• 13.11.2023

14 NËNTORI – DITA BOTËRORE E DIABETIT“


 

,,Dijeni rrezikun tuaj, dijeni përgjigjen tuaj”

 

 

Diabeti është një sëmundje kronike metabolike, e cila karakterizohet me një nivel të rritur të glukozës në gjak, që vjen si pasojë e mungesës ose e çrregullimit të tajitjes së  insulinës nga pankreasi. Niveli i rritur i sheqerit në gjak shkakton dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, veshkave, syve dhe nervave. 100 vjet pas zbulimit të insulinës, miliona njerëz me diabet në mbarë botën nuk kanë qasje në kujdesin e duhur. Dita Botërore e Diabetit ofron një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diabetin si një çështje globale e shëndetit publik dhe për atë se çfarë duhet bërë, kolektivisht dhe individualisht, për ta parandaluar, diagnostikuar dhe trajtuar më mirë këtë gjendje. Tema e këtij viti " Dijeni rrezikun tuaj, dijeni përgjigjen tuaj ", mbështet temën për vitin 2021-2023 "qasja në kujdes".

Në vitin 2023 fushata fokusohet në rëndësinë e njohjes së rrezikut nga diabeti i tipit 2 për të ndihmuar në shtyrjen ose parandalimin e gjendjes dhe për të nxjerrë në pah ndikimin e komplikimeve të lidhura me diabetin dhe rëndësinë e të pasurit qasje në informacion dhe kujdes adekuat për të siguruar trajtimin dhe menaxhimin në kohë.

1 nga 10 persona të rritur në botë ka diabet. Mbi 90% kanë diabet të tipit 2. Pothuajse gjysma ende janë të padiagnostikuar.

Në vitin 2021 537 milionë njerëz në mbarë botën kanë jetuar me diabet, ndërsa ky numër në vitin 2030 pritet të rritet në 643 milionë njerëz. Më shumë se 3 nga 4 persona jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Diabeti është përgjegjës për të paktën 966 miliardë dollarë shpenzime për kujdes shëndetësor në vitin 2021 – 9% e shpenzimeve globale për kujdes shëndetësor.[1]

 

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas regjistrit të diabetit për vitin 2022, të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i pacientëve të sapodiagnostikuar me diabet është 7,737 raste, pra një shkallë prej 421.2/100.000, ndërsa prevalenca e përgjithshme është 134.668. raste, pra me një shkallë prej 7,332.[2]

Diabeti i tipit 1

Diabeti i tipit 1 (diabeti i varur nga insulina, jubenil ose i fëmijëve) karakterizohet nga një mungesë e plotë e tajitjes së insulinës nga pankreasi dhe kërkon administrim të përditshëm të insulinës. Shkaqet për shfaqjen e tij janë të panjohura, por supozohet se ndodh shkatërrimi autoimun i qelizave β të pankreasit. Simptomat kryesore janë ekskretimi i shtuar i urinës (poliuria), etja (polydipsia), uria (polifagia), rënia e tepërt në peshë, lodhja dhe të tjera.

Diabeti i tipit 2

Diabeti i tipit 2 (diabeti i pavarur nga insulina) përbën mbi 90% të të gjitha rasteve. Në të shumtën e rasteve ai është rezultat i përdorimit joefektiv të insulinës nga trupi. Pasiviteti fizik, mbipesha, ushqimi dhe historia familjare janë shkaqet kryesore të diabetit të tipit 2. Simptomat kryesore në përgjithësi janë të ngjashme me ato të diabetit të tipit 1, por shpesh janë më pak të theksuara. Si rezultat i kësaj, diabeti mund të diagnostikohet disa vite pas fillimit të sëmundjes, pasi atëherë veçmë mund të janë shfaqur edhe komplikime. Për këtë arsye është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për faktorët e rrezikut. Diabeti i tipit 2 shfaqet gjithnjë e më shpesh tek popullata e re.

Diabeti gestacional

Diabeti gestacional është një gjendje e niveleve të larta të sheqerit në gjak, por nën vlerat diagnostike për diabet. Ai shfaqet gjatë shtatzënisë. Gratë me diabet gestacional janë më të rrezikuara nga komplikimet gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Këto gra dhe fëmijët e tyre kanë rrezik të zhvillojnë diabet të tipit 2 në të ardhmen.

 

  • Njerëzit në rrezik nga diabeti i tipit 2, është e rëndësishme të jenë të informuar për rrezikun dhe çfarë duhet të bëjnë për ta parandaluar, për ta diagnostikuar dhe trajtuar në kohë.
  • Për njerëzit që jetojnë me diabet, ndërgjegjësimi dhe qasja në informacionin e saktë dhe barnat dhe mjetet më të mira të disponueshme për vetëkujdes është jetik për shtyrjen ose parandalimin e komplikimeve.
  • Punonjësit shëndetësor kanë nevojë për qasje në trajnime dhe burime të mjaftueshme për t’i zbuluar herët komplikimet dhe për të ofruar kujdes më të mirë të mundshëm.

 

Faktorët e rrezikut:

 

·         Historia familjare

·         Mbipesha

·         Ushqimi jo i shëndetshëm

·         Pasiviteti fizik

·         Mosha

·         Tensioni i lartë i gjakut

·         Përkatësia etnike

·         Toleranca e çrregulluar ndaj glykozës (IGT)

·         Historia me diabet gestacional

·         Ushqimi jo i shëndetshëm gjatë shtatzënisë

Dëshironi të dini rrezikun nga diabeti i tipit 2? Kontrolloni në linkun e mëposhtëm: https://worlddiabetesday.org/type-2-diabetes-risk-assessment/

Çfarë mund të ndryshojmë tek mënyra se si ushqehemi?

·         Në vend të lëngjeve të frutave ose pijeve të tjera me sheqer të shtuar pini ujë, kafe ose çaj.

·         Konsumoni të paktën tre racione perime në ditë

·         Konsumoni deri më tre racione fruta të freskëta në ditë

·         Për zemër zgjidhni fruta arrore, fruta të freskëta ose jogurt me fruta pa sheqer

·         Kufizoni konsumin e alkoolit deri në 2 pije standarde në ditë

·         Konsumoni mish pa yndyrë, mish pule ose ushqime deti në vend të mishit të kuq dhe përpunimeve të mishit

·         Zgjidhni gjalp kikiriku në vend të kremit me çokollatë apo xhemit

·         Konsumoni bukë të zezë me fara të plota, oriz ose makarona në vend të bukës së bardhë

·         Konsumoni yndyrna të pangopura (vaj ulliri, vaj misri ose vaj luledielli) vaj kokosi ose palme

Çdo lëvizje është e mirë, e sidomos për ta reduktuar rrezikun nga diabeti i tipit 2. Duhet të synoni për të paktën 150 minuta ushtrime aerobike me intensitet të moderuar (p.sh. ecje, vrapim, not ose çiklizëm) në javë, të shpërndara në disa ditë, ndoshta në periudha më të shkurtra prej 10-15 minuta.

Ushtrimet për forcë gjithashtu i kanë përparësitë e veta. Mund të rrisni masën muskulore dhe të përmirësoni ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe kontrollin e glukozës duke përdorur pesha ose shirita për të forcuar muskujt tuaj.

Përgatiti: Departamenti për promovimin e shëndetit dhe ndjekjen e sëmundjeve

 



[1] https://worlddiabetesday.org/about/facts-figures/

[2] https://www.iph.mk/mk/home/infopublikacii/1337