- 21.12.2024
REKOMANDIME PËR QYTETARËT DHE PUBLIKUN
Instituti i Shëndetit Publik paraprakisht publikoi udhëzime përgatitore për qytetarët, punonjësit shëndetësorë dhe objektet e hotelierisë në lidhje me ndërprerjen e furnizimit me ujë. Sot rekomandimet tona janë në drejtim të asaj se çfarë hapash duhet të ndërmerren pas rifillimit të furnizimit me ujë.
Duke pasur parasysh se është paralajmëruar ndërprerje e furnizimit me ujë, popullata duhet të jetë e vetëdijshme dhe e informuar se rreziqet për shëndetin e qytetarëve mund të shfaqen jo vetëm gjatë mungesës së ujit, por madje edhe të rriten pas lëshimit të ujit të pijshëm në rrjetin e ujësjellësit, pra pas sanimit të defektit.
Prandaj, si masa parandaluese të shëndetit publik dhe masa për kujdes, rekomandojmë që:
- Qytetarët nuk duhet ta pinë ujin menjëherë pasi ai lëshohet në rrjetin e ujësjellësit, sepse koha e kontaktit të klorit rezidual dhe ujit në rrjet (koha e nevojshme që klori rezidual të fillojë të veprojë në mikrobiomën e pranishme në ujë), gjatë temperaturave më të ulëta të ambientit mund të zgjasë deri në 1 orë;
- Është e pritshme që uji i pijshëm ta ndryshojë ngjyrën, të ketë një aromë të pazakontë, të ketë turbullirë të dukshme ose madje edhe trupa të huaj (kokrra të vogla të rërës ose insekte, etj.) pasi të lëshohet në rrjetin e ujësjellësit. Në një rast të tillë sërish vlejnë rekomandimet që të mos pihet deri në stabilizimin e atyre vetive organoleptike (ngjyra, aroma, shija, turbullira);
-Menjëherë pas mbushjes së tubacioneve të ujit nëpër shtëpi, duhet të hapen TË GJITHA rubinetat në shtëpi dhe të lihet uji të rrjedhë për disa minuta, pas kësaj të kontrollohet nëse vetitë organoleptike janë në rregull dhe vetëm atëherë të pihet;
- Pas kësaj rrjedhjeje të ujit është e nevojshme që t’i pastroni më shpesh dhe mirë rrjetat e çezmave (me një pastrues për tualet ose me uthull të bardhë);
- Si masë shtesë e kujdesit rekomandohet që nëse qytetarët vendosin të pijnë ujë menjëherë, ai të zihet shumë shkurt (1-2 minuta), e pastaj të ftohet dhe konsumohet;
– Qytetarët duhet të kenë parasysh se uji i zier e humbet shijen e këndshme. Kjo shije mund të përmirësohet nëse uji derdhet nga një gotë në tjetrën disa herë, në mënyrë që të lidhet me më shumë oksigjen nga ajri (t’i bëhet ajrim);
- Është mirë që gjatë orëve të para pas lëshimit të ujit në rrjetin e ujësjellësit, qytetarët të vazhdojnë të konsumojnë ujë të ambalazhuar, deri sa ndërmarrja publike të njoftojë se uji është i rregullt dhe i sigurt për konsumim;
- Sa i përket ujit për larje rekomandojmë që pas lëshimit të ujit në rrjetin e ujësjellësit detyrimisht të rritet temperatura e ujit në bojlerë (në kuzhinë, banjë etj.) që të mund të bëhet shkatërrim termik shtesë preventiv i baktereve që mund të kenë depërtuar hyrë në rrjetin e ujësjellësit;
- Më mirë është që temperatura e ujit të nxehtë në çezma të jetë mbi 55 °C, megjithatë duhet pasur kujdes që të mos digjeni, sidomos fëmijët e vegjël ose të moshuarit.
MË E RËNDËSISHME nga gjithçka është respektimi i rekomandimeve të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe institucione të tjera përkatëse të përfshira në këtë proces, të publikuara në uebfaqet e tyre ose nëpërmjet mjeteve dhe platformave të tjera të informacionit.