• 10.12.2024

Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut


                                                                             

Dita e të Drejtave të Njeriut festohet çdo vit më 10 dhjetor - ditën kur në vitin 1948 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila u nënshkrua nga 56 shtete anëtare (DUDNj). Deklarata është një dokument që deklaron të drejtat e patjetërsueshme të çdo qenieje njerëzore – pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, gjuha, opinionet politike apo të tjera, origjina kombëtare apo sociale, pasuria, lindja apo statusi tjetër. I disponueshëm në më shumë se 500 gjuhë ajo është dokumenti më i përkthyer në botë. Dita e të Drejtave të Njeriut shërben si një përkujtim për t'u fokusuar në rëndësinë themelore të të drejtave të njeriut për çdo individ dhe për t'i përdorur ato si një udhëzues ditor për arritjen e drejtësisë, barazisë, paqes dhe lirisë për të gjithë.

Tema për vitin 2024: “Liri, barazi dhe drejtësi për të gjithë”

Të drejtat e njeriut fituan njohje dhe mbrojtje globale në dekadat pas ratifikimit të DUDNj. Deklarata shërbeu si bazë për zgjerimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, i cili tani përfshin grupe më të cenueshme si migrantët, popujt indigjenë dhe personat me nevoja të veçanta.

DUDNJ i siguron të drejtat e të gjitha qenieve njerëzore pa përjashtim. Nga e drejta për arsim, e deri tek e drejta për pagë të barabartë. Deklarata për herë të parë i vendosi të drejtat e pandashme dhe të patjetërsueshme të gjithë njerëzimit. Si "një standard i përbashkët i arritjeve për të gjithë popujt dhe të gjitha kombet", DUDNj është një plan global për ligjet dhe politikat ndërkombëtare, kombëtare dhe lokale dhe themeli i Agjendës  për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030. Agjenda  për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 tregon në mënyrë eksplicite se ajo është e bazuar në Deklaratën dhe duhet të zbatohet në një mënyrë që mbështet dhe realizon të drejtat e njeriut. DUDNj ka frymëzuar shumë beteja për mbrojtje më të madhe të të drejtave të njeriut dhe ka ndihmuar që ato të bëheshin të njohura. Megjithatë, përparimi nuk do të thotë se lufta për të drejta dhe barazi do të përfundojë. Të gjithë jemi në rrezik më të madh kurdo dhe kudo që braktisen vlerat e njerëzimit. Zgjidhjet për krizat më të mëdha të sotme i kanë rrënjët te të drejtat e njeriut. Ne duhet të ngrihemi për të drejtat tona dhe të të tjerëve. DUDNj u bën thirrje të gjithëve të ngrihen për të drejtat e tyre, sepse ne të gjithë kemi një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në botë.

Rëndësia e Ditës së të Drejtave të Njeriut

Kjo Ditë është një përkujtim i fuqishëm për të drejtat dhe liritë themelore të çdo individi, pavarësisht nga prejardhja e tyre, dhe thekson përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Është një thirrje për veprim për të gjitha kombet, organizatat dhe individët për ta promovuar barazinë, drejtësinë dhe dinjitetin për të gjithë dhe për të punuar për një shoqëri në të cilën të drejtat e njeriut njihen, mbrohen dhe gëzohen në mënyrë universale.


Përktheu dhe përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve