• 09.06.2025

7 Qershori Dita Botërore e Sigurisë së Ushqimit


Me ushqim të sigurt për shëndet më të mirë - shkenca në veprim për ushqim të sigurt

Ushqimi mund të kontaminohet nga më shumë rreziqe: baktere, viruse, parazitë, kimikate, mund të shkaktojnë të paktën 200 sëmundje të ndryshme. Këto sëmundje ndikojnë në sistemin shëndetësor, arsimin, ekonominë dhe zhvillimin e çdo vendi. Por, këto sëmundje janë të parandalueshme, ndërsa secili nga ka rolin e tij në këtë proces, jo vetëm prodhuesit dhe shitësit e ushqimit, por edhe organet kompetente në drejtim të miratimit të rregulloreve për ushqim të sigurt dhe kontroll të ushqimit. Konsumatorët, e këto jemi të gjithë ne, kanë një rol të madh në parandalimin e sëmundjeve, kuptohet nëse jemi të informuar dhe nëse ndërmarrim veprime.

Çdo vit më 7 qershor Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) punojnë së bashku për ta shënuar këtë ditë në mbarë botën. Në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimit ne përkujtohemi se siguria e ushqimit është një e drejtë dhe përgjegjësi kolektive - të gjithë duhet ta luajnë rolin e tyre.

Çdo subjekt që merr pjesë në zinxhirin e furnizimit me ushqim - prodhuesit, përpunuesit, importuesit, tregtarët dhe konsumatorët – janë të detyruar që t’i zbatojnë praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare për ta ruajtur sigurinë e ushqimit. Standardet për ushqim të sigurt janë produkt i një zbatimi të qartë dhe të mirëmenduar të provave shkencore që hulumtojnë se si dhe pse ushqimi mund të kontaminohet dhe të na sëmurë. Shkencëtarët i vlerësojnë dhe i analizojnë rreziqet për shëndetin e njeriut që lidhen me rreziqet tashmë të njohura dhe të definuara, si dhe rreziqet e reja të pritura dhe të papritura ndaj sigurisë ushqimit dhe ofrojnë këshilla për t’i ndihmuar politikëbërësit, operatorët e ushqimit dhe konsumatorët.

Pa shkencë dhe prova shkencore nuk mund të ruhet siguria e ushqimit përgjatë gjithë zinxhirit të prodhimit, transportit dhe shitjes, i cili shpesh mund të qarkullojë të gjithë globin dhe kalo kufij të shumtë. Për këtë arsye motoja e Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimit të këtij viti e thekson rolin e rëndësishëm që e luan shkenca në marrjen e vendimeve të bazuara në shkencë lidhur me ushqimin.

Mikrobiologjia dhe toksikologjia luajnë një rol kyç në kontrollin e sigurisë ushqimit. Në interes të shëndetit publik operatorët e ushqimit kanë për detyrë ta monitorojnë praninë e kontaminentëve të ndryshëm në produktet e tyre. Për këtë lloj shërbimi mund të drejtohen pranë laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik, të cilët punojnë me metoda të akredituara. Ndryshimet klimatike si një problem global nuk e anashkalojnë as vendin tonë. Provat shkencore tregojnë se në kushte të temperaturave të larta, thatësirave dhe përmbytjeve ne duhet të presim një rritje të kontaminimit të ushqimit me mikroorganizma dhe mikotoksina. Për këtë arsye nevojitet një veprim dhe bashkëpunim multisektorial, ku njohuritë shkencore duhet të përdoren për ta parandaluar kontaminimin e ushqimit.

Viteve të fundit një problem shumë aktual në mbarë botën është rritja e rezistencës antimikrobike të baktereve si Salmonella, Campylobacter, Staphylococcus aureus. Këto janë mikroorganizma që shfaqen si kontaminentë të ushqimit që është edhe një mënyrë tjetër se si njerëzit mund të infektohen me mikroorganizma rezistentë ndaj antibiotikëve dhe ta zgjasin mjekimin, ndërsa ndonjëherë të shkaktojnë një rezultat fatal të sëmundjes.