- 28.07.2025
28 Korriku – Dita Botërore e Hepatitit – “Hepatiti: T’i thejmë barrierat“
Çdo vit më 28 korrik Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shënon Ditën Botërore të Hepatitit për ta rritur ndërgjegjësimin për hepatitin viral dhe rëndësinë e tij shëndetësore publike, sidomos për hepatitin B dhe C, sëmundje që paraqesin një sfidë serioze për shëndetin global.
Kjo ditë shënohet për nder të ditëlindjes së Dr. Baruch Samuel Bloomberg, shkencëtar amerikan të cilit i takonmerita për zbulimin e virusit të hepatitit B (HBV) dhe zhvillimin e vaksinës kundër tij.
Tema e këtij viti "Hepatiti: T’i thejmë barrierat" bën thirrje për veprime urgjente për eliminimin e barrierave financiare, sociale dhe sistemike, përfshirë këtu edhe stigmën, që e pengojnë eliminimin e hepatitit dhe parandalimin e kancerit të mëlçisë. Fushata është një përkujtim se duhet të veprojmë tani për ta zgjeruar qasjen në parandalim dhe diagnostikim, për të mundësuar trajtim të integruar dhe për t'i dhënë fund hepatitit si një problem shëndetësor publik deri në vitin 2030.
Eliminimi i hepatitit mund të arrihet nëpërmjet një qasjeje të shumëfishtë që përfshin rritjen e ndërgjegjësimit publik, edukimin dhe informimin, testimin e gjerë dhe diagnostikimin në kohë, trajtimin dhe vaksinimin e duhur kundër hepatitit B. Çdo masë që synon parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin kontribuon ndjeshëm në arritjen e qëllimit që është eliminimi i kësaj sëmundjeje. Ekszistimi i një vaksine efikase dhe të disponueshme kundër virusit të hepatitit B, si dhe përdorimi i barnave moderne që trajtojnë me sukses infeksionin kronik të hepatitit C, japin shpresë se mund të arrihet eliminimi i plotë i hepatitit.
Çfarë është hepatiti viral?
Hepatiti viral është një inflamacion i mëlçisë i shkaktuar nga pesë lloje të ndryshme virusesh: A, B, C, D dhe E. Ato dallojnë sipas mënyrës së transmetimit, rëndësisë së sëmundjes dhe disponueshmërisë së mjeteve për parandalim dhe trajtim.
Hepatiti A - një sëmundje akute virale e mëlçisë që transmetohet nëpërmjet rrugëve fekalo-orale. Më shpesh është asimptomatik ose ka një pasqyrë të lehtë klinike, sidomos tek fëmijët nën pesë vjet, ndërsa me moshën rritet edhe rreziku nga format më të rënda të sëmundjes. Nuk shkakton sëmundje kronike dhe ka një shkallë të ulët të vdekshmërisë. Pas shërimit sëmundja siguron imunitet gjatë gjithë jetës. Sot në dispozicion ka vaksinë të sigurt dhe efikase që rekomandohet kur udhëtoni në rajone me rrezik ose sipas indikacioneve epidemiologjike.
Hepatiti B - infeksion i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit B (HBV). Mund të transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar dhe lëngjet e tjera të trupit, gjatë injektimit të drogës, përdorimit të pajisjeve mjekësore jo-sterile dhe nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Mund të transmetohet gjithashtu nga nëna tek i porsalinduri gjatë lindjes. Infeksioni mund të jetë akut ose kronik, ndërsa hepatiti B kronik mund të shkaktojë cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Sot në dispozicion ka vaksinë të sigurt dhe efikase, e cila është masa më efektive për parandalim. Në Republikën e Maqedonisë vaksina e hepatitit B bën pjesë në Kalendarin e Imunizimit si një vaksinim i detyrueshëm që nga viti 2004. Vaksinimi I mbulon të gjithë të porsalindurit, dhe kryhet me tre doza të vaksinës kundër hepatitit B.
Hepatiti C - transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar, më shpesh nëpërmjet përdorimit të drogës me injektim ose procedurave mjekësore të pasigurta. Shpesh nuk ka simptoma, kështu që shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm se janë të infektuar. Shumica e njerëzve që infektohen zhvillojnë infeksion kronik, i cili përfundimisht mund të shkaktojë cirrozë ose kancer të mëlçisë. Nuk ka vaksinë, por ka terapi efikase antivirale që mund ta kurojë plotësisht hepatitin C.
Hepatiti D - infeksion viral i rrallë por serioz që ndodh vetëm tek njerëzit që janë tashmë të infektuar me hepatit B, sepse virusi D nuk mund të shtohet pa praninë e virusit B. Transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun dhe lëngjet e trupit të infektuara. Infeksioni mund të shkaktojë një formë më të rëndë të sëmundjes dhe përparim më të shpejtë në cirrozë dhe dëmtim të mëlçisë.
Hepatiti E - infeksion i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit E (HEV). Në të shumtën e rasteve transmetohet nëpërmjet rrugëve fekale-orale, nëpërmjet ujit ose ushqimit të kontaminuar. Shkakton një infeksion akut, që mund të jetë serioz tek gratë shtatzëna dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.
Hepatiti në botë dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Sipas Raportit Global të OBSH-së për Hepatitin për vitin 2024, numri i jetëve të humbura si pasojë e hepatitit viral është në rritje.
Sipas të dhënave të OBSH-së, 304 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me hepatit kronik B dhe C, ndërsa në vitin 2022 nga hepatiti kronik B dhe C kanë vdekur 1,3 milionë njerëz. Vetëm 45% e të porsalindurve kanë marrë vaksinën kundër hepatitit B brenda 24 orëve të para të lindjes.
Sëmundja është shkaku i dytë kryesor i vdekjes në mbarë botën me origjinë infektive - me 1,3 milionë vdekje në vit, njësoj sa tuberkulozi, i cili është një nga sëmundjet më vdekjeprurëse infektive. Në mbarë botën çdo ditë nga infeksionet e hepatitit vdesin 3.500 njerëz - 83% nga hepatiti B dhe 17% nga hepatiti C.
Hepatiti А
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2024 hepatiti viral A u regjistrua me 3 persona të infektuar dhe një incidencë prej 0,2 në 100.000 banorë. Në periudhën 2015-2024 u regjistrua një trend negativ në numrin e rasteve të raportuara, me numrin më të ulët të personave të infektuar dhe incidencë në vitin 2024.
Hepatiti B
Gjatë vitit 2024 infeksionet e shkaktuara nga virusi i hepatitit B janë në vendin e parë për nga numri i sëmundjeve të regjistruara në grupin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe të gjakut në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe ato marrin pjesë me 26,8% në sëmundjet e përfaqësuara në këtë grup. Hepatiti viral B në vitin 2024 është regjistruar tek 57 persona (I=3,1/100,000). Në periudhën 2015-2024, incidenca varion nga 1,4 në vitin 2021 në 7,2 në 100.000 banorë në vitin 2015 dhe shënon një tendencë të rënies.
Mbulimi vaksinal me dozën e parë të vaksinës kundër hepatitit B për të porsalindurit në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 është 97,3%, ndërsa me dozën e dytë është 94,4%. Mbulimi me 3 doza të vaksinës është 91,3%.
Hepatiti C
Hepatiti viral C në Republikën e Maqedonisë në vitin 2024 u regjistrua me 16 raste (I=0,9/100,000). U regjistrua një rritje prej 77,8% krahasuar me vitin 2023 (n=9).
Në periudhën 2015-2024 incidenca varionte nga 0,1 në vitin 2021, në 2,9 në vitin 2015 ose një mesatare prej 1,4/100.000.
MASA PËR PARANDALIMIN E HEPATITEVE VIRALE
Parandalimi i hepatitit varet nga lloji i virusit, por përfshin disa masa kryesore:
Vaksinimi
· Hepatiti A dhe B mund të parandalohen me sukses me vaksina të sigurta dhe të disponueshme.
· Vaksinimi kundër hepatitit B e parandalon edhe hepatitin D. Rekomandohet që individët HCV pozitivë të vaksinohen kundër hepatitit B.
Sigurimi i ujit dhe ushqimit të sigurt
· Hepatiti A dhe Е transmetohen me rrugë fekale-orale, kështu që parandalohen me higjienë të mirë, ujë të pijshëm të sigurt dhe përpunim të duhur të ushqimit.
Procedura të sigurta kozmetike dhe mjekësore
· Për hepatitin B, C dhe D, përdorimi i pajisjeve mjekësore sterile, gjakut të testuar për transfuzion dhe praktikave të sigurta dentare dhe kozmetike është i rëndësishëm.
Marrëdhënie seksuale të sigurta dhe evitim i ndarjes së gjësendeve që mund të përmbajnë gjak
· Përdorimi i prezervativëve dhe evitimi i përdorimit të përbashkët të gjilpërave, furçave të dhëmbëve, brisqeve etj.
Testim dhe mjekim në kohë
· Testimi dhe trajtimi në kohë i individëve në rrezik e parandalon përhapjen dhe zhvillimin e komplikimeve.
Duke i kombinuar këto masa, bëhet i mundur parandalimi dhe kontrolli i suksesshëm i hepatitit viral.