- 09.05.2025
10 Maji - Dita Botërore e Aktivitetit Fizik
Motoja për vitin 2025 - "Më shumë nga e njëjta nuk mjafton"
Siç e dimë të gjithë, ushtrimet fizike kanë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e zemrës, trupit dhe mendjes tonë dhe kontribuojnë në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe diabetit, i reduktojnë simptomat e depresionit dhe ankthit dhe mundësojnë rritjen dhe zhvillimin tek të rinjtë. Por, 1 në 4 të rritur nuk i përmbushin nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik. Përveç kësaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se në vit mund të parandalohen rreth 5 milionë vdekje vetëm duke praktikuar aktivitet fizik të rregullt dhe të shtuar. Kjo barrë e madhe sëmundjesh që i atribuohet mungesës së aktivitetit fizik është për shkak të:
(a) prevalenca e lartë e mungesës së aktivitetit fizik tek të rriturit (30%) dhe adoleshentët (80%) në mbarë botën; dhe
(b) rritja e rrezikut nga shumë sëmundje tek individët joaktivë krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre aktivë.
Pavarësisht përparimit të ndjeshëm në mbikëqyrjen e aktivitetit fizik, hulumtimeve dhe politikat në të gjithë botën, nivelet e aktivitetit fizik nuk po rriten, që tregon se "Më shumë nga e njëjta gjë nuk mjafton". Prandaj duhet t'i përkujtojmë punonjësit shëndetësorë, politikëbërësit dhe shoqërinë në përgjithësi për rëndësinë e aktivitetit fizik për shëndetin, prandaj lind nevoja për të shënuar Ditën Botërore të Aktivitetit Fizik çdo vit.
Çfarë paraqet aktiviteti fizik?
Aktiviteti fizik përkufizohet si çdo lëvizje trupore e prodhuar nga sistemi muskuloskeletor gjatë të cilës shpenzohet energji. Qeveritë kanë përgjegjësi tua bëjnë më të lehtë individëve që ta zgjedhin aktivitetin fizik si pjesë të rutinës së tyre të përditshme. Qasja në aktivitet fizik të këndshëm, të sigurt, të shëndetshëm, të barabartë dhe të qëllimshëm duhet të jetë një përparësi shoqërore. Shoqata Ndërkombëtare për Aktivitetin Fizik dhe Shëndetin (ISPAH) mbështet Ditën Botërore të Aktivitetit Fizik 2025 si pjesë e angazhimeve të saj globale për ta promovuar aktivitetin fizik dhe shëndetin, ndërsa më konkretisht, përmes Tetë Investimeve që Funksionojnë për Aktivitetin Fizik - Strategji Veprimi për të Promovuar Komunitete më të Shëndetshme, duke përfshirë aktivitetin fizik në politikat kombëtare dhe nënkombëtare.
Cila është zgjidhja?
Ka ardhur koha për të kaluar nga një qasje e "personit të sëmurë" në një qasje të "popullatës së shëndetshme". Për dekada të tëra promovimi i aktivitetit fizik është përqendruar tek ata që janë joaktivë. Tani është koha të përqendrohemi te e gjithë popullata dhe të përpiqemi ta zhvendosim të gjithë shpërndarjen e aktivitetit fizik drejt një aktiviteti më të madh. Një numër i madh provash sugjerojnë se një aktivitet fizik, edhe nëse është nën 150 minutat e rekomanduara në javë, mundëson përfitime të konsiderueshme shëndetësore për individët dhe komunitetet. Megjithatë, për të arritur një qëllim të tillë, është e domosdoshme të merret parasysh konteksti në të cilin jetojnë njerëzit. Një sasi e konsiderueshme aktiviteti fizik, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe midis familjeve me të ardhura të ulëta në vendet shumë të zhvilluara, është më shumë një domosdoshmëri sesa një zgjedhje. Në raste të tilla, përveç promovimit të aktivitetit fizik, është e domosdoshme të promovohet shëndeti, barazia dhe drejtësia. Është gjithashtu e rëndësishme të punohet jashtë sektorit të shëndetësisë; Rritja e aktivitetit fizik kërkon gjithashtu punë me agjencitë sportive, zonat urbane, arsimin dhe sektorët e planifikimit. Për dekada të tëra përqendrimi ka qenë tek aktiviteti fizik i përgjithshëm, i cili është një kombinim i aktiviteteve që ndodhin në punë, në shkollë, në shtëpi, gjatë kohës së lirë dhe si mënyrë transporti. Ka ardhur koha që të studiohet secila prej këtyre fushave në veçanti, pasi aktivitetet që zhvillohen në secilën prej tyre ndryshojnë ndjeshëm për sa i përket domosdoshmërisë kundrejt zgjedhjes.
Mesazhe themelore
• Mungesa e aktivitetit fizik shkakton po aq vdekje sa pirja e duhanit në mbarë botën çdo vit.
• Nivelet e aktivitetit fizik nuk po rriten në mbarë botën.
• Ka ardhur koha për ta ndryshuar fokusin e promovimit të aktivitetit fizik: në vend që të synohen individët joaktivë, është koha për ta drejtuar atë te e gjithë popullata.
• Është e domosdoshme të merret në konsideratë konteksti në të cilin zhvillohet aktiviteti fizik dhe nëse ai praktikohet si domosdoshmëri apo si zgjedhje.
Përktheu dhe përpunoi: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve