- 31.05.2026
31 Maji – Dita Botërore Pa Duhan
Çdo vit më 31 maj Instituti i Shëndetit Publik e shënon 31 Majin – Ditën Botërore Pa Duhan, një ditë kushtuar rritjes së ndërgjegjësimit rreth efekteve të dëmshme të përdorimit të duhanit dhe produkteve të nikotinës ndaj shëndetit të njeriut dhe shoqërisë. Këtë vit, tema e Ditës Botërore pa Duhan është: "Zbulimi i asaj që ju josh – përballja me varësinë nga nikotina dhe duhani", me fokus në taktikat që përdor industria për t’i joshur të rinjtë drejt pirjes së duhanit dhe përdorimit të produkteve të nikotinës. Përmes paketimit tërheqës, aromave, cigareve elektronike dhe marketingut agresiv, industria e duhanit krijon një imazh të rremë të sigurisë dhe modernitetit, duke i fshehur rreziqet serioze shëndetësore dhe varësinë e shkaktuar nga nikotina.
Duhani është një nga shkaqet kryesore të vdekjes së parakohshme dhe sëmundjeve të parandalueshme. Pirja e duhanit është e lidhur drejtpërdrejt me shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, goditjes në tru, sëmundjeve kronike të mushkërive, sëmundjes kronike obstruktive të mushkërive (SKOM), si dhe llojeve të ndryshme të sëmundjeve malinje, veçanërisht kancerit të mushkërive, fytit, zgavrës orale dhe ezofagut. Përveç kësaj, ekspozimi ndaj pirjes pasive të duhanit përbën një rrezik serioz për jo-duhanpirësit, veçanërisht fëmijët, gratë shtatzëna dhe njerëzit me sëmundje kronike.
Përveç pasojave shëndetësore përdorimi i duhanit shkakton edhe dëme të konsiderueshme sociale dhe ekonomike. Rritja e shpenyimeve mjekësore, rënia e produktivitetit, mungesat në punë dhe vdekja e parakohshme krijojnë një barrë serioze për sistemin shëndetësor dhe ekonominë. Pirja e duhanit gjithashtu ndikon negativisht në cilësinë e jetës së familjeve, rrit varfërinë dhe kontribuon në pabarazitë sociale.
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, Republika e Maqedonisë është ndër vendet me prevalencën më të lartë të pirjes së duhanit në Rajonin Evropian. Në vitin 2023 rreth 45.4% e popullatës së rritur janë duhanpirës të rregullt, ndërsa deri në 70% e tyre kanë filluar të pinë duhan para moshës 21 vjeçare. Fakti që më shumë se gjysma e duhanpirësve nuk planifikojnë të lënë duhanin është gjithashtu shqetësues, megjithëse shumica janë të vetëdijshëm për efektet e dëmshme të duhanit.
Të dhënat tregojnë se pirja e duhanit paraqet një sfidë serioze për shëndetin publik në vend dhe shoqërohet me mijëra vdekje çdo vit, si dhe një barrë në rritje për sistemin shëndetësor. Rritja e përdorimit të cigareve elektronike dhe produkteve të nikotinës tek të rinjtë është veçanërisht shqetësuese. Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve, veçanërisht të rinjve, që të mos bien pre e mesazheve manipuluese dhe strategjive të marketingut të industrisë së duhanit. Parandalimi, edukimi dhe mbështetja për lënien e duhanit janë hapa kyç drejt një të ardhmeje më të shëndetshme dhe një cilësie më të mirë të jetesës.
Për t’i ndihmuar duhanpirësit të heqin dorë nga përdorimi i produkteve të duhanit, në Institutin e Shëndetit Publik funkcionon një linjë telefonike për lënien e duhanit "Mos pi duhan, lëre", ku qytetarët mund të flasin me ekspertët e Institutit për lënien e duhanit çdo të hënë dhe të mërkurë në numrin 078 294 371 dhe të marrin këshilla, ndihmë dhe udhëzime se si ta lënë duhanin.
Ta mbrojmë shëndetin tonë - t'i themi JO duhanit dhe nikotinës.