• 10.10.2025

10 Tetori – Dita Botërore e Shëndetit Mendor


 

 Dita Botërore e Shëndetit Mendor - 10 Tetor 2025

"Shëndeti mendor në krizat humanitare"

Dita Botërore e Shëndetit Mendor na përkujton se nuk ka shëndet të vërtetë pa shëndet mendor. Këtë vit fushata është e fokusuar në nevojën urgjente për mbështetje psikologjike dhe sociale për njerëzit e prekur nga krizat humanitare.

Fatkeqësitë natyrore, konfliktet e armatosura dhe emergjencat shëndetësore kanë pasoja të thella emocionale. Sipas vlerësimeve, në rrethana të tilla një në pesë persona zhvillon një lloj çrregullimi mendor. Mbështetja e shëndetit mendor në kohë krize nuk është vetëm çështje humanitare, por shpëton edhe jetë duke u dhënë njerëzve forcë për t'u përballur, kohë për t'u shëruar dhe mundësinë për ta rindërtuar jetën e tyre, si në nivel individual ashtu edhe në atë të komunitetit.

Kjo është arsyeja pse është qenësore që të veprojmë të gjithë së bashku – përfaqësuesit e institucioneve, ofruesit e shërbimeve shëndetësore dhe sociale, edukatorët dhe organizatat e shoqërisë civile. Vetëm me angazhim të koordinuar dhe të përbashkët mund të sigurojmë qasje në mbështetjen e nevojshme për më të cenueshmit, duke e ruajtur njëkohësisht mirëqenien psikologjike të të gjithë popullatës.

Pse është e rëndësishme kjo?

·         Në kohë krize pothuajse të gjithë përjetojnë stres psikologjik dhe ndërprerje të lidhjeve shoqërore. Njerëzit humbasin shtëpitë e tyre, familjet ndahen, komunitetet shkatërrohen. Edhe pse vetëm një në pesë persona mund të zhvillojë çrregullim mendor, pothuajse të gjithë personat e prekur përjetojnë shqetësim emocional, ndërprerje të lidhjeve shoqërore dhe humbje të ndjenjës së përkatësisë në komunitete, gjë që shpesh zgjat shumë kohë pasi të ketë kaluar rreziku. Prandaj, kujdesi i vazhdueshëm për shëndetin mendor dhe mbështetja psikosociale në kohë janë elemente qenësore në procesin e rimëkëmbjes dhe ndërtimit të rezistencës, sidomos për njerëzit me çrregullime të rënda mendore.

·         Migrantët dhe refugjatët përballen me një ngarkesëë të vazhdueshme psikologjike të shkaktuar nga burime të ndryshme të stresit: konflikti i armatosur, shpërngulja, rrugëtimet e rrezikshme, si dhe vështirësitë gjatë integrimit në vendet nikoqire. Deri në fund të vitit 2024 me forcë u zhvendosën mbi 123 milionë njerëz, 71% e të cilëve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe mesatare, ku qasja në kujdes shëndetësor është e kufizuar për shkak të sistemeve shëndetësore të mbingarkuara dhe shërbimet e shëndetit mendor janë pothuajse të padisponueshme.

Gjendja me shëndetin mendor në Maqedoni

Sipas Raportit për Çrregullimet Mendore në Maqedoni (2014–2023) të përgatitur nga Instituti i Shëndetit Publik, në dekadën e fundit në vendin tonë çdo vit janë regjistruar rreth 6.000 raste spitalore të lidhura me çrregullime mendore dhe të sjelljes sipas klasifikimit të OBSH-së (ICD-10).

Diagnozat më të shpeshta janë skizofrenia dhe çrregullimet e ngjashme (26,9%), si dhe çrregullimet e shkaktuara nga përdorimi i substancave psikoaktive (24,2%). Çrregullimet neurotike të lidhura me stresin dhe somatoforme dominojnë në shërbimet ambullatore, duke përbërë mbi 60% të të gjitha rasteve, të ndjekura nga çrregullimet e humorit (13,6%) dhe skizofrenia (6,3%).

Hulumtimet e kryera pas pandemisë së COVID-19 tregojnë se të rinjtë janë një grup veçanërisht i cenueshëm - pothuajse një në tre adoleshentë ka raportuar simptoma të depresionit ose ankthit, që tregon për pasoja psikologjike afatgjata të krizave shëndetësore dhe sociale.

Sipas hulumtimit "Pasojat e pandemisë së COVID-19 ndaj shëndetit të popullatës së rritur në Maqedoni" të kryer në vitin 2022, më shumë se një e treta e të anketuarve kanë deklaruar se kanë përjetuar stres të shtuar, ankth ose ndjenjë pasigurie, ndërsa një në katër kanë deklaruar se kanë pasur simptoma depresioni. Më të prekura kanë qenë gratë, personat me sëmundje kronike dhe ata që kanë humbur një anëtar të ngushtë të familjes ose vendin e punës. Pandemia gjithashtu ka shkaktuar edhe një përkeqësim të zakoneve të përditshme, siç janë çrregullimi i gjumit, të ushqyrerit e pashëndetshëm dhe aktiviteti i reduktuar fizik, të cilat pastaj kanë ndikuar në mirëqenien psikologjike. Këto gjetje e theksojnë rëndësinë e mbështetjes sistemike psikosociale dhe përmirësimin e njohurive shëndetësore për përballimin e stresit dhe situatave të krizës.

Edhe krahas progresit të arrirë, qasja në shërbimet e shëndetit mendor mbetet e kufizuar dhe e pamjaftueshme, sidomos në zonat rurale ku një pjesë e institucioneve shëndetësore përballen me mungesë të kuadrove profesionale dhe me një shpërndarje të pabarabartë të burimeve.

Për ta përmirësuar shëndetin mendor në nivel kombëtar nevojitet një përforcim i procesit të parandalimit, krijimi i ekipeve mobile dhe shërbime të shëndetit mendor në distancë (mbështetje psikologjike online), si dhe përfshirje e shëndetit mendor në të gjitha politikat publike, nga arsimi dhe puna deri te mbrojtja sociale dhe e të rinjve.

Një prioritet kyç është rritja e investimeve buxhetore në këtë fushë të drejtuara nga parandalimi, edukimi i vazhdueshëm i punonjësve shëndetësorë dhe socialë, si dhe reduktimin e stigmës dhe diskriminimit përmes fushatave publike që promovojnë rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor dhe shembujve pozitivë të rimëkëmbjes.

Një rëndësi e veçantë duhet tu kushtohet programeve të shëndetit mendor për fëmijët dhe të rinjtë, përmes përfshirjes së mbështetjes psikologjike në shkolla dhe përforcimit të shërbimeve profesionale.

Me përforcimin e qendrave të shëndetit mendor në nivel lokal dhe duke krijuar kushte për mbështetje në kohë dhe të qasshme, mund të ndërtohet një mjedis në të cilin shëndeti mendor do të njihet si prioritet dhe një përgjegjësi e përbashkët shoqërore.

 

Mesazhet themelore për vitin 2025

Ø  Shëndeti mendor në gjendje krize

Konfliktet, fatkeqësitë dhe emergjencat shëndetësore kanë një ndikim serioz ndaj shëndetit mendor. Vlerësohet se një në pesë persona në zonat e prekura nga krizat kanë ndonjë formë të çrregullimit mendor. Frika, ankthi ose trishtimi janë përgjigje e natyrshme ndaj ekspozimit ndaj ngjarjeve jashtëzakonisht stresuese.

Ø  Shëndeti mendor është parakusht për rimëkëmbjen e jetës

Krahas ushqimit, ujit dhe barnave, të mbijetuarit kanë nevojë edhe për mbështetje psikologjike dhe sociale për t'u përballuar, për t'u rikuperuar, për ta rivendosur shpresën dhe për ta rindërtuar jetën e tyre.

Ø  Integrimi i shëndetit mendor në përgjigjen ndaj krizave

Kur shëndeti mendor dhe mbështetja psikosociale janë pjesë integrale e çdo plani reagimi ndaj emergjencave, kjo jo vetëm që shpëton jetë, por edhe i përforcon sistemet shëndetësore dhe krijon komunitete më elastike.

Ø  Investimi në shëndetin mendor do të thotë investim në shërim

Investimi në shërbimet e shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale i ndihmon familjet, komunitetet dhe ekonomitë të rimëkëmben nga krizat, kontribuon në ndërtimin e sistemeve më të forta shëndetësore dhe në përforcimin e kapaciteteve për rezistencë afatgjatë.

Ø  Kujdesi për shëndetin mendor shpëton jetë

Paketa e minimale e shërbimeve për mbështetje për shëndetin mendor dhe psikosocial (MHPSS Minimum Service Package) ofron zgjidhje të provuara për kujdes të koordinuar, në kohë dhe efektiv në situata emergjente.

Ø  Kujdesi gjithëpërfshirës për shëndetin mendor krijon komunitete më të forta

Mbështetja duhet t’i përfshijë të gjithë: fëmijët, të rriturit, personat me aftësi të kufizuara, refugjatët dhe personat me çrregullime mendore ekzistueseështë e domosdoshme që të kapërcehen pengesa të tilla si stigma, diskriminimi, vështirësitë financiare dhe barrierat gjuhësore.

Ø  Promovimi i mirëqenies mendore përmes qasjeve të ndryshme

Nga mjetet për vetëndihmë dhe ndihmë të parë psikologjike deri te shërbimet e specializuara të shëndetit mendor - të gjitha format e mbështetjes duhet të jenë të qasshme dhe të përshtatura sipas nevojave të komuniteteve.

Ø  Kujdesi për mirëqenien e punonjësve humanitarë

Ata janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të stresit dhe shpesh preken drejtpërdrejt nga krizat ndaj të cilave reagojnë. Prandaj, organizatat duhet të ofrojnë mbikëqyrje profesionale, kohë të lirë, mbështetje dhe programe për shëndetin mendor në vendin e punës për ta ruajtur integritetin, stabilitetin dhe efektivitetin e tyre.

Ø  Mbroni shëndetin mendor personal

Bëjeni shëndetin tuaj mendor prioritet! Mbani kontaktet me të dashurit tuaj, qëndroni fizikisht aktivë, ndiqni një rutinë të shëndetshme ditore, zvogëloni konsumin e alkoolit, angazhohuni në aktivitete që ju plotësojnë dhe kërkoni ndihmë dhe mbështetje kur keni nevojë, nga miqtë, familja ose punonjësit shëndetësorë.

Në këtë Ditë Botërore të Shëndetit Mendor të përkujtojmë se kujdesi për shëndetin tonë mendor është kujdes për shëndetin tonë të përgjithshëm.

Shëndeti mendor duhet të vlerësohet dhe të mbrohet, ndërsa shërbimet në këtë fushë duhet të jenë të arritshme për të gjithë, sidomos në kohë pasigurie, krize dhe ndryshimi.

Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe solidaritetit ne mund të ndërtojmë një shoqëri që e pranon dhe kujdeset për mirëqenien mendore, njësoj si për shëndetin fizik.

Me qasje të bazuara në prova dhe pjesëmarrje aktive të komunitetit, ne mund t'u përgjigjemi në mënyrë më efikase nevojave urgjente. Prandaj, vazhdimësia në kujdesin për shëndetin mendor dhe mbështetja psikosociale duhet të mbetet një përparësi gjatë çdo krize dhe pas saj, sepse vetëm me mbështetje të vazhdueshme dhe të qasshme mund të arrihet shërim i vërtetë dhe rezistencë sociale.

Le të jetë kjo ditë një përkujtim se kujdesi për shëndetin mendor është një përgjegjësi e përbashkët dhe themeli për komunitete më të forta, më të lumtura dhe më elastike.

Referenca

  1. World Health Organization (WHO). World Mental Health Day 2025: Mental health in humanitarian emergencies. Geneva: WHO; 2025.
    Достапно на: 
    https://www.who.int/campaigns/world-mental-health-day/2025
  2. Бачановиќ М. Извештај од истражувања на последиците од КОВИД-19 пандемијата на менталното здравје на адолесцентите во Република Северна Македонија. Уредник: Ќосевска Е. Скопје: ЈЗУ Институт за јавно здравје на Република Северна Македонија; 2024.
    Достапно на: 
    https://iph.mk/Upload/Documents/Izvestaj%20posledici%20od%20kovid19%20kaj%20mladi.pdf
  3. Бачановиќ М, Василеска Л. Последици од КОВИД-19 пандемијата врз здравјето на возрасното население во Република Северна Македонија. Уредник: Ќосевска Е.
    Скопје: ЈЗУ Институт за јавно здравје на Република Северна Македонија; 2022.
    Достапно на: 
    https://iph.mk/Upload/Documents/Informacija%20kovid%2019%20finish.pdf
  4. Речица В, Бајрактаров С, Андоновска М, Алиу С, Мицајков С. Извештај за ментални растројства во Република Северна Македонија, 2014–2023. Уредник: Речица В. Скопје: ЈЗУ Институт за јавно здравје на Република Северна Македонија; 2024.
    Достапно на: 
    https://iph.mk/Upload/Documents/ИЗВЕШТАЈ%20ЗА%20МЕНТАЛНО%20ЗДРАВЈЕ%202014-2023.pdf