• 07.12.2023

10 dhjetori - Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut


 

 

10 dhjetori 2023 shënon 75 vjetorin e një prej premtimeve globale më revolucionare në botë: Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (DUDNj).

Ky dokument historik i përforcon të drejtat e patjetërsueshme që ka çdo qenie njerëzore - pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, gjuha, mendimi politik ose tjetër, origjina kombëtare ose sociale, pasuria, lindja ose statusi tjetër.

Deklarata u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Paris më 10 dhjetor të vitit  1948 dhe për herë të parë i përcaktoi të drejtat themelore të njeriut që duhet të mbrohen universalisht. Deklarata është e disponueshme në më shumë se 500 gjuhë, duke e bërë atë dokumentin më të përkthyer në botë.

Nisma njëvjeçare e fokusuar në universalitetin, progresin dhe angazhimin, do të kulmojë në një ngjarje të nivelit të lartë në dhjetor të vitit 2023, ku do të publikohen angazhimet, idetë dhe vizioni global për të ardhmen e të drejtave të njeriut. Ky dokument bëri një pikë kthese në historinë e të drejtave të njeriut.

Tema e shënimit të 75 vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut është: "Liri, barazi dhe drejtësi për të gjithë"

Në dekadat pas miratimit të Deklaratës në vitin 1948, të drejtat e njeriut janë bërë më të njohura dhe më të garantuara në mbarë botën. Që atëherë, DUDNj ka shërbyer si bazë për një sistem të zgjeruar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, i cili sot fokusohet gjithashtu në grupet e cenueshme si personat me nevoja të veçanta, popujt indigjenë dhe migrantët. Megjithatë, premtimi i DUDNj-së për dinjitet dhe të drejta të barabarta vitet e fundit është sulmuar vazhdimisht. Përderisa bota përballet me sfida të reja dhe të vazhdueshme – pandemi, konflikte, pabarazi të theksuara, një sistem financiar global të falimentuar moralisht, racizëm, ndryshime klimatike – vlerat dhe të drejtat e përfshira në DUDNj ofrojnë një udhëzues për veprimet tona kolektive që nuk lënë askënd pas.

Iniciativa njëvjeçare për të Drejtat e Njeriut 75 është një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për një veprim më të madh dhe për një njohje më të mirë të universalitetit të DUDNj-së dhe aktivizmit të lidhur me të.

DUDNj i siguron të drejtat e të gjitha qenieve njerëzore pa përjashtim. Nga e drejta për arsim e deri te e drejta për një pagë të barabartë. DUDNj për herë të parë vendosi të drejtat e pandashme dhe të patjetërsueshme të gjithë njerëzimit. Si "një standard i përbashkët i arritjeve për të gjithë popujt dhe të gjitha kombet", DUDNj është një plan global për ligjet dhe politikat ndërkombëtare, kombëtare dhe lokale dhe themeli i Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Agjenda e vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm thekson shprehimisht se ajo bazohet në DUDNj dhe duhet të zbatohet në një mënyrë që mbështet dhe realizon të drejtat e njeriut. DUDNj ka frymëzuar shumë beteja për mbrojtje më të madhe të të drejtave të njeriut dhe i ka ndihmuar ato të bëhen më të njohura.

Në (pothuajse) 75 vjet që nga shpallja e Deklaratës të drejtat e njeriut kanë avancuar. Megjithatë, përparimi nuk do të thotë se lufta për të drejta dhe barazi ndonjëherë do të përfundojë. Kurdo dhe kudo që braktisen vlerat e njerëzimit të gjithë ne jemi në rrezik më të madh. Zgjidhjet për krizat më të mëdha të të sotmes i kanë rrënjët te të drejtat e njeriut. Shkeljet e të drejtave jehojnë përtej kufijve dhe brezave. Këto shkelje mund dhe duhet të tejkalohen kolektivisht. Ne duhet të ngrihemi për të drejtat tona dhe të drejtat e të tjerëve. DUDNj u bën thirrje të gjithëve të ngrihen për të drejtat e tyre, sepse ne të gjithë kemi një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në botë.

Detyrimi për respektim do të thotë që shtetet duhet të përmbahen nga ndërhyrja ose kufizimi i gëzimit të të drejtave të njeriut. Detyra për të mbrojtur kërkon që shtetet t’i mbrojnë individët dhe grupet nga shkeljet e të drejtave të tyre. Detyrimi për të përmbushur nënkupton që shtetet duhet të ndërmarrin veprime pozitive për të lehtësuar gëzimin e të drejtave themelore të njeriut. Nëpërmjet ratifikimit të traktateve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, qeveritë marrin përsipër të vendosin masa dhe legjislacion të brendshëm në përputhje me detyrimet dhe detyrat e tyre që burojnë nga ato traktate. Aty ku procedurat ligjore vendore dështojnë në adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, mekanizmat dhe procedurat për ankesa ose komunikime individuale janë të disponueshme në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Në këtë mënyrë sigurohen standardet ndërkombëtare për respektimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut në nivel lokal. Të gjithë treguesit tregojnë nevojën për një ekonomi që investon në të drejtat e njeriut dhe punon për të gjithë njerëzit pa përjashtim. Vetëm në këtë mënyrë mund të rivendosim besimin dhe të përqafojmë një vizion të përbashkët dhe gjithëpërfshirës të të drejtave të njeriut në rrugën drejt zhvillimit të drejtë dhe të qëndrueshëm.

 

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve