- 21.04.2026
Java Evropiane e Imunizimit 2026
“Vaksinat funksionojnë – për çdo gjeneratë”
Java Evropiane e Imunizimit (JEI) është një iniciativë rajonale e koordinuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që synon rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe profesional për rolin kyç të imunizimit si një nga ndërhyrjet më efektive të shëndetit publik. Ai kontribuon në parandalimin e sëmundjeve infektive, uljen e morbiditetit dhe mortalitetit dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës.
Në vitin 2026 Java Evropiane e Imunizimit shënohet nga 19 deri më 25 prill nën moton: “Vaksinat funksionojnë – për çdo gjeneratë”. Kjo javë është një mundësi e rëndësishme për të kujtuar se vaksinat janë një nga arritjet më të mëdha të shëndetit publik modern. Ato shpëtojnë miliona jetë çdo vit dhe parandalojnë përhapjen e sëmundjeve të rrezikshme infektive, duke i mbrojtur jo vetëm individët, por edhe të gjithë komunitetin përmes imunitetit kolektiv.
Sëmundjet e parandalueshme nga vaksina, si fruthi, difteria, poliomeliti dhe tetanozi, dikur ishin shkaqet më të shpeshta të ndërlikimeve serioze dhe vdekjes, sidomos tek fëmijët. Falë vaksinimit këto sëmundje tani janë zvogëluar ndjeshëm ose pothuajse janë eliminuar në shumë pjesë të botës. Por, vitet e fundit është vënë re një rishfaqje e tyre, e cila është një pasojë e drejtpërdrejtë e mbulimit të reduktuar me vaksinim.
Rënia e mbulimit me vaksinim shoqërohet më shpesh me perceptimin e reduktuar të rrezikut, përhapjen e dezinformatave dhe ndikimin e lëvizjeve kundër vaksinimit. Këta faktorë krijojnë kushte për rishfaqjen e sëmundjeve që më parë ishin nën kontroll.
Historia e vaksinimit fillon në vitin 1796 me punën e Edward Jenner, i cili e zhvilloi vaksinën e parë kundër lisë. Kjo ngjarje shënon fillimin e imunologjisë moderne. Më shumë se një shekull më vonë, në vitin 1980, lija u zhduk në mbarë botën, që është një nga arritjet më të mëdha në historinë e mjekësisë. Zhvillimi i mëtejshëm i vaksinave ka mundësuar kontrollin e shumë sëmundjeve të tjera infektive dhe e ka zgjatur ndjeshëm jetëgjatësinë e popullatës. Vaksinat krijojnë mbrojtje individuale pa pasur nevojë për ta kaluar sëmundjen paraprakisht, ndërsa në të njëjtën kohë kontribuojnë në imunitetin kolektiv. Janë veçanërisht të rëndësishme për mbrojtjen e grupeve më të cenueshme - të porsalindurve, të moshuarve, të sëmurëve kronikë dhe njerëzve me imunitet të dobësuar. Mbulimi i lartë me vaksinim është qenësor për parandalimin e përhapjes së infeksioneve në komunitet.
Vaksinimi nuk mbaron në fëmijëri, por luan një rol të rëndësishëm gjatë gjithë jetës. Tek të rriturit dhe të sëmurët kronikë vaksinat kundër gripit, COVID-19, infeksionit pneumokoksik, tetanosit dhe difterisë e zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e formave të rënda të sëmundjes, hospitalizimit dhe vdekjes.
Shënimi i Javës Evropiane të Imunizimit është një përkujtim se përfitimet e vaksinimit janë rezultat i shumë viteve të arritjeve shkencore dhe përpjekjeve globale. Ruajtja e mbulimit të lartë me vaksinim mbetet çelësi për parandalimin e kthimit të sëmundjeve të kontrolluara dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Kjo javë është një thirrje për të gjithë qytetarët - të jenë të informuar, t’i ndjekin rekomandimet kombëtare dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e përbashkët të shëndetit të të gjithë popullatës.
Java Evropiane e Imunizimit-(PDF)
_page-0001.jpg)
_page-0002.jpg)
_page-0003.jpg)
_page-0004.jpg)
_page-0005.jpg)
_page-0006.jpg)
_page-0007.jpg)
_page-0008.jpg)