• 05.05.2026

5 Maji – Dita Ndërkombëtare e Mamive


Me rastin e Javës Ndërkombëtare të Infermierisë më 5 maj festohet Dita Ndërkombëtare e Mamisë, e cila është një ngjarje e rëndësishme globale kushtuar rolit të mamive në përmirësimin e shëndetit të nënave, të porsalindurve dhe familjeve, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për profesionin e mamisë dhe promovimin e këtij profesioni. Mamia është një nga profesionet më të bukura, më të përgjegjshme dhe më humane, ndërsa shumica e tyre e shënojnë festën e tyre në vendet e tyre të punës.

Dita Ndërkombëtare e Mamisë i kushtohet njohjes së rolit qenësor që e luajnë mamitë në ofrimin e kujdesit gjithëpërfshirës gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës pas lindjes, duke ofruar mbështetje, edukim dhe ekspertizë mjekësore, mbështetje për shëndetin dhe mirëqenien e nënave, foshnjave dhe familjeve, duke avokuar për të drejtat shëndetësore të grave dhe duke e ulur shkallën e mortalitetit të nënave dhe foshnjave. Kjo ditë e thekson rëndësinë e mamisë në promovimin e shtatzënive të shëndetshme, fuqizimin dhe informimin e grave për të bërë zgjedhje për kujdesin e tyre dhe sigurimin që të gjitha gratë të kenë qasje në shoqërues të kualifikuar gjatë gjithë shtatzënisë dhe lindjes.

Kjo ditë është iniciuar nga International Confederation of Midwives dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e profesionit të mamive dhe për ta theksuar kontributin e këtij profesioni në sistemet shëndetësore në mbarë botën. Kjo ditë është edhe mundësi për ta ngritur vetëdijen për sfidat me të cilat përballen mamitë dhe për rritjen e  investimeve në këto shërbime në mbarë botën.

Konfederata Ndërkombëtare e Mamive (ICM) përfaqëson mbi 135 shoqata mamish në më shumë se 115 vende dhe në vitin 2026 Dita Ndërkombëtare e Mamive festohet nën moton: "Një milion mami më shumë" dhe me këtë temë vihet theksi tek:

· mungesa globale e mamive

· nevoja për investime në arsim dhe punësim

· përmirësimi i kujdesit shëndetësor për nënat dhe të porsalindurit

 

Sipas kësaj organizate bota ka nevojë për rreth “ Një milion mami më shumë ” që të mund të sigurojë kujdes cilësor kudo. Konfederata Ndërkombëtare e Mamive (ICM) me temën “ Një milion mami më shumë” e thekson nevojën emergjente për një milion mami më shumë në të gjithë botën për t’i përmbushur nevojat për shëndet seksual, reproduktiv, të nënës, të të porsalindurve dhe adoleshentëve, të grave dhe personave me përkatësi të ndryshme gjinore.

Tema për vitin 2026  One Million More Midwives“ (Një milion mami më shumë) e thekson nevojën emergjente për rritjen e numrit të mamive të kualifikuara në mbarë botën. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare mungesa e punonjësve shëndetësorë, e sidomos mamive, përbën një sfidë serioze për sigurimin e një mbrojtjeje shëndetësore cilësore dhe të arritshme, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

Mamitë kanë një rol qenësorsigurimin e kujdesit të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës për gratë gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës pas lindjes. Puna e tyre kontribuon në uljen e vdekshmërisë së nënave dhe të porsalindurve, përmirësimin e shëndetit reproduktiv dhe promovimin e edukimit shëndetësor. Hulumtimet tregojnë se investimi në kujdesin obstetrik mund t’i përmirësojë ndjeshëm rezultatet shëndetësore dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve.

Shënimi i kësaj dite në vitin 2026 është një thirrje për politikëbërësit, institucionet shëndetësore dhe shoqërinë në përgjithësi për të investuar në arsimimin, rekrutimin dhe mbajtjen e mamive. Sigurimi i kushteve adekuate të punës, zhvillimi profesional dhe njohja e rolit të tyre është qenësor për përforcimin e sistemeve shëndetësore, ndryshimin për paga të drejta dhe mbrojtjen e fuqisë punëtore.

Sepse sot bota po përballet me një “numër jashtëzakonisht të madh krizash komplekse”, si fatkeqësitë natyrore, konfliktet dhe ndikimet e vazhdueshme të ndryshimeve klimatike. Këto kriza prekin në mënyrë disproporcionale gratë, vajzat dhe njerëzit me diversitet gjinor, duke i ekspozuar ato ndaj rreziqeve gjithnjë e më të mëdha, siç janë ndërlikimet gjatë shtatzënisë dhe dhuna me bazë gjinore, ndërkohë që e kufizojnë gjithashtu qasjen e tyre në shërbimet shëndetësore themelore. Në këto kohë sfiduese mamitë janë tejet të rëndësishme dhe kjo është arsyeja se pse bota ka nevojë për “Një milion mami më shumë”. Ato janë të besueshme dhe janë të parat që reagojnë në komunitetet e tyre, mund t’i përgatisin sistemet shëndetësore që të jenë gati për çdo krizë. Ato mund të ofrojnë deri në 90% të shërbimeve shëndetësore seksuale, reproduktive, për nënën, të porsalindurit dhe adoleshentët, madje edhe gjatë krizave humanitare.

Nga Konfederata Ndërkombëtare e Mamive thonë se edhe me burime minimale mamitë mund të sigurojnë lindje të sigurta, kujdes para dhe pas lindjes, të ofrojnë kontracepsion, kujdes gjithëpërfshirës për abortin dhe kujdes për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore, të mbështesin ushqyerjen me gji, të sigurojnë që të porsalindurit të marrin ushqim të sigurt, të pastër dhe të mbrojtur, si dhe t’i edukojnë e përgatisin komunitetet me njohuritë dhe mjetet që u nevojiten për të qëndruar të sigurta dhe të shëndetshme gjatë emergjencave.

Vendi i mamisë është në prag të jetës ku emocionet intensive njerëzore, shpresa, malli, frika, forca dhe rezistenca e mahnitshme fizike mundësojnë që të lindë një qenie e re. Të jesh pjesë e momentit më të lumtur të një nëne, të një familjeje, është një privilegj dhe nder i madh. Lindja e çdo foshnje është një histori më vete, një nënë e lumtur, e kënaqur dhe e qeshur është lumturia dhe privilegji më i madh i të qenit pjesë e atyre momenteve. Është bukur të jesh pjesë e asaj lumturie dhe e atij momenti magjik.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj globalë çdo vit e kthejnë vëmendjen tek rëndësia e mamive në pritjen e foshnjave të reja në këtë botë dhe në të njëjtën kohë për kujdesin për nënat e reja gjatë dhe pas lindjes.

Kjo do të thotë se ka shumë sfida, ndërsa shumë mami përjetojnë mungesë mbështetjes, status të ulët dhe paga të ulëta. Mamitë shpëtojnë miliona jetë çdo vit. Nga viti 1990 po shënohet një rënie e vazhdueshme e vdekshmërisë së të porsalindurve dhe nënave. Një nga arsyet kryesore për këtë është sepse gjithnjë e më shumë gra po marrin kujdes të kualifikuar obstetrik. Mamitë janë një pjesë integrale e çdo procesi në repartin e maternitetit, ndërsa puna e tyre nuk është aspak e lehtë, ndërkohë që numri i mamive të punësuara në vendin tonë është shumë dekurajues. Shënimi i kësaj dite në vitin 2026 është një thirrje për politikëbërësit, institucionet shëndetësore dhe shoqërinë në përgjithësi për të investuar në arsimimin, rekrutimin dhe mbajtjen e mamive.

Sigurimi i kushteve adekuate për punë, zhvillim profesional dhe njohja e rolit të tyre është qenësor për përforcimin e sistemeve shëndetësore.Kur flasim për të gjitha gjërat e mahnitshme që bëjnë mamitë, është gjithashtu e rëndësishme të merret parasysh fakti që ka një mungesë të madhe të mamive, sidomos në vendet në zhvillim!

Sipas Raportit për kuadrot të Institutit të Shëndetit Publik në vitin 2024 në Republikën e Maqedonisë në organizatat shëndetësore të punësuara kanë qenë gjithsej 644 mami, nga të cilat 143 mami kanë qenë arsim sipëror, 7 me arsim të lartë dhe 494 mami me arsim të mesëm profesional.

Kjo do të thotë që mamitë janë nën presion të vazhdueshëm sepse përpiqen të përmbushin shumë detyra njëkohësisht.

Meqenëse mamitë janë të lidhura drejtpërdrejt me shëndetin e nënave të ardhshme dhe foshnjave të tyre, është shumë e rëndësishme të tërhiqet vëmendja e publikut ndaj rolit të tyre të madh në të gjithë sistemin shëndetësor dhe të mbështeten politikat dhe iniciativat që promovojnë qasje në kujdes të kualifikuar obstetrik, sidomos në komunitetet ku ka mungesë të plotësimit të këtyre shërbimeve.

Kjo datë duhet të shërbejë si një shkas për tu shprehur mirënjohje mamive për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në profesionin e tyre, por edhe për t'u bërë thirrje të gjitha organeve qeveritare dhe ministrive përkatëse që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta mbrojtur këtë profesion dhe për të punësuar sa më shumë mami të kualifikuara. Sistemet shëndetësore duhet të sigurojnë rritje të fondeve për shërbimet shëndetësore për nënat dhe të porsalindurit.

Dita Ndërkombëtare e Mamisë tërheq vëmendjen për madhësinë e kontributit të tyre në funksionin dhe përforcimin e strukturës së familjes dhe komunitetit. Dita Ndërkombëtare e Mamive është një mundësi për të shprehur mirënjohje dhe respekt ndaj mamive për përkushtimin, ekspertizën dhe humanizmin e tyre. Puna e tyre jo vetëm që shpëton jetë, por gjithashtu krijon themel për breza të shëndetshëm në të ardhmen.

 

Falënderojmë mamitë për të gjithë kontributin e tyre në momentet më të rëndësishme të jetës tonë!

 

Instituti i Shëndetit Publik, Raporti për kuadrin 2024 http://www.iph.mk/

https://mk.wikipedia.org/wiki/ https://www.who.int/

https://www.daysoftheyear.com/days/international-midwives-day/ https://www.safeabortionwomensright.org/news/international-day-of-the-midwife-5-may/ https://internationalmidwives.org/

 

PërgatitiDepartamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve