- 12.12.2023
Dita Botërore e Mbulimit Shëndetësor Universal 2023
Shëndet për të gjithë: është koha për veprim
Mbulimi shëndetësor universal është një shtyllë e mirëqenies sociale, qëllimi kryesor i së cilës është që të gjithë individët dhe komunitetet të marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore, pa u përballë me vështirësi financiare. Ky qëllim ambicioz i miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si një pjesë fundamentale e “Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm” të Kombeve të Bashkuara synon të garantojë qasje në shërbime shëndetësore, barna dhe vaksina cilësore për të gjithë, kudo, pavarësisht nga statusi i tyre ekonomik.
Koncepti i Mbulimit universal shëndetësor përfshin një sërë shërbimesh, duke përfshirë këtu kujdesin parandalues, kurativ, rehabilitues dhe paliativ. Më konkretisht, ky koncept nënkupton promovim të shëndetit, parandalim të sëmundjeve, trajtim, rehabilitim dhe kujdes të vazhdueshëm për shëndetin fizik dhe mendor. Korniza e fuqishme e Mbulimit universal shëndetësor përfshin më shumë palë të interesuara, duke filluar nga qeveritë dhe politikëbërësit e deri tek ofruesit e shërbimeve shëndetësore, komunitetet dhe organizatat ndërkombëtare, duke punuar së bashku për të ndërtuar sisteme të forta shëndetësore që i plotësojnë nevojat e ndryshme të popullatës.
Takimi i Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Mbulimin Universal Shëndetësor që u mbajt më 21 shtator të vitit 2023 konfirmoi se njerëzit e shëndetshëm janë themeli i shoqërive dhe ekonomive të shëndetshme. Gjithashtu, në këtë takim u theksua rëndësia e mbulimit universal shëndetësor si bazë për arritjen e “Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm”, duke i përfshirë ato që kanë të bëjnë me zhdukjen e varfërisë, qasjen në arsim, barazinë gjinore, ndryshimet klimatike dhe ndërtimin e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Fatkeqësisht, të dhënat tregojnë se:
• gjysma e popullatës në botë nuk ka qasje në shërbimet shëndetësore themelore
• rreth 2 miliardë njerëz përballen me vështirësi financiare për shkak të shpenzimeve shëndetësore, përfshirë këtu edhe 344 milionë njerëz që jetojnë në varfëri ekstreme
• nga përcaktimi i " Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm " në vitin 2015 – madje edhe para pandemisë së COVID-19 - zgjerimi i mbulimit me shërbime shëndetësore ka ngecur dhe mbrojtja financiare është përkeqësuar
Pandemia i ka kthyer pas vendet në rrugëtimin e tyre drejt mbulimit universal shëndetësor, por gjithashtu e ka theksuar edhe rëndësinë e saj të madhe.
Për të arritur Mbulim shëndetësor universal është e nevojshme të merret parasysh:
· Qasja e barabartë: Mbulimi universal shëndetësor thekson qasjen e barabartë në shërbime shëndetësore për të gjithë individët, duke eliminuar diskriminimin në bazë të gjinisë, moshës, përkatësisë etnike, statusit socio-ekonomik ose vendndodhjes gjeografike. Ajo ka për qëllim të tejkalojë boshllëqet në qasje dhe të sigurojë që grupet e margjinalizuara ose të cenueshme të marrin të njëjtën cilësi të kujdesit si pjesa tjetër e popullatës.
· Mbrojtja financiare: Një nga qëllimet kryesore të mbulimit shëndetësor universal është mbrojtja e individëve dhe familjeve nga vështirësitë financiare të shkaktuara nga shpenzimet për kujdes shëndetësor. Duke zbatuar mekanizma të tillë si skemat e sigurimeve, subvencionet ose kujdesi shëndetësor i financuar nga buxheti, kujdesi shëndetësor universal synon të minimizojë pagesat nga xhepi dhe të zvogëlojë barrën financiare të individëve që kërkojnë shërbime shëndetësore.
· Shërbime shëndetësore cilësore: Mbulimi shëndetësor universal është i përkushtuar ndaj ofrimit të shërbimeve shëndetësore me cilësi të lartë, duke u fokusuar në praktikat e bazuara në prova, punonjës të kualifikuar shëndetësorë, infrastrukturë efikase dhe barna dhe pajisje themelore. Mekanizmat për sigurimin e cilësisë janë qenësore për të siguruar se shërbimet shëndetësore i përmbushin standardet e vendosura dhe se përmirësohen vazhdimisht.
· Sisteme shëndetësore të fuqishme: Kujdesi shëndetësor universal kërkon sisteme shëndetësore elastike dhe të fuqishme të afta për t'iu përgjigjur nevojave shëndetësore të popullatës. Kjo përfshin investime në infrastrukturën shëndetësore, fuqinë punëtore, sistemet e informacionit shëndetësor dhe strukturat e qeverisjes për menaxhim dhe ofrim efikas të shërbimeve.
· Mbrojtje shëndetësore primare e fuqishme: Mbulimi universal shëndetësor duhet të bazohet në mbrojtjen shëndetësore primare të fuqishme të orientuar nga njerëzit. Sistemet e mira shëndetësore fokusohen jo vetëm në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve, por edhe në përmirësimin e mirëqenies dhe cilësisë së jetës.
· Angazhimi i komunitetit: Angazhimi i komuniteteve dhe inkurajimi i partneriteteve me organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol kyç në përafrimin e shërbimeve shëndetësore me nevojat dhe preferencat e popullatës. Autorizimi i komuniteteve për të marrë pjesë aktive në vendimmarrjen për mbrojtjen shëndetësore mund të ketë si rezultat ndërhyrje shëndetësore më efektive dhe të qëndrueshme.
Nga kjo bëhet e qartë nevoja për veprim urgjent përmes prioritizimit të investimeve në sistemet shëndetësore, si dhe investimeve në arsim, punësim dhe në sigurimin e kushteve të mira të punës për fuqinë punëtore shëndetësore. Përveç kësaj, është e nevojshme të ndërtohen sisteme shëndetësore më rezistente, të drejta dhe elastike, të cilat do të jenë të gatshme për t'iu përgjigjur kërcënimeve shëndetësore, si dhe për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve shëndetësore themelore. Nevoja për zgjerimin e ndërhyrjeve në mbrojtjen shëndetësore primare, duke përfshirë promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve, është evidente. Për të arritur shëndet dhe mirëqenie, qeveritë duhet të shikojnë përtej shërbimeve shëndetësore dhe të trajtojnë faktorët ekologjik, social dhe bihejvioral që ndikojnë në shëndetin e individëve. Gjithashtu e një rëndësie të madhe është edhe përfshirja e komuniteteve në procesin e vendimmarrjes duke i respektuar nevojat e popullatës. Është e qartë se përpjekjet për të arritur mbulim universal shëndetësor kërkojnë angazhim të qëndrueshëm nga qeveritë, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe sektori privat. Përkatësisht, synimi drejt mbulimit shëndetësor universal kërkon veprim kolaborativ dhe përgjegjësi të përbashkët për tejkalimin e barrierave dhe avancimin drejt realizimit të qëllimit, pra krijimit të një bote ku çdo individ do të ketë mundësinë të bëjë një jetë të shëndetshme pa u përballur me vështirësi të panevojshme financiare të shkaktuara nga shpenzimet për mbrojtje shëndetësore.
Përgatiti: Departamenti për promovimin e shëndetit dhe ndjekjen e sëmundjeve