• 01.12.2023

3 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar


  

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar është një ditë që shënohet çdo vit më 3 dhjetor në të gjithë botën. Shënimi i kësaj dite ndërkombëtare për herë të parë u bë në vitin 1992 me rezolutën 47/3 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Respektimi i Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar synon të nxisë të kuptuarit e çështjeve lidhur me aftësi e kufizuar dhe të mobilizojë mbështetjen për dinjitetin, të drejtat dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuar. Angazhimi i Kombeve të Bashkuara për përmbushjen e të gjitha të drejtave të njeriut për personat me aftësi të kufizuar është e përforcuar nga Konventa e ratifikuar gjerësisht për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Agjenda për Zhvillimin e Qendrueshëm 2030. Tema për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar në vitin 2023 është "Të bashkuar në veprim për të shpëtuar dhe arritur Qëllimet për Zhvillim të Qendrueshëm, të cilat janë për , me dhe nga personat me aftësi të kufizuar”.

Duke pasur parasysh krizat e shumta në botën e sotme arritja e Qëllimeve për Zhvillim të Qendrueshëm (QZHQ) është në rrezik. Në mes të periudhës së zbatimit të Agjendës 2030 bota nuk është në rrugën e duhur për të arritur shumë nga qëllimet e vitit 2030. Fatkeqësisht, shpesh më të goditurit në kohë krize janë më të varfërit dhe më të cenuarit. Gjetjet paraprake nga Raporti i ardhshëm i OKB-së për Aftësinë e Kufizuar dhe Zhvillimin 2023 tregojnë se progresi nuk është i mirë dhe se ekziston rreziku i mos përmbushjes së disa QZHQ-ve për personat me aftësi të kufizuar. Përpjekjet tona për të shpëtuar QZHQ-të për, me dhe nga personat me aftësi të kufizuar duhet të intensifikohen dhe të përshpejtohen, duke pasur parasysh se personat me aftësi të kufizuar kanë qenë historikisht të margjinalizuar dhe shpesh ndër ata më të lënët pas dore. Ndryshimi thelbësor në angazhim, solidaritet, financim dhe veprim është kritik. Një pjesë integrale e kësaj është përfshirja e zërave, nevojave dhe prioriteteve të komunitetit global të personave me aftësi të kufizuar në të gjithë diversitetin e tyre.Është inkurajuese që me miratimin e Deklaratës Politike në Samitin e fundit të QZHQ, liderët botërorë u angazhuan për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe prosperitet të përbashkët për të gjithë, duke u fokusuar në politikat dhe veprimet që synojnë më të varfërit dhe më të cenuarit, duke përfshirë këtu edhe personat me aftësi të kufizuar. Kjo kërkon përpjekje të përforcuara nga Shtetet Anëtare, sistemi i Kombeve të Bashkuara, shoqëria civile dhe komuniteti global i personave me aftësi të kufizuar nëpërmjet veprimeve të intensifikuara dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për t'i bërë QZHQ -të realitet për, me dhe nga personat me aftësi të kufizuar.

Burimi: United Nations - https://www.un.org/en/observances/day-of-persons-with-disabilities

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve