të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me shpendët e prekur për ta vlerësuar rrezikun e tyre.

3. Po vazhdon mbikëqyrja shëndetësore e personave për një periudhë 14 ditore.

4. Në Njësinë e virologjisë pranë ISHP-së janë siguruar reagensë për testimin e njerëzve.

 

Burimi:

https://www.ecdc.europa.eu/en/avian-influenza

https://www.who.int/news-room/questions-and-answers/item/influenza-h5n1 

 

Ass. d-r. Dragan Koçinski

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse

Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë