• 01.03.2024

3 Marsi – DITA BOTËRORE E DËGJIMIT


 

 

 


Ta ndryshojmë mënyrën se si mendojmë: kujdesi për veshin dhe dëgjimin le të jetë realitet për të gjithë!

 

Në të gjithë botën ka njerëz që nuk mund të quhen të sëmurë, por ata lindin ose më vonë fitojnë një lloj paaftësie (mangësi psiko-fizike) dhe në këtë mënyrë shëndeti i tyre dëmtohet në një segment të caktuar dhe ata e kanë më të vështirë të përshtaten me jetën shoqërore dhe mjedisin shoqëror dhe kjo gjendje ua vështirëson komunikimin e përditshëm dhe ekspozimin e tyre si individë.

Varësisht nga shkalla e dëmtimit të perceptimit auditativ, këta persona ndahen dhe/ose klasifikohen në dy grupe: persona të shurdhër dhe persona me dëgjim të dëmtuar.

- Personat me dëgjim të dëmtuar klasifikohen si persona me dëmtim të lehtë, mesatar ose të rëndë në varësi të shkallës së dëmtimit të dëgjimit, kohës kur ka ndodhur dëmtimi dhe nivelit të zhvillimit të të folurit.

- Personat e shurdhër janë persona me dëmtim më të madh të dëgjimit dhe ata pa amplifikator dëgjimi nuk janë në gjendje ta kuptojnë të folurit verbal. Disa prej tyre flasin mirë sepse kanë zhvilluar të folurit para dëmtimit të dëgjimit, disa prej tyre nuk e  kanë zhvilluar të folurit verbal e kështu më vonë me trajtim sistematik dhe intensiv surdoaudiologjik u është përmirësuar dëgjimi, si dhe të tjerë që nuk kanë të folur mjaftueshëm të zhvilluar ose nuk flasin ende sepse e kanë humbur dëgjimin përpara se të zhvillonin të folurit verbal.

Njerëzit që përballen me pengesa gjatë dëgjimit shpesh kanë probleme emocionale, sociale dhe probleme të tjera, dhe shpesh margjinalizohen ose "etiketohen" nga shoqëria. Nëse i hedhim një sy letërsisë së vjetër klasike, Prof.d-r.Risto Petrov në “Personat me aftësi të kufizuara” ka thënë: “Hipokrati shkruan se të shurdhërit janë jo të mençur dhe të shurdhër, ndërsa perandori Justinian në ligjin e tij ua ka mohuar shurdhmemecëve drejtën për të bërë testament dhe për të disponuar me pasurinë e tyre. Nga këto botëkuptime nuk kanë mundur të shpëtojnë as Kanti dhe as Codylas. I pari ka thënë se "të shurdhërit kanë vetëm disa anomali me mendjen", ndërsa i dyti se të shurdhërit kanë probleme me kujtesën, arsyetimin, njohjen. Të shurdhërit kanë pasur vlerë të madhe për shkak të lojalitetit të tyre ndaj padronit (ata kanë qenë shërbëtorë) dhe për këtë arsye u janë dhënë detyra konfidenciale sepse nuk kanë mundur të përgjojnë.” (1)

Përgjatë historisë ka pasur shembuj të panumërt të njerëzve që i kanë përçmuar dhe paragjykuar këta persona, duke krijuar kështu një lloj "kufiri artificial" midis anëtarëve në komunitetet ku ka pasur raste të njerëzve me dëgjim të dëmtuar (ose me çfarë do lloj paaftësie tjetër).

Në vitin 1948 në Republikën e Maqedonisë u themelua Enti për rehabilitimin e fëmijëve me dëmtime të dëgjimit dhe të folurit dhe me probleme të tjera zhvillimore "Koço Racin" në fshatin Petrovec të Shkupit, ndërsa në vitin 1955 ai u zhvendos në qytetin e Manastirit dhe këtë vit shënon 76 vjetorin e themelimit (2).

Shkolla shtetërore për edukim dhe rehabilitim të të rinjve me dëgjim të dëmtuar "Partenija Zografski" në Shkup është e vetmja shkollë e mesme profesionale në Maqedoni për nxënësit me nevoja të veçanta, veçanërisht për ata me dëmtim të dëgjimit dhe të folurit. Shkolla u mundëson nxënësve të përvetësojnë arsimin e mesëm, aftësim për punë dhe edukim, me qëllim integrimin e këtyre fëmijëve në të gjitha sferat e jetës dhe veprimit shoqëror, duke ofruar arsim cilësor për nxënësit, duke përdorur metoda dhe praktika moderne të punës, përfshirë punën në grup dhe në ekip, hulumtim dhe mësim aktiv (3).

 

ISHP Enti për rehabilitimin e dëgjimit, të folurit dhe zërit - Shkup është institucioni shëndetësor më i lartë që ndjek dhe studion sistematikisht gjendjen në fushën e patologjisë në komunikimin verbal, shqyrton metoda dhe zbaton masa për zbulimin e hershëm dhe rehabilitimin e personave me çrregullime në komunikimin verbal, e që ofron shërbime në nivelin e mbrojtjes shëndetësore sekondare, ndërsa veprimtarinë që e realizon është logopedi/parandalim surdoaudiologjik, diagnostikim, trajtim dhe protetikë, pra rehabilitimi i personave me çrregullime të dëgjimit, të folurit dhe zërit, si dhe organizimi i veprimtarisë dhe punës së duhur me familjet e personave me çrregullime të dëgjimit, të folurit dhe zërit (4).

 

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka një studim etnologjik-antropologjik të dedikuar për personat me dëgjim të dëmtuar, me ç’rast studimet antropologjike do të na jepnin të dhëna duke hulumtuar drejtpërdrejt me familjet në të cilat ka një person me vështirësi në dëgjim, duke treguar/vërtetuar se dëmtimi i dëgjimit imponohet në shumë aspekte të veprimtarisë njerëzore. Shembuj të shumtë nga e gjithë bota tregojnë se studimet që përfshijnë persona të shurdhër zbulojnë çështje me rëndësi të përgjithshme antropologjike, edhe për ata që mund të mos kenë (ende) një interes të veçantë për çështjet e dëmtimit të dëgjimit (5).

Dita Botërore e Dëgjimit festohet çdo vit më 3 Mars dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes publike për parandalimin e shurdhimit dhe dëmtimin e dëgjimit, si dhe mbështetjen e kujdesit për veshin dhe dëgjimin në mbarë botën.

Para vitit 2016 Dita Botërore e Dëgjimit quhej Dita Ndërkombëtare e Kujdesit për Veshët.

Fushata ka për qëllim përhapjen e informacionit dhe inkurajimin e njerëzve për të ndërmarrë hapa për evitimin e humbjes së dëgjimit dhe për të përforcuar kujdesin ndaj veshëve dhe dëgjimit.

OBSH po mundohet të tregojë se nevoja për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të humbjes së dëgjimit është arsyeja pse shumë njerëz kanë probleme të padiagnostikuara të dëgjimit dhe nuk janë të vetëdijshëm se kanë nevojë për kontrolle të rëndësishme preventive për ta parandaluar në kohë dëmtimin e dëgjimit. Hapi i parë në përballjen me problemin është vlerësimi dhe kontrollimi i dëgjimit nga persona ekspertë dhe kompetentë në këtë fushë, ndërsa si shkak më i shpeshtë i humbjes së dëgjimit janë infeksionet kronike të veshit (6).

 

MASA PËR PARANDALIM:

- Të evitohen vendet ku ka shumë zhurmë, e cila është një nga shkaqet kryesore të humbjes së dëgjimit.

- Personat që janë të ekspozuar ndaj shumë zhurmave gjatë ditës duhet t'i mundësojnë vetes pak qetësi gjatë ditës.

- Përpjekjet e shëndetësisë publike mund të ndihmojnë në parandalimin e mbi 60% të rasteve të humbjes së dëgjimit tek fëmijët.

- Shumë nga shkaqet që çojnë në humbjen e dëgjimit mund të parandalohen me ndihmën e strategjive të shëndetit publik dhe ndërhyrjeve klinike të zbatuara gjatë gjithë jetës.

- Përdorimi racional i barnave për ta parandaluar humbjen e dëgjimit.

- Të evitohet ekspozimit ndaj zhurmës në vendin e punës nëpërmjet përdorimit të pajisjeve mbrojtëse.

 

Burime:

1.      Петров, Ристо: „Лица со инвалидност: професионална ориентација оспособување и вработување, Филозофски факултет, Институт за дефектологија, 2007

2.      ОУРЦ „Кочо Рацин“ – Битола (ourckocoracin.com.mk)

3.      Државното училиште за образование и рехабилитација на младинци со општетен слух “Партенија Зографски” - Search (bing.com)

4.      Завод за рехабилитација на слух, говор и глас - Скопје (jzusluhgovorglas.mk)

5.      www.annualreviews.org  Annu. Rev. Anthropol. 2002.31:69-97. Access provided by Michigan State University Library on 02/11/15. LINGUISTICS AND COMMUNICATIVE PRACTICES Signs of Their Times: Deaf Communities and the Culture of Language, Richard J. Senghas and Leila Monaghan

6.      WHO. World Report on Hearing (who.int)

 

  PËRGATITI:

DEPARTAMENTI I PROMOVIMIT TË SHËNDETIT DHE I NDJEKJES SË SËMUNDJEVE